Rajmonda Qose
Ti o zemër mos lëngo!

Mos lëngo ti o zemër
Por digju prej hidhnisë
E me sytë drejtuar qiellit
Në gjunjë lutju Perëndisë
Mos kërko shërim për vete
Po kërko për shoqërinë
Zemrat e tyre më pare shëro
Që ushqehen me lakminë
Nëpër gjak u vlon zilia
E nuk kane besë e fè
Natën pas shpine të vrasin
Ditën të shtien në dhè
Qaj o zemër mos pusho
Zbrazu tek i madhi Zot
Dje bota ishte ndryshe
Shumë më ndryshe duket sot
Nënë e babë i kanë harruar
Syte u janë errur për para
Duke harruar se një ditë
Të vetëm do mbeten dhe ata.
Edukata ka shtegtuar
Udhëve në harrim
Kjo rini gjoja “e qytetëruar”
Nuk njeh norma s’ka parim.
Shpirti i njerëzve është zhveshur
Nuk ka më miq e shokë
Qëkur hyri interesi
Në djall vajti kjo botë.
Falju o zemër përgjëroju
Zeri yt qiellin ta krisi
Ndihmë kërko nga i madhi Zot
Me ujin e dashurisë zemrat t’i ujisi.