Ramadan M. Pasmaçiu:Firma e anëtarit të byrosë


Firma e anëtarit të byrosë

Nga Ramadan M. Pasmaçiu

Një paradite, aty nga ora njëmbëdhjetë, erdhi tek unë shoqja Lilika. Çështja e saj ishte përfunduar. Urdhrin me firmën e anëtarit të byrosë politike të komitetit qëndror, për t’u emëruar tek donte, s’e shpërfillte dot kush.
Isha në zyrë tok me Skënder Balën, një letrar – drejtor shkolle, djalë i mirë dhe shok me mua prej më se dhjetë vjetësh. I sinqertë e besnik! Simpatik në pamje e me trup elegant. Gjithmonë – me një nënqeshje të lehtë të syve. Me një dashuri të thellë, por të përmbajtur, që kurrë nuk dinte ta shfaqte me fjalë.
E para herë që heshtnim të dy aq gjatë. Sikur na ishte qepur goja. E dija se kishte ardhur të ma largonte disi mërzitjen. A mbase që të delnim e të uleshim diku. Por, si njeri me edukatë e me natyrë të heshtur, si më i ri nga mosha, e që më respektonte në mënyrë të ndërgjegjshme, s’guxonte të ma thoshte i pari. Kurse unë, përpiqesha më kot të shtiresha i qetë, se s’arrija kurrsesi ta fshihja gjendjen time të vërtetë shpirtërore. Isha krejt tym. Skënderin, herë – herë, e shihja thuajse turbull! Dhe si asnjëherë e ndieja të ftohtë gjithçka, që më rrethonte! Të ftohtë dhe në ngjyrë plumbi! Muret e zyrës, tryezën e punës, dollapët, raftet e librave, dosjet… Gjer edhe vizoren e lapsat – në prekje! I ftohtë dhe në ngjyrë plumbi ishte, madjé, edhe ajri, ndonëse i një prilli. Ai, veçanërisht, më rrihte ballin, i cili – si të më qe veshur me një cipëz të padukshme akulli! Po edhe bari i harlisur në sheshin para dritareve, ngjyrë plumbi më dukej! Edhe tjegullat e shtëpive – të ftohta e të plumbta! Edhe tarracat prej betoni të pallateve! Edhe rrezet e diellit! Vetë dielli i ftohtë e i plumbtë ishte atë ditë për mua!

Ajo hyri, më përshëndeti si me zor dhe më tha se kërkonte t’i bëja dorëzimet.Pse jo! – iu përgjigja. – Urdhëro e ulu!
Ma ktheu shkurt, në këmbë e me njërën dorë mbi mbështetësen e karriges:

Të dalë përjashta ai shoku!

Jo! – ia prita i prekur. – Është bashkëpunëtor i revistës, po edhe s’na pengon! Dhe, më kryesorja, këtu ende komandoj unë! Asgjë pse kjo do të zgjasë edhe fare pak kohë! Kur të kemi mbaruar punë bashkë, kur të ta kem lënë në dorë zyrën dhe çelësat e derës, atëherë – po, do të dalim ngadalë të dy, në qejfin tonë, domethënë!
I thashë Skënderit:

Mirë je, aty ku je!
Ai – tip i zgjuar. Më pa në sy i heshtur e nuk u tund.
Lilika mblodhi buzë e vetulla.
Sapo filluam, se kush trokiti.

Hyr! – thashë me zë të lartë, si të doja t’i tregoja Lilikës se vërtet isha ende unë zot.
U hap dera dhe u duk në prag Jonuz Paleshi, nënoficer në degën ushtarake, me një tubo letrash në dorë.

Ju uroj shëndet! – tha duke buzëqeshur. – Kam shkruar ca vjersha mbrëmë dhe erdha që të m’i shihni, po edhe, kuptohet, që të vini pak dorë mbi ’to, si usta që jeni!
Ishte një nga burrat që pillnin njëri – tjetrin.
Nënqesha e i tregova se nuk merresha dot më me të. Më kishin lëvizur nga ajo punë. Dhe, duke treguar Lilikën, shtova se ja, atë çast po bëja dorëzimet!
Hapi sytë si guak! Goditi gjurin e majtë me tubon e letrave.

Si kështu, dreqi e mori! – foli si me vete dhe psherëtiu. – Qenkam lodhur kot, domethënë!? Po këto të shkurtra janë, sikur t’u hidhje një sy dhe t’i dërgoja te revista “Fatosi”!
M’u bë se fytyra i mori sakaq pamjen e një derri.

Atëherë, shko t’ia hedhin syrin atje! – i thashë.

Po pse!? Unë nuk ju pengoj shumë, vetëm pesë – gjashtë minuta! Ja, t’i marrim leje edhe kësaj shoqes!
Ai sikur po më nxiste t’i bërtisja, por nuk mund të mos përmbahesha.

Jonuz, na lejo të vazhdojmë punën! – i thashë me zë disi më të ngritur.

Mirë, mirë, po shkoj! – ma ktheu qejfprishur. Mblodhi buzët, mezi u shkul dhe doli, fytyrështrembëruar.
Shfryva me vete.
Erdhi radha t’i dorëzoja Lilikës nja gjashtë – shtatë materiale të faqosura e të ilustruara, të gatshme për t’u dërguar në shtyp në numrat e mëpasshëm.

Jo, jo! – ma priti me kryeneçësi. – Nuk më duhet asgjë e tillë! Kam idera të reja. Do ta filloj gjithçka nga e para!
Ndërsa, për makinën e shkrimit u ndal.

Pse nuk është shënuar numri i kësaj në inventar?

Pa numër ma kanë dhënë! – ia ktheva i qetë. – S’ka ndonjë rëndësi kjo!

Si s’paska! Po sikur të jetë ndërruar?
E pyeta, duke e vështruar ngultas:

Në erë flet!?
E uli zërin.

Jo, jo, por dua të jem e rregullt në çdo gjë!
U ngrita sakaq në këmbë.

E po, bashkë mbaruam! Vazhdo me sekretaren! E ke lart, në katin e dytë! Edhe çelësat e zyrës tek ajo do t’i gjesh! Dalim tashti!
Dola siç kisha thënë, ngadalë – ngadalë me Skënder Balën, si e vura Lilikën përpara.
Mbeti si e ngrirë në korridor, pas shpinës sime. E gjora! E sëmurë nga trutë! Kishte ardhur me pushkën e jevgut dhe me fantazira si të Don Kishotit!
Sapo ajo u ngjit përpjetë shkallëve, ktheva kokën vetiu dhe vështrova rrëshqitas pragun e zyrës sime. Më rrahu zemra fort. M’u përqeth trupi e u drodha. Buza e poshtme më regëtiu si gjethe…
Ishin emocione.
Dhe aq të fuqishëm!
Aspak të jashtëzakonshëm!
Njerëzorë dhe të natyrshëm!
Se nuk do ta kaloja më atë prag, që e kisha kaluar tetëmbëdhjetë vjet, qysh se revistës, që pritej të lindte, nuk i ishte gjetur ende emri!
Kur as që i sillej dot para syve fytyra!
E, pra, unë kisha qenë pagëzuesi i saj!
Unë vetë – edhe krijuesi!
Tetëmbëdhjetë vjet punë aty!
Sa shumë net pa gjumë më ishin dashur! Sa shumë lodhje e mundim!
Kisha pritur e përcjellë qindra! Njerëz me tru e fyla! Shkrimtarë të vërtetë dhe pseudo! Gjer edhe një detashment me burra që pillnin!
U kisha dhënë fëmijëve e prindërve mbi dyqind e njëzet numra reviste! Secili – i mezisapritur!
Tetëmbëdhjetë vjet!
E kisha kapërcyer atë prag së pari herë tridhjetë e dy vjeç.
Qeshë atëherë, kush më mban mend e di, një flokëzi tërheqës gjithë kaçurrela!
Dhe tani s’isha veçse një pesëdhjetëvjeçar i thinjur plotësisht!
Po largohesha mes një heshtjeje të thellë mbytëse!
Pa një përgëzim! Midis një korridori shurdh, të zbrazët, të ftohtë!
Si njeri pa njeri, që gjendet i vdekur befas brenda shtëpisë dhe nxirret jashtë shpejt – shpejt, me një funeral shkel e shko, për t’iu lëshuar banesa një tjetri, që kurrsesi nuk i takon!
Ç’e padrejtë!
Dhe revista, tamam si ndonjë fëmijë që mbetej jetim, e ndarë përdhunshëm nga prindi, po lihej pa kokëçarje në dorë të njerkës!

About Post Author