Ramdan M. Pasmaçiu:Profesor Estrefi


Profesor Estrefi

t reg i m

Nga Ramdan M. Pasmaçiu

Atë e kisha komshi prej disa vjetësh, por nuk e njihja mirë, se ishte tip i mbyllur, që shikonte veç punën e vet. Nuk kishim as hyrje e dalje. Shiheshim vetëm në udhë, ose takoheshim pasditeve nëpër radhët e dyqaneve. Përshëndetnim njëri – tjetrin me respekt, si unë, si ai, e kurrgjë më. Nuk shkëmbenim fjalë. Se, edhe pse qeshë prej natyre njeri i afruar, s’guxoja as t’i bëja ndonjë pyetje sa për të hapur muhabet, kur të dy, puq e puq, prisnim me orë të tëra të merrnim bukë ose nga dhjetë vezë. Nga ta dija! Mbase s’donte. Po edhe se ishte rreth njëzet vjet më i madh. I takonte atij, pra, ta hidhte i pari këtë hap e jo mua. Ndaj kishim mbetur te një “mirëmëngjes!”, një “mirëmbrëma!”, a “mirupafshim!” Dhe s’kishim kaluar ende te një “si jeni?”, apo “si i keni nga shtëpia?”. E, prapëseprapë, përshtypja ime për atë nuk qe e keqe, si për disa që bënin zhurmë radhëve nëpër dyqane, gjer edhe shakara pa kripë e të pahijshme me turlilloj fjalësh të ulëta. Ose, si për disa, që kur të takonin, hiqeshin të përzemërt, të buzëqeshnin, të puthnin në të dyja faqet, të pyesnin e të stërpyesnin edhe për shëndetin e gjyshit, që s’e kishe, e vetëm pas pak, ç’nuk grinin për ty, sapo ndeshnin më tej me një tjetër! Jo, jo! Përshtypja ime për atë, përkundrazi, ishte e kënaqshme. Se, në fund të fundit, qe njeri i rregullt, i paraqitshëm, i veshur thjesht, pastër e bukur, familjar, i heshtur, që s’i binte kujt më qafë, po edhe me preokupime, domosdo. Megjithëqë i kishte lënë pas me kohë të pesëdhjetat, qe me dy fëmijë të vegjël, ende nxënës në tetëvjeçare.

Dija që jepte letërsinë diku në një shkollë të mesme në Tiranë. Njëri që banonte në një pallat me të, se si ra fjala një ditë, më tha se ligjëronte si bilbili në mësim, i linte nxënësit pa mend. Dhe ata e adhuronin. Më tha se qenkësh me kulturë të gjerë dhe se italishten e frëngjishten i fliste si shqipen. Kësisoj, nisa ta admiroja dhe, ç’është e vërteta, kisha qejf të afrohesha disi më tepër me të, t’ia dëgjoja zërin më të plotë, në një dialog më të gjatë. Dhe rasti e pruri pas ndonjë viti e gjysmë e pikërisht në radhën e bukës. Më tregoi se kishte dalë në pension qysh para dy muajve. E urova, por nuk ma mirëpriti urimin. Më ktheu një “falemnderit!” të thjeshtë dhe psherëtiu. Pastaj, si u ngrys disi, më tha se i kishte mbyllur derën pensioni. Me vështirësi të mëdha i përballonte nevojat e familjes, se i qenë shkurtuar afro tre mijë lekë në të ardhurat mujore. Dhe m’u ankua se çuditej që ish pensionist në një kohë, kur kishte aq forca për të vazhduar punën. Pesëdhjetë e gjashtë vjeç dhe të trajtohej si plak! Ironi e jetës! Po përpiqej mos gjente ndonjë punë me orar të reduktuar, lejohej, dhe mund të paguhej me një shumë që të mos e kalonte plotësimin e rrogës që kishte pasur. Po ai pranonte t’i jepnin edhe më pak. Sa pa gjë fare! M’u lut të kujdesesha edhe unë, mos dija ndonjë institucion, ku mund ta rekomandoja të shkonte e të pyeste. I dhashë fjalën se do ta kisha në mendje problemin e tij, do të përpiqesha të bëja diçka. Dhe, për çudi, sapo arrita në shtëpi, thashë me vete se nuk do të ishte keq ta merrja ndihmës në punën time. Ndihmësi nuk hynte në organikë. Pra, ndoshta nuk do të kishin kundërshtim. Dhe ashtu ndodhi. Ma dhanë pa hezituar. Sa u gëzova! Profesor Estrefi ishte ai që vërtet më duhej. Me letërsi qe marrë tërë jetën. I aftë, me siguri, të redaktonte me të parën, gjersa kish korrigjuar mijëra e mijëra hartime nxënësish. Po mund të dinte edhe makinën e shkrimit! Apo s’kishte edhe biçikletë për vajtje e ardhje në shtypshkronjë! Po, po! Ai ishte që më duhej. Profesor Estrefi! Eh, sa punë të tjera do të më bënte! Dhe do të më lehtësonte  shumë.

…Dola nga zyra e u nisa ta lajmëroja menjëherë. E ndesha ballë për ballë te një rrugicë afër furrës së pjekjes, me një tavë me speca të mbushura në duar.

– Tungjatjeta, profesor!  – Ma ktheu përshëndetjen me buzëqeshje dhe bëri të ecte më tej. – Kisha diçka për të biseduar me ju! – i thashë.

– Posi, jo! Me kënaqësi! A mund të më prisni pak, sa të çoj tavën në furrë, se është vonë dhe bën vaki të mos ma pranojnë?

– Ju pres, si nuk ju pres!

Ai nxitoi, unë ndeza një cigare. Pa e thithur ende as dy herë, ia mbërriti. 

– Urdhëroni! Me se mund t’ju shërbej?

– Pikërisht aty është fjala, – buzëqesha, – se dua të më shërbeni, nëse jeni dakord!

– Ç’është ajo! – ma priti. – Në çast jam në dispozicionin tuaj!

I tregova se ia kisha gjetur një vend pune për plotësim rroge. Atij i ndërroi fytyra, iu mbush me gjak, veç fryma iu mbajt paksa e u hutua.

– Ta besoj? – më pyeti me zë të dredhur, si të trembej se mos i thosha: “Bëra shaka!”

– Patjetër! Pra, nesër në orën nëntë në zyrën time! Do të punoni me mua! Do të jeni ndihmësi im!

Ai u tërhoq një hap pas.

– Po kjo është kaq e papritur! S’di si t’ju falënderoj!

Në mëngjesin e së nesërmes erdhi tek unë para kohe. E prita ngrohtë. Ishte pak si i ndrydhur.

– Nuk di në do ta justifikoj veten! – më tha.

Qesha e i hodha dorën mbi sup.

– Me siguri! – ia ktheva. – S’bëjmë filozofira këtu. Me gjëra të thjeshta merremi! – Dhe e pyeta në e përdorte makinën e shkrimit.

– Jo, – m’u përgjigj, – për fat të keq, por mund ta mësoj, po ta lypë nevoja!

– E, mirë është ta mësoni! Veç, së pari, ju njoftoj se do të punoni nga tri orë në ditë, nëntë deri në dymbëdhjetë, në rregull?

– Plotësisht! Kështu kam mundësi ta çoj tavën në furrë, por edhe ta marr kur të piqet. Se, që ta dini, pothuaj çdo ditë bëj ndonjë tavë të vogël me ç’gjej në pazar. Herë me patate, herë me bamje, me patëllxhanë, bishtaja, apo qepë të njoma, miell e spec të kuq, dhe një çikë mish. Ka jo veç shije, po edhe leverdi tava, nuk kërkon tepër shpenzime dhe na mbledh të gjithëve. Por, në orën dymbëdhjetë  mund të shkoj edhe për bukën. Atëherë vjen ajo, e ngrohtë valë. – Ai çmbështolli diçka që kish nën sqetull dhe unë pashë një trastë rrobe me dy vegsha.  – Ja, ku e kam “kaçilen”! – më tha duke qeshur. – Edhe kur s’kisha dalë ende në pension, e merrja çdo mëngjes me vete në çantë. Dhe kur largohesha nga shkolla, e më pas nga zyra, rrugën për në shtëpi e bëja më këmbë e i zija dyqanet me radhë. Kur je krah i vetëm, s’ke si bën ndryshe!

– Shumë mirë! – ia ktheva. – Sa të jeni këtu, për këto s’do të pengoheni!

– Ju falemnderit!”

I tregova se ç’kërkoja prej tij. Sa të vinte, do të hapte postën dhe do t’i regjistronte bashkëpunimet veçmas, sipas gjinisë, prozën më vete e poezinë më vete. Nuk do të ishte keq t’u hidhte ndonjë sy dhe të ndante ato shkrime, që do t’i dukeshin të vlefshëm. Në mundej, le të redaktonte ndonjërin. Nëse jo, s’prishte punë. Me redaktimet do të merresha vetë. Një herë në muaj një kopje të materialeve, që do të bëja gati, do ta çonte në shtypshkronjë dhe një tjetër te piktorët e jashtëm për ilustrim…

Ai mbante shënime për të gjitha ç’i thoshja, duke pohuar çast më çast me kokë.

Në fund i thashë që gjysmë ore në ditë ta kalonte pranë makinës së shkrimit për ta mësuar.

– Këto janë të tëra. Po të kesh ndonjë pyetje…

– Po, – më tha, – sot me se do të merrem?

– Dita e parë është. Sapo shkelët këtu. Edhe mund të shkoni. S’ka rëndësi!

– Jo, jo!

Atëherë, i caktova tryezën që do të ishte e tij, karrigen… I dhashë dosje, fletore të reja, vizore e lapsa, fshirëse. Një kuti gjilpëra me kokë, kapëse… Filloi aty për aty të pastronte sirtarët me qejf. U shtroi letër të pastër, vendosi bukur ç’i kisha dhënë, ndërsa trastën e psonisjeve e futi në sirtarin e majtë. Vështroi gjithçka me ëndje e, si për t’u çlodhur, u mbështet me duar sipër tryezës. Pastaj mori zarfat e asaj dite, i hapi dhe  ndau shkrimet.  Nuk vonoi e ia nisi me leximin. Seç shënonte në cep të faqeve të para. U ngrita të shihja. Dhe qesha sakaq. Diku: “Mjaftueshëm!”, ”Keq!” Ose: “Shumë keq!”, “Mirë!”…

– Jo kështu, profesor! Jo si një kuptim mbi vlerën e notës në detyrat e shtëpisë, por si në hartimet, me perifraza, ose edhe më gjatë. Duke treguar, te proza për shembull, në kemi të bëjmë apo jo me një tregim ose përrallë, siç pretendon autori. Është apo jo me vlera artistike e edukative. Ç’temë trajton dhe a i përket botës së fëmijëve. Gjuha e përdorur, është ose jo në përshtatje me moshën. Pra, gjëra të tilla. Dhe, në përfundim të shënoni nëse vlen të redaktohet, pra, nëse paraqit interesa për botim. Po s’ka gjë! Me kohë do t’i mësoni këto. Tani sa futët këmbët. Mjaft për sot! 

– Sikur të provoj pak edhe makinën e shkrimit!

U ul pranë makinës. Kuptova se ishte e para herë për të. Që të kalonte nga njëra shkronjë në tjetrën, i duhej më se një minutë! Ngulej me syzet puqur me tastjerën, lëshonte befas një “ah, të gjeta!” dhe “çëk!” me gishtin tregues! “Çëk!… çëk!” Ishte vërtet diçka torturuese për mua, diçka që s’e kisha ndjerë herë tjetër. Si një çekiç i metaltë në rrëzë të veshit. Megjithatë, s’i rashë në sy.

Pas ndonja gjysmë ore i thashë se qe gabim të ngulej për ta mësuar makinën që atë ditë. Si fillim, le të mjaftohej me aq. Profesori, tashmë i  djersitur keq, ish në një zor të madh, si i mbërthyer në ganxha. Sapo më dëgjoi, “mirë” m’u përgjigj, fshiu ballin me shami dhe u ngrit.

– Jeni i lirë! Mund të shkoni! Nesër në mëngjes, më nëntë, prapë këtu!

– Mirupafshim! – Doli, por u kthye sakaq. – Harrova “kaçilen”! – E mori, por nuk u ngut të dilte. U kthye nga unë dhe shqiptoi me zë ca më të ulët e i mërzitur: – Sot s’bëra gjë! Asgjë s’bëra!

Ai sikur kishte frikë se mos isha penduar e i çoja fjalë në shtëpi të mos vinte më. Që ta qetësoja, i dhashë një palë çelësa të zyrës. U mbush me frymë. I ndriti fytyra. I futi në xhep si diçka me shumë vlerë dhe u largua i çliruar.

Në ditët që rrodhën hoqa dorë nga disa kërkesa ndaj profesor Estrefit. Makinën e shkrimit nuk ia detyrova ta mësonte. Bashkëpunimet që na vinin vetëm t’i regjistronte, të mos u bënte asnjë shënim, pra, të mos i lexonte fare. Të çonte materialet për ilustrim te piktorët dhe të vente e të vinte nga shtypshkronja kur duhej, sipas porosisë sime. Kaq. Hë, po! Si për t’i rritur prestigjin, e ngarkova të mbante edhe proces – verbalet e mbledhjeve të kolegjiumit, por edhe të mund të provonte vetë ndonjë krijim sado të vogël, gjë që nuk besoja ta kishte edhe aq të vështirë e për të cilin do të shpërblehej me honorare. Dhe ai sikur i mirëpriti këto, se i jepej mundësia të ishte mjaft kohë jashtë. Kësisoj, mund të shkonte edhe nëpër dyqane të psoniste për shtëpinë.

Më pas u binda se ishte një kaçator i vërtetë. I prerë për punë lart – poshtë dhe korrekt. Ia hipte biçikletës, një biçiklete të vjetër gjer në keqardhje, dhe rrëk – zhdrëk këtu, rrëk – zhdrëk atje, thoni ç’të doni, por dalëngadalë të zhdukej nga sytë dhe mbërrinte tek e kishe dërguar. I çonte materialet në shtypshkronjë, që ishte aq larg, thuajse në rrëzë të Dajtit, i çonte te piktorët nëpër ndërmarrjet tek punonin, dhe kthehej i gëzuar, i lehtësuar.

– I çova!

– Ju lumtë, profesor! U lodhët?

– Jo, aspak! 

– Bukur! Kaq desha nga ju sot. Shkoni e vazhdoni punët tuaja!

– Po s’ka vajtur ora!

– Lëreni orën! Atë e di unë! Shkoni!

Herë kthehej nga shtypshkronja me një pako pluhur rrobash në trastën e psonisjeve, që s’e ndante kurrë nga dora.

– Kur po vija për këtej, – më thosh, – pashë kallaballëk te një barake, u vura në radhë dhe…

Ose hynte në zyrë, si u kishte ndarë piktorëve ç’do të ilustronin, me një kartë vezë.

– Kishin dalë te Pazari i Ri. Përfitova nga rasti, zura radhën dhe kësisoj…

Një ditë vinte me një kile spinaq, një ditë me një gjysmë kile qepë të thata, një ditë me pesë – gjashtë kokrra portokalle…

– Rrallë dalin të tilla, ndaj iu ngula radhës dhe ia dola në krye! – Ma linte një mbi tryezë. – Hajeni menjëherë, se është shumë e ëmbël! – më nxiste duke ngrënë edhe vetë një. Pastaj më pyeste: – Kam gjë tjetër për të çuar apo për të marrë kund?

Kurrë s’thoshte në kishte për të bërë ndonjë punë aty. Me punët e zyrave, dukej, kishte arritur superngopjen.

– Jo, jo, asgjë!.Shkoni! 

– Mirë, po shkoj, se m’u vonë edhe për tavën!

Njëherë, s’do ta harroj kurrë, po vonohej shumë të kthehej nga jashtë. Megjithatë, nuk po shqetësohesha. Qeshë i sigurt. Do ta kishte kryer punën që i kisha dhënë dhe do të qe zhytur në ndonjë radhë. Mbase kishin dalë kremviçe ose sallam, patate… Erdhi aty nga ora dymbëdhjetë e gjysmë. I verdhë dyllë, ujë në djersë. Mezi sa mbahej më këmbë. Nuk fliste dot. I qenë qepur buzët. Zgjati dorën, u mbështet te tryeza, u ul gjunjëthyer në karrige.

– Profesor, ç’është!? – e pyeta me rrëmbim e u sula drejt tij. Më vështroi syshqyer, sikur ndrydhte përbrenda një tmerr. I dridheshin duart. – Ç’bëni kështu!? Çfarë ju ka ndodhur!?

Nuk m’u përgjigj. Dola nga zyra shpejt e i solla një gotë ujë. Ia afrova ta pinte, po ai vetëm sa thithi një gllenjkë. I laga kyçet e duarve, qafën, ballin. I shkrytha damarët e zverkut. I dhashë një cigare dhe ia ndeza me nxitim.

– Pijeni, se j mbledh! Dhe flisni, ju lutem, flisni! Si është puna?

– Më… më… vodhën biçikletën në radhën e peshkut! – mezi sa tha e prapë u pre. U qetësova në çast.  Kujtova se ç’kish pësuar! E ç’ishte, tek e fundit, vjedhja e biçikletës! E asaj “së bukure” biçiklete, një rrëke për t’u flakur!

– Aman, profesor, – i thashë, – prandaj qenkeni bërë kështu!? Në djall të vejë biçikleta! Ju të jeni me shëndet!

– Ashtu, ashtu, por më mbante gjallë. Më mbaronte punë. E kisha që tridhjetë vjet të shkuara. Ku të gjej tjetër? Le që nëpër dyqane s’ka, po edhe të ketë, s’e ble dot!

– Hajt, ju mori të keqen, profesor! Dhe mblidheni veten!

– Unë me atë e kisha shpirtin! – ma ktheu dhe bëri të ngrihej duke ofsharë.

– Ku shkoni? Uluni, qetësohuni edhe pak!

– Jo, se jam vonë! Më mbeti tava në furrë! – Sa doli, hyri prapë. – Në shtypshkronjë vajta! – më tha. – Gati ishte revista. Nesër do t’ju sjell kopjet për të lëshuar lejen e qarkullimit.

– Mirë, profesor, mirë, rrofshi!

Pas disa ditësh thirra një fotoreporter dhe i kërkova të më bënte një fotoreportazh në një kopsht fëmijësh parashkollorë. Profesorin e ngarkova që ta shoqëronte dhe që të shkruante tekstin, për të cilin do ta ndihmoja edhe vetë. Do t’i paguaja edhe honoraret, jo veç pse i takonin, po edhe që të mblidhte diçka, sa për të blerë një tjetër biçikletë të përdorur.

Shkuan të dy me qejf. Dhe ia arritën. Fotot qenë të pastra e artistike. Ato paraqisnin çaste domethënëse nga jeta e fëmijëve. Veç edhe teksti i profesor Estrefit, ndonëse pak i gjatë, nuk qe i keq. M’u desh ta shkurtoja e redaktoja pak. Profesori përfitoi prej fotoreportazhit më shumë se një e treta e lekëve që merrte në muaj prej redaksisë, se ia shpërbleva sipas paragrafit “për vlera të veçanta”. Iu duk çudi e madhe. Dhe sa u gëzua!

– E shihni, – i thashë, – që po të bëni edhe nja dy sulme të tjerë si ky, mund ta blini prapë biçikletën që kishit! 

– Po, po! – m’u përgjigj i qeshur. – Ju e keni në dorë! 

– Atëherë, jeni gati ta përsërisni reportazhin javën tjetër në Shkodër, që ta kemi për numrin e ardhshëm? Të gjitha shpenzimet jua heq redaksia!

– Una brilante idea!” – foli për herë të parë italisht e i entusiazmuar. Por, duket ishte diçka që i rrëshqiti padashur. Më kërkoi falje sakaq dhe shtoi që pranonte me gjithë qejf, se kishte njëzet vjet, në mos më shumë, pa e parë Shkodrën. 

Bëra një shaka të vogël:

– Po si do t’ia bëni me tavën, me bukën, me radhët?

– Kohë e shkurtër është. Le t’i mbeten përsipër bashkëshortes! – ma ktheu buzagaz. Ai nuk përdorte fjalën grua për të shoqen. I dukej fyese.

Nga Shkodra u kthye i freskët, i përtëritur. Puna rutinë në aq vite, mbyllur në muret e shkollës e më pas në administratë, ish e qartë, e kishte shtypur.

– Sikur të më dërgonit edhe një herë në Elbasan, – më tha, – s’do t’ju kërkoja gjë më! Kam njerëzit e mi atje, kam shoqërinë e vjetër…

– Mori fund! – iu përgjigja. – Të  shkoni dhe të organizoni një konsultë me bashkëpunëtorët tanë mësues, letrarë, edukatore kopshtesh… Nejse! Do t’ju jap udhëzime para se të niseni!

Ai sa s’fluturoi. Prapë i shpëtoi diçka italisht:

– E un vero miracolo! – Pastaj buzëqeshi si fëmijë i zënë në faj.

Kur u kthye edhe nga Elbasani, ç’ta shihje! Ndrinte i tëri. Pra, vërtet e paskësh dërrmuar puna rutinë! Këtë e vërejta edhe më mirë më pas, kur s’kisha ku ta dërgoja e kur duhej të rrinte në zyrë. Mpihej i heshtur, ulur në karrige, me “kaçilen” sipër tryezës. Lëvizte për një kohë buzët, sikur diç thoshte me vete, dhe dremiste. S’bënte asgjë tjetër. Po edhe unë pata hequr dorë nga çdo kërkesë për punë brenda. E, prapëseprapë, isha i kënaqur prej tij, shumë i kënaqur. Më kishte lehtësuar nga tërë ato ecejake nëpër rrugë, sa andej – këtej. Më pati dhënë mundësi të merresha me punë konkrete. Se tashmë me lekët e honorareve kish blerë një biçikletë tjetër, ndonëse edhe ajo rrëke si e para.

Kur s’kisha ku ta dërgoja, qëndronte brenda si i lidhur me zinxhirë. E mbaja aty sa për sy të botës. E lija të dremitej, pa e trazuar, një orë a pak më shumë, dhe i thoshja papritur se ishte i lirë, mund të shkonte. Sikur zgjidhej. Rrëshqiste shpejt jashtë dhe përshëndetjen ma jepte nga pragu i derës. As që më thosh më se s’kish vajtur ende ora. Veç një ditë, kur vetë isha zhytur në redaktim e ai heshtte symbyllur, vura re mbi tryezën e tij një mishmash që s’rrëfehet. Pse nuk kujtohej të vinte rregull sado pak!? Më shtyti dreqi dhe i thashë:

– Profesor…

Ai u zgjua e u shkund:

– Urdhëroni!

– Në rast se mundeni, hiqini ato dosjet prej aty e vendosini në dollap!

– Si thatë, ju lutem? T’i heq këto dosjet prej këtu e t’i vendos në dollap, në rast se mundem? Po si s’mundem! Ju shumë mirë thatë. Këto dosje, është e drejtë, duhen hequr prej këtu e duhen vendosur në dollap! Qysh nuk e kuptova edhe vetë që këto dosje s’kanë përse të lihen mbi tryezë, por duhen vënë në dollap!?

Pas pak, ia nisi rishtas:

– I vura dosjet në dollap!

Ngrita për një çast kokën.

– Mirë fort! – i thashë.

– Sa bukur duken dosjet në dollap! Pa shikojini! A nuk duken vërtet bukur dosjet në dollap? – Më tërhoqi lehtas për mënge. – Shikojini, shikojini!

– Po, po! Bukur duken! – Dhe vazhdova të redaktoja.

Ai tanimë sodiste tryezën dhe thoshte si me vete:

“Ja, edhe tryeza u lirua! Si nuk e kuptova se ato dosje ishin për t’u hequr që aty e duheshin vënë në dollap!”

Unë bëja sikur s’e dëgjoja. Atëherë profesori më preku bërrylin.

– Më falni që ju trazoj, por çuditem si nuk e vura re që më parë se ato dosje qenë për t’u hequr e për t’u vënë në dollap!

Po më vinte për të qeshur.

– S’ka gjë, s’ka gjë! – ia prita shkurt, i përmbajtur dhe pa e ngritur kokën.

– A t’i vë edhe ata regjistrat në dollap? Edhe ata sikur s’janë mirë mbi tryezë! Mendoj se duhen vënë në dollap!

E lashë punën dhe e shikova në sy me vëmendje. Asgjë të veçantë s’kishte, që të dyshoja e të trembesha për të.

– Jo! – ia ktheva. – Mos vini tjetër gjë në dollap!

Por ai i mori, e tek iu drejtua dollapit, ata i rrëshqitën për duarsh në dyshemé. U shqetësua e u përkul me ngut. I mblodhi me duar të dridhura dhe m’u kthye sërish:

– Duheshin vënë që më parë këta regjistra në dollap! Më dëgjoni, apo jo?

Nënqesha pa ia ndarë sytë dhe iu përgjigja:

– Po, po! Ju dëgjoj! Mirë po bëni! Veç, mjaft për sot! Shkoni tani, shkoni! Jeni i lirë!

Buzëqeshi si ngaherë dhe rrëshqiti për dere.

– Mirupafshim!

Më erdhi keq për profesor Estrefin. Fillova të mendoja për moshën e daljes në pension. Fillova të kujtoja aq e aq diskutime rreth saj. A ishte e saktë në gjashtëdhjetë vjeç dhe për mësuesit në pesëdhjetë e pesë? E, pra, tashmë s’qeshë më i pari. Afrimi me profesorin më kishte qartësuar. Dija të flisja, madjé me kompetencë. Gjetkë qenkësh problemi! Jo tek mosha, por… tek jeta si bëhej.

17 korrik, 1995

About Post Author