Reflektim rreth librit me titull “Këshilluesi gjuhësor”, me autor Muhamet Cenkon-Nga Bashkim Saliasi


Nga Bashkim Saliasi

Fundi i muajit shkurt.

Një telefonatë në orët e mbrëmjes nga miku im Viron Kona më bëri me dije se të nesërmen do të takohej me mikun tonë Muhamet Cenko.

– Eja dhe ti, Bashkim se edhe Meti ka shprehur dëshirën të të takojë.

-Do të vij patjetër, nesër në takim me gjuhëtarin Muhamet Cenko, sepse u bë kohë që nuk jemi takuar, – bëra me dije mikun tim Viron Kona.

Të nesërmen rreth orës 9.00 u takuam në rrugën “Myslym Shyri”. Miku im Muhamet Cenko më dhuroi librin e tij me titull “Këshilluesi gjuhësor”. E urova për botimin e librit me vlerë që më bëri dhuratë. Libri është redaktuar nga shkrimtari Viron Kona. Botimi i këtij libri është një vlerë e shtuar për gjuhën shqipe, për ata që kanë dëshirën e mirë për të shkruar bukur dhe pa gabime gjuhën tonë.

Në analizën që i bën librit të porsabotuar shkrimtari Viron Kona thekson: “Në këtë atmosferë Muhamet Cenkoja sjell te lexuesi librin e tij “Këshilluesi gjuhësor” me të cilin afirmohet si një intelektual dhe qytetar atdhetar e i vëmendshëm, që reagon ndaj vërshimit të gabimeve të shumta drejtshkrimore, që cënojnë sot gjuhën letrare shqipe të njësuar. Nëpërmjet këtij libri ai përpiqet të ndikojë dhe të na këshillojë me modesti se si të shkruhet shqip sa më mirë, sa më qartë, kuptueshëm dhe pa gabime drejtshkrimore. Duke shkruar për fjalët, shprehjet apo tekstet e shkruara gabim, ai këshillon ndreqjen dhe korrigjimin e tyre, duke ia arritur të na bëjë më të ndjeshëm, më të interesuar dhe më aktivë në mbrojtjen e gjuhës shqipe standarde”.

Porsa e merr në dorë librin, ndien sikur gjuhës sonë të bukur i është bërë një dhuratë me vlerë të çmuar për mësuesit, nxënësit e shkollave 9-vjeçare e të mesme dhe për studentët. Ai të ndihmon të mos gabosh, por të lëvrosh bukur gjuhën tonë të ëmbël.

Në tavolinën e punës, pranë kompjuterit, mbaj vazhdimisht botimin e vitit 1973 “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, të hartuar nga Akademia e Shkencave, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë dhe me dhuratën e botuesit Muhamet Cenko të librit të tij “Këshilluesi gjuhësor”, u bënë dy që hera-herës të këshillohem me ta për fjalët e paqarta në drejtshkrimin e fjalëve që nuk jam i bindur për kuptimin që shprehin. Në botimin e “Drejtshkrimit të gjuhës shqipe” pikësëpari jepen disa parime të përgjithshme, të cilat do t’i trajtoj shkurtimisht për të sjellë vlerat që ka çdo botim i mëparshëm dhe ky i sotmi me autor Muhamet Cenkon. Jeta është në zhvillim dhe evolucioni ndihet edhe në drejtshkrimin e gjuhës shqipe dhe pasurimin e saj me fjalë të reja.

“Drejtshkrimi i njësuar i gjuhës shqipe është shprehje e kristalizimit të normës letrare kombëtare në të gjitha hallkat kryesore të strukturës fonetike, gramatikore, fjalëformuese e leksikore” (aqja 35, “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, botimi i vitit 1973. Në analogji me këtë frazë po sjell fjalët e autorit Muhamet Cenko, ku shkruan: Qëllimi i krijimit të kësaj faqeje (të hapur në internet) ka qenë, si më poshtë: t’u vijë në ndihmë të gjithë atyre që janë të interesuar për të përvetësuar me vetëdije normat e gjuhës letrare kombëtare shqipe apo që kanë shqipen standarde mjetin kryesor të shprehjes publike, si: gazetarëve, politikanëve, krijuesve, mësuesve, redaktorëve gjuhësorë etj.

Mendimi im është se askush nuk mund të pretendojë se e njeh mirë drejtshkrimin e gjuhës shqipe, por për të është e nevojshme të këshillohemi me fjalorët e gjuhës shqipe, rezultate të punës së njerëzve të specializuar në këtë fushë studimi, standardin e gjuhës shqipe.

E shfletova ngadalë dhe me laps në dorë duke nënvizuar pjesë nga libri që më nevojiten gjatë punimit të teksteve të shkruara në kompjuter.

Me të drejtë autori në hyrje të librit sugjeron: Kemi trajtuar në të jo vetëm probleme drejtshkrimore, por edhe probleme morfologjike, sintaksore, të fjalëformimit dhe të pasurimit e pastrimit të gjuhës shqipe.

Autori thekson se ka rënie të standardit gjuhësor duke nisur nga shkolla, mediet e shkruara, por edhe ato elektronike (audiovizive), zyrat e administratës etj. Duke iu referuar shkrimit të autorit më erdhi në kujtesë hartimi dhe përpilimi i këndeve të klasës, të cilat ne mësuesit që punuam para viteve ‘90  këto kënde i përgatisnim në bashkëpunim me piktorët që merreshin me këtë punë dhe ishin të specializuar në drejtshkrim.

Me të drejtë autori në botimin e tij thekson se sot ka një lloj shpërfilljeje të madhe ndaj gjuhës sonë të folur e të shkruar…. E më tej vazhdon: Njerëzit që shkruajnë tabelat, posterat, reklamat etj., duhet të jenë specialistë të gjuhës shqipe e të përdorin mirë standardin e shkrimit të saj.

Ajo që bie në sy në këtë libër është se Cenkoja studimin e tij e ka përqendruar në një punim të thelluar dhe me shembuj konkretë ka ilustruar çdo faqe të tij. Me të drejtë autori merr në analizë togfjalëshin që në muajin shtator kur hapen shkollat në ballinën e hyrjes shkruhet parulla Mirë se vini. Në shumë shkolla kjo parullë shkruhet bashkë, por autori na këshillon se sipas rregullave të drejtshkrimit kjo duhet të shkruhet e ndarë dhe jo bashkë. Nuk dua të bëj analizë të thelluar dhe të zbërthej materialin, por në këtë shkrim dua të jap një hapësirë për njohje të studimit dhe vlerat që ka ky studim i realizuar me mjeshtëri nga gjuhëtari Muhamet Cenko. Është një libër që krahas fjalorëve e botimeve për gjuhën të Akademisë së Shkencave të zërë një vend në bibliotekat e njerëzve që merren me letrat shqipe dhe të shfletohet, kur lind nevoja. Libri ka vlera të shumëfishta, sepse autori, i pajisur me kulturën e duhur gjuhësore, me shembuj konkretë na sjell të freskët reagimin e tij ndaj parregullsive që po vihen re pas viteve ’90 në shkrimin e gjuhës së bukur.

shqipe. Në të gjitha rubrikat që ka marrë në analizë e ka trajtuar autori na sjell shembuj konkretë dhe na tregon përdorimin e tyre, tregues ky mjaft cilësor që i jep vlerë librit të tij.

Një meritë të veçantë në hartimin e këtij libri për mendimin tim Cenkoja ka se në ilustrimin e shembujve që përdor është bazuar në jetën e përditshme dhe në studimin e thelluar të gjuhës shqipe për të ndihmuar sadopak në kulturën drejtshkrimore të gjuhës shqipe që sidomos në rrjetet sociale të përdorur jo vetëm nga të rinjtë, por edhe nga moshat madhore shkruajnë me gabime drejtshkrimore dhe nuk tregojnë kujdes edhe në portalet e postuara, sidomos në faqen e facebookut.

Nga këndvështrimi im rregullat gjuhësore mësohen që në bankat e shkollës dhe këtu duhet të mëshohet që mësuesit që japin mësim në ciklet fillore, në ato nëntëvjeçare e të mesme të bëjnë kujdes për shkrimin dhe shqiptimin bukur të fjalës shqipe. Mendoj se ky botim i autorit Muhamet Cenko është i duhur për t’u marrë në konsideratë nga Ministria e Arsimit për shpërndarjen e tij nëpër biblotekat e shkollave nëntëvjeçare dhe të mesme. Botimi i këtij libri i bën nder çdo biblioteke të lexuesve dhe dashamirësve të gjuhës shqipe të lexuar dhe të shkruar.

I uroj suksese autorit dhe me botime të tjera me vlera gjuhësore, nevojë e kombit tonë.