Rekuiem i të gjallit-Kristo Çipa


( Mesha e ç’robërimit)

S’kam më gjak veç amanete

Vargje dhe këngë në çdo qelizë

Roj karakoll, këtu mbi dete

Fryn një Garbi të çpon si shtizë

Prift Negovani ka ndez qirinjtë

Rrëmbej një shpresë nëpër furtunë

Shpirtrat e shitur kohën kafshojnë

Një lot i hidhur në gjoks mu ngul

-Jam i mohuar në këngë e shkronjë!

-Jam i verbuar në flokë e thonjë!

Trupi dhe syri, dorë e munduar

Në vals vasali kërcejnë pa ritëm

Në pranga paresh janë “ arestuar”

Fijet e xhanit janë bërë si fibër

Nuk ka më stinë, gjithë vitet, dimër

Vjen një kambanë nga manastiri

Në katakombe të dheut amë

Midis stuhirash një flakë qiriri

Pse ndrit më fort se shumë shandanë?

Më thotë At Noli:-Janë etrit tanë!

Nuk kam më gjak , veç amanete

Përmidis Jonit dhe Çikës kult

Dritën mbi supe, terrin nën vete

Kumbim kambane nga gjuha tund

Dhe kur jam vetëm, mohimin mund!