Rend pas imazhit tënd-Llesh Gjoka


Llesh Gjoka

REND PAS IMAZHIT TËND

S’e di ç’po ngjan me mua

U bëra erë, shpirt që fryn

Gjithçka bëj është lëvizje.

Pragu është nisja,

mbërritja është fillimi

duke rendur pas teje.

Shenjat janë të zjarrta, ngjajnë me yjet

Ushqimi im është ajër,

ndjenja është e shkrifët

Një helikë më rrotullon brenda vetes

Dhe prapë,

më duhet të të mbërrij në tjetër cak.

Mjafton të kem një dritë që më thërret,

që më tundon në pakohë

Ajo je ti,

e kamufluar, në një zhguall përbindshi,

e zgjyrtë, në një shëmbëlltyrë të maskuar

Atje,

në vendin e papërcaktuar,

që lëviz,

nga njëri skaj

në skajin tjetër të globit.

I dënuar pa faj jam

Atlet i një ëndërre fluente

Kuturisur me barrën që dhemb

Me destinin që trishton

dhe muret e kalasë i shemb.

E shoh, më duhet të të zhvesh,

më duhet të të ul në tokë

Të të ngadalësoj ritmin,

që të mos bëhesh plagë,

që të mos bëhesh zemrek i munguar

në zemrën time.

Rend, rend,

më duhet të rend pas teje

Derisa fir të bëhet jeta ime.