Revolta Spaç-Agim Xh. Dëshnica



Poezi në kujtim e nderim të Revoltës në Kampin e Spaçit 21 22 maj 1973

Agim Xh. Dëshnica


Migjen,  Migjen
tek prehesh lart
mes  yjeve  të  artë
a  t’shkon  kund ndër mend
në meditimin tënd
dhunim e poshtërim,
që ç’mend, si ky mjerim?
 
Ku jeta hiqet zvarrë, pa gjurmë, pa mbresë,
edhe Sizifi do të shembej nën ngarkesë;
ku  veç një qen i shoqëron si mik, si qengj e zogu në frengji, këndon si shenjtë
e uji i pakët, qan
e  sy e buzë u lanë.
 
Mos grisej  re e zymtë, sipër majë më majë e copë e pakët qielli, zbriste  në ferrin  Spaç,
me erën dhe mendimin, kalonte hendekë e boka,
përroin – rrjedhë gjaku, ku jeta tretej nëpër gropa;
mbi kulla karakollësh, pushonte e priste në pragje, trokiste në porta lehtë, nga gjumi zgjonte të lodhur, me pak fjalë, të vdekur e të gjallë,
e gjaku vlonte në tru , në zemër e në krah,
ringjallja merrte vendim ne muzg e zbardhëllim.,
Dëgjohen zëra:, Liri!
Mjaftë më! Në këmbë! Drejtësi!
Sfilitur, skllevër, por djem të mirë,
kur s’dimë u ngrys apo ka gdhirë.
S’durohet më, tmerr, skëterrë-minierë,
vagon mundimesh
qysqi e plagë, kazmë e lopatë,
vare  e rëndë, vdekje e mandatë,
afsh vullkanesh  në çdo skutë;
në ditë pa dritë, helm e  gas i mrytë;
me gjakun tonë-normë mizore,
tunel e  terr  e shpellë mortore
e jashtë na pret, ndëshkim, kërbaç,
e brenda burgut qeli, litar,
O  Spaç, O Spaç, o Spaç!
 
Më këmbë. Flamurin!
Mjaftë më, gazetë e supë e zezë,
përbindësh apelesh në mëngjes,
pa diell, pa qiell,
pa një livadh e hijeshi
e shtigje  qark, për miqësi.
Më këmbë! Lirinë!
Na digjet shpirti  për lule e degë,
na digjet buza  për fjalë e këngë;
për dhomë të qetë e ëndërr e shpresë;
për dasmë me valle, me nuse , dhëndër.
Afër  nënokes kur gatuan,
për lojë vocërakësh tok me gruan;
për një gotë  me babanë,
bisedë me motrën e me vëllanë.
mësime dije, liri!                         
Na presin drita, era e pastër, qiell e tokë. mall, për miq e shokë.
Të dalim rrugësh, në bulevard,
kur moti  ngroh a mali zbardh.
Të shkojmë të lahemi në lumë,
në hije manash të bëjmë zhurmë; .
O ti, o Orë e malit, pse rri e kqyr më kot,
rrudh ballin e menduar, në faqe rrjedhin lot?
Skënderin, Palin, Dervishin, Hajriun;
s’i preu plumbi,
as vdiqën, as humbën.
si diell zgjohen çdo mengjes
me kumtin: Për lirinë kujdes! .Kujdes!