Rezistenca kundër xhonturqve në Ferizaj-Shkruar nga Sami ARIFI

Rezistenca kundër xhonturqve në Ferizaj

Shkruan: Sami ARIFI

Xhavit Pasha, në ditët e para të qershorit të vitit 1909 filloi operacionet në rrethinën e Gjakovës, të Pejës e të Lumës, dogji fshatra të tërë. Për t’i bërë ballë sulmeve ndëshkimore të Xhavit Pashës dhe për t’i realizuar shqiptarët aspiratat përmes kërkesave të tyre u morën vesh përfaqësuesit e krahinave të Malësisë së Gjakovës, Pejës, Ferizajt dhe të Lumës, ata arritën në pëfundim të organizonin mbledhje për të marrë masa për përgatitje të rezistencës së armatosur kundër reaksionit xhonturk. Rreth 6.000 vet u mblodhën në Ferizaj në fund të qershorit që të gjithë të armatosur nga krahinat e Pejës, Gjakovës, Lumës, Prizrenit, Ferizajt. Nga mbledhja e mbajtur në fund të qershorit iu paraqitën këto kërkesa qeverisë turke:

-Të kthehen në detyrat e mëparshme shtetërore të gjithë nëpunësit vendës që ishin larguar nga qeveria xhonturke.

-Në administratën shtetërore dhe në gjyqet të jenë nëpunës shqiptarë.

-Të mos pranohej asnjë tatim i ri përveç atyre që kanë paguar më parë.

-Të hiqet dorë nga mbledhja e armëve të popullsisë së Lumës dhe sejcili të gëzojë të drejtën e mbajtjes së armëve, si më parë.

-Të mos zbatohet ligji i ri për shërbimin ushtarak për këto krahina.

Të gjitha këto kërkesa qeveria xhonturke i hodhi poshtë dhe njëherit kundër këtyre krahinave të përmendura përmes ekspeditave ndëshkimore dogji fshatrat njërin pas tjetrit, prandaj pas kryengritjes në Lumë plasën lëvizje të armatosura në Ferizaj.

Vicekonsulli italian Galanti në Skup në lidhje me këtë revoltë të shqiptarëve shkruante me 20 gusht të vitit 1909 si vijon:

-Kam nderin ta lajmërojë Ekscelencën Tuaj, Ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë në Romë-SH. H. se shqiptarët nga rrethet e Gjilanit dhe të Prishtinës këto ditë kanë mbajtur një mbledhje në Ferizaj që të protestojnë kundër pagesës tatimit, të cilën qeveria xhonturke-Sh.H. ka filluar ta aplikojë edhe në disa provinca shqiptare, të cilat nga regjimi i mëparshëm (regjimi i sulltan Hamitit-Sh. H.) nuk ishin të përfshira.

-Demonstratat nuk do të marrin përmasa të gjera meqë qeveria do të merr masa energjike për shpërndarjen e demonstruesve. Ndërkohë janë dërguar këtu në Ferizaj dy kompani gjuajtëse dhe thonë se do të koncentrohen edhe njësi të tjera ushtarake prej Prishtinës deri në Gjilan.

Sipas raportit të Millan Rakiqit nga Prishtina, më 22 gusht të vitit 1909 kishte ndodhur edhe një përleshje e armatosur në mes ushtrisë dhe popullsisë shqiptare afër Ferizat, ku pas një beteje 12 orëshe, shqiptarët u shpërndanë. Këto përleshje midis ushtrisë turke dhe kryengritësve shqiptarë të trevës së Ferizajt i ndiqte edhe shtypi i kohës në Mal të Zi. Kështu gazeta “Cetinjski vjesnik” e Cetinës i përshkruan këto luftime si vijonë:

-Xhavit Pasha shkoi në Stamboll por u kthye shpejt në Mitrovicë. Kthimin e tij shqiptarët e pritën me rezistencë sikur herave tjera.

Në lidhje me përleshjet e para që ndodhën në Ferizaj lajmërojnë misioni i përsëritshëm i Fuad Pashës, deputet në parlamentin turk:

-Te kryengritësit shqiptarë nuk pati sukses me rrugë paqësore, ushtria sipas urdhrit nga Stambolli përdori armët. Përleshja e parë u zhvillua te Kodra e Kukës në anën e majtë të rrugës Ferizaj-Prizren. Lufta kishte zgjatur dy orë e gjysmë, ku lufta ishte zhvilluar te kisha shqiptare katolike në Ferizaj dhe te xhamia e Ferizajt. Meqë armatimi te shqiptarët ishte jo i mjaftuar ata filluan të tërhiqeshin nga fshatrat Dramjak, Petrovë dhe Muhovc, ushtria turke i mori këto pozicione dhe në Kodrën e Kukës i vendosi topat. Pas një pauze prej pesë orshë filloi lufta e dytë në Ferizaj në rrugën që shpie në drejtim të Gjilanit dhe Shkupit. Këto luftime zgjatën një orë, ku kryengritësit shqiptarë u tërhoqën në fshatrat e largëta. Në dy përleshjet ushtria turke pati shumë të lagosur, ndërsa kryengritësit shqiptarë 20 të vrarë e disa të plagosur. Ushtrisë turke i erdhi në ndihmë një tabor e gjysmë këmbësorie me katër topa me qitje të shpejtë.

-Më 20 nëntor në trevën e Siriniqit , jo fort larg Ferizajt, kishte ndodhur një përleshje e armatosur midis ushtarëve dhe një çete shqiptare të përbër prej 20 vetash. Në përleshje e sipër shqiptarët patën një të vrarë dhe një të plagosur, ndërsa në anën tjetër ishte plagosur një xhandar turk.

Tashmë nuk flitej për të drejtat e shqiptarëve, por për masat që qeveria turke do t’i imponojë-shkruante ambasadori italian në Stamboll.

-Krerët shqiparë kishin thirrur një kuvend në Vranidoll (14 km larg Prishtinës). Ky kuvend u mbajt më 31 mars 1910, dhe merrnin pjesë sipas burimeve italiane 20.000 veta të armatosur. Tubimi i tillë i shqiptarëve i shqetsoj mjaft organet e pushtetit turk, prandaj Shefqet Pasha, komandant i garnizonit të Prishtinës, u nis me një batalion ushtarësh me topa në vendin e ngjarjes. Meqë shqiptarët në mënyrë paqësore nuk u shpërndanë, atëherë filluan përleshjet në mesë ushtrisë turke dhe shqiptarëve të armatosur, por nga rezistenca e shqiptarëve reparti ushtarak turk u detyrua të tërhiqet për në Prishtinë, duke lënë në duart e shqiptarëve një sasi të konsideruar të armëve dhe municioni, në mes tyre edhe një top.

-Shefqet Turgut Pasha e pa të rrugës të vazhdonte gjurmët e Xhavit Pashës, ai i rrënoi kullat me topa si bedeme të rrezistencës shqiptare.

-Në krye të kryengritësve shqiptarë u gjenden 15 krerë të njohur, në mesin e të cilëve më të dalluarit ishin Idriz Seferi, Isa Boletini, Hasan Hyseni i Budakovës, Shaban Binaku, Bajram Daklani, Sylejman Batusha, Sadik Hallaqi, Emin Bllataviu, Sali Isa, Beqir Bej Karapilko, Hasan Ferri nga Plava e të tjerë.

-Treva e Ferizajt përsëri u bë arenë luftimesh të përgjakshme midis kryengritësve shqiptarë dhe ushtrisë turke.

-Me përfundimin e aksioneve në Kaçanik në Anamoravën e Epërme, dhe me kryerjen e aksionit të çarmatimit të popullsisë, forcat operative turke u përqëndruan në Ferizaj, ku Shefqet Turgut Pasha u hyri përgatitjeve për realizimin e pjesës së dytë të planit: me operacione të kombinuara sulmonte në katër anët pikëqëndresat e kryengritësve shqiptarë, ku dy kolona në të njejtën kohë niseshin nga Ferizaj, duke vepruar në dy drejtime: kolona e parë, më e fortë në numër dhe armatim, marshonte në vijën Shtime-Carralevë për t’i shpartalluar forcat shqiptare në rajonin e Grykës dhe për ta haput kalimin drejtë Prizrenit; kolona e dytë do të depërtonte rrugës së tërthortë nëpër Jezerc dhe Budakovë për t’i sulmuar mbrojtësit e Carralevës nga prapa, ndërsa garnizoni i Prizrenit kishte detyrë të çante bllokadën e të marshonte pastaj sa më shpejtë deri në Qafën e Dulës që të bënte një sulm të befasishëm dhe të merrte kontakt me kolonën e dytë.

-Me  të arritur në Ferizaj, i shoqëruar nga valiu i Shkupit, Mahmut Shfqet Pasha mori masa për sigurimin e unitetit midis kuadrit komandues dhe ngritjen e moralit në ushtri, meqë nga gjendja e përgjithshme hetoi se raportet e deritanishme mbi zhvillimin e operacioneve nuk ishin të sakta.

-Derisa valiu i Shkupit merrte informata për fitoret e vazhduara mbi kryengritësit, numri i ushtarëve turq të vrarë dhe të plagosur dëshmonte të kundërtën, prandaj ministri i luftës bënte sontazhin dhe terrenin për blerjen e prijësve të shquar shqiptarë, të cilët do t’i viheshin në shërbim dhe kësodore  do të lehtësonin shumë për t’i mëposhtur kryengritësit. Prandaj për realizimin e këtij qëllimi u mobilizua përsëri kleri me në krye teologun e njohur Haxhi Ymer Beqirin, pastaj ai u dërgua te kryengritësit shqiptarë së bashku me një grup hoxhallarësh.

-Prej 25 deri më 28 prill 1910, pandërprerë janë rrënuar dhe janë kallur të tëra fshatrat shqiptare, të cilat kanë marrë pjesë në kryengritje.

-Deri më 28 prill, nga ushtria turke ishin djegur fshatrat: Budakova, Zborci, Ranca, Raçaku, Topilla, Grajçevci dhe Caraleva. Tymi dhe flaka e zjarrit shihej edhe nëpër shumë fshatra të tjerë.

-Rezistencën e kryengritësve shqiptarë ushtria turke kishte arritur ta mposhte më 27 prill të vitit 1910, por që asnjëherë nuk arriti ta shuaj gjerë më tani asnjë armik i popullit shqiptar rezistencën për liri, rezistenca e këtij populli do të vazhdojë deri në çlirimin e plotë të trojeve të tyre shekullore…