
Librit I dytë me poezi “Harrojmë të puthim vesën” i autores Rajmonda Qose Shkopi.
Falenderoj pafund, recesentin e librit tim, mikun poet, shkrimtarin dhe esesistin e nderuar Rifat I. Ismaili , për punën e tij të mrekullueshme.
Falenderoj Shtëpinë Botuese Lena Graphic me z. Hajdar Fejzullahi ,
si dhe miken e nderuar Laura Morea Ariona për përzgjedhjen e kopertinës.
Dua t’ju falenderoj ju, miqësia ime që më keni mbështetur vazhdimisht në krijimtarinë time .
(Po ju postoj një pasazh nga recensioni i librit)
Poezia flet gjuhën e gruas
Poezia është si gruaja, në mos e tillë flet gjuhën e saj, shket nëpër ndjenja e trille, e lehtë, puplore, etererike, e tejdukshme. Si shpirt i shkrirë në kaltërsi. Si ajër i mbarsur me polen. Si gjëmim rrufeje në zbrazëti, ditës me diell e kohēve me re. Si shi i çuditshëm përzier me diell, ku njerëzit thonin po martohen ciganët.
E tillë eshtë poezia, shpërthim dhe rebelim. Ndjenjë e brishtë. Syth që rri zgjuar nën mbulesën e natës e pret agimin. Filiz i mbrujtur nga humnerat. Përthyerje dritash! Muzikë mes heshtjes! Kaos dhe evolucion!
Poezia është grua! Një natyrë përherë në konflikt.
Tani kemi përpara syve librin e një gruaje, që përkthen vlimet e shpirtit të saj në poezi. Rajmonda Qose Shkopi pas librit te saj të parë; ” Mos u dorëzo”, vjen përpara lexuesit me përmbledhjen e saj të dytë poetike titulluar ” Harrojmë të puthim vesën”. Një poezi elitare, e përzgjedhur dhe plot sqimë, që komunikon me lexuesin në shumë mënyra e forma, përmes stilit unik e modern, figurave artistike dhe meraforave të ujdisura si qendismat e bukura të vajzave shqiptare kur uleshin dikur e sajonin pajat e tyre duke pritur ditën e nusërimit.
Rifat ISMAILI