Rikthimi i buzëqeshjes-Sherife Allko


E lodhur e rraskapitur ndjehesha sot.

hapat i hidhja me mundim kuturu.

Nuk më bëhej të përshëndesja as ata

thonin, “Mirëmëngjes!”.

Dhe toka poshtë këmbëve të mi,

Më dukej sikur thonte: Ec më lehtë!

Hapat e tu të rëndë më shqetësojnë.

Një qen i shtrirë çuditshëm më sheh.

Një erë e lehtë si frymë në fytyrë më sillej.

Nuk dua lirika, thashë me vete, as shaka.

Megjithëse shakaja është pamja gazmore e së vërtetës së ngrysur .

Për një çast ndalova për të mos dëgjuar

zhurmën e hapave të mi.

Vështrimin hodha drejt malit të Dajtit,

ku dielli më përkëdheli trup e sy.

Mendova për një çast që sot ky diell

do të ndriçojë botën më të bukur mbi dhe, njerëzit më të lumtur

dhe nuk do të perëndojë kurrë…

Kisha dëshirë të rrija edhe pak në heshtje.

Dalëngadalë lodhja dhe mërzia u tret

nga sytë e mi.

Më në fund buzëqesha “përsëri”-“përsëri,”

ashtu si dielli në çdo agim.

– Sh.A