Rivitalizimi i traditës të qëndistarisë në Voskopojë turistike-Nga Arian Çika


Një projekt mbështetur nga Ministria e Kulturës

Në qëndër të Voskopojës zhvillohet projekti “Së bashku zhvillojmë traditën voskopojare me zejtari MENA”.

Projekti mbështetet nga Ministria e Kulturës, dhe ka në fokus mësimin e profesionit dhe përcjelljen e traditës artizanale së punimeve të veglës, qëndisjes dhe shtizave tek të rejat e zonës, por dhe për çdo turist i cili dëshiron të mësojë punimet me vegël, qëndisjen dhe punën me shtiza.

Irini Tepshi dhe Jorgjia Zguri u mësojnë artin e thurrjes e punimit me dorë dhe traditën e dekorimit të shtëpisë voskopojare me qilimat, mbulesat, rrugicat dhe veshjet e punuara.

Vajzat, gratë dhe gjyshet dardhare kanë një traditë shumë të hershme në artin e punimit me fije tekstili.

Qëndismat me gjilpërë, punimet me grep, punimet me shtiza si dhe thurja me tezgjah janë objekte me vlera të trashëgimisë ku është dora, mëndja dhe shpirti artistik i tyre.

Kursi i qëndistarisë me makina qepëse i organizuar në Dardhë në 1927 nga kompania e famshme amerikane “Singer” është një ngjarje e rëndësishme në historinë e Dardhës.

Të gjitha këto objekte të artit të thurrjes e punimit me fije nga më të voglat deri tek më të mëdhatë duhen ruajtur si vepra arti dhe identifikuar historia e secilës prej tyre për respekt të atyre që i krijuan. Ato gjithashtu sipas mënyrës e stilit të punimit, nivelit artistik, vjetërsisë dhe historisë së tyre kanë një vlerë të madhe të paçmuar monetare në drejtim të trashëgimisë si dhe një atraksion i fuqishëm turistik.

Kujtoni shënimet e familjes së famshme turistike franzeze të Albert Mahuzier për vizitën në Dardhë në 1964 në librin e tij shkruan :

“Gruaja ime pati pakujdesinë që të shprehte entuziazmin e saj për një punim kryq të realizuar nga një vajzë e re 14 vjeçare dardhare. Qilimi na ra mu në krahët tona dhe ne premtuam të dërgonim nga Parisi një shall të bukur”

Po a krahasohet vlera e një qilimi të mrekullueshëm vepër arti të punuar në mënyrë artizanale me një shall sado të bukur të punuar në seri në mënyrë industriale në Paris, Nju Jork apo diku tjetër?

Po në Dardhë a mund të jetë ky aktivitet veror si një atraksion turistik si aktiviteti në Voskopojën e Famshme ?

#DardhaMagicHeritage

(Përgatiti Arian Çika 23.08.2023)