Robert Martiko:“Falje do të thotë: ‘‘dashuria ime ishte më e madhe se gabimet e tua.’’


Robert Martiko

Apo rreth ‘‘Dashurisë Fisnike’’ në romanin e shkrimtarit Petraq Pali…

Nuk është hera e parë që më ka rënë në dorë një shkrim me subjekt veçanërisht interesant për të lexuar, ku atraksioni është i tillë, që të shtrëngon të mos i ndahesh faqeve të librit, i nxitur nga dëshira për ta mbaruar një orë e më parë. Kështu më ndodhi edhe me romanin e ri të shkrimtarit Petraq Pali, i titulluar: ‘‘Ana, vajza e sekretarit’’.

Përshkruhet në këtë shkrim të veçantë historia e dashurisë së një djaloshi të quajtur Maks Panariti me vajzën e një zyrtari të lartë në ish hierarkinë komuniste shqiptare, ku me gjithë persekutimin e madh politik, që i bëhet heroit kryesor, ky arrin të ruajë deri në fund të paprekur, dashurinë e tij të madhe, për idhullin e zemrës dhe mendjes së tij.

Jo më kot kam përdorur në titullin e këtij shkrimi shprehjen e mësipërme: ‘‘Dashuri fisnike’’. Bëhet fjalë për një term të krijuar nga kritiku letrar francez Gaston Pari në vitin 1833, i bazuar në konceptin se vetëm shpirtrat që dashurojnë posedojnë gjithashtu edhe një zemër fisnike. Në sa mundime të jashtëzakonshme e vendos shkrimtari Petraq Pali heroin kryesor të romanit të tij, të provokuara prej prindërve të vajzës që dashuron, përfshirë burgun dhe internimin dhe, megjithatë, dashnori i zjarrtë, jo vetëm i fal keqbërësit e tij, por edhe i ndihmon ata kur, për ironi të fatit, ata vetë, keqtrajtohen mizorisht nga Diktatura Komuniste.

Në këtë mënyrë, e ashtuquajtura dashuri fisnike, pa u futur në labirintin e pafund, me stërhollimet e saj të shumta, bëhet lajtmotiv i romanit. I zbukuron aq shumë rreshtat e librit saqë, në çaste të caktuara, të duket se nuk kemi të bëjmë me një roman të dalë nga jeta e vështirë, e ujërave të zeza të njërës prej diktaturave më të egra në botë, por me një sallon fisnikësh mesjetarë, ku trubaduri, apo menestreli zemërdredhur i Erosit, i këndon damës së tij të adhuruar, e vetmja në jetën e tij. Vlen të shtohet se ky lloj i zgjedhur ndjenjash, që aq bukur trajton shkrimtari nëpërmjet ngjarjeve të romanit, nuk mund të lindë veç nga eksperienca e dyzuar, e bazuar në praninë e përbashkët të dëshirës erotike dhe tensionit shpirtëror. Dhe ajo që është më shumë thelbësore në tilla raste heronjsh të veçantë, të dashuruar, është distanca që ata dinë të mbajnë të paprekur, midis vuajtjes shpirtërore dhe kënaqësisë, midis ankthit dhe ekzaltimit.

Ajo që e bën të veçantë heroin kryesor të romanit, ‘‘Ana, vajza e sekretarit’’, duke arritur në radhë të parë të kapërcejë ndjenjën e frikës prej ndëshkimit nga ligjet e pamëshirshëm, të pashkruara, të diktaturës, është admirimi i dashnores së tij, në një masë të tillë, saqë e shikon atë si një qenie sublime, tepër të paarritshme. Por edhe Ana, krejt ndryshe nga gjyshja dhe prindërit e saj keqbërës, i qëndron besnike Maksit. Pra, na jepet në këtë mënyrë mundësia, si lexues, për të admiruar nocionin e dashurisë midis dy të rinjve si një fuqi e madhe, jo vetëm bashkuese në mënyrë skajore por edhe si një formë e paarritshme bukurie të rrallë, shpirtërore. Nuk mund të mos admirohet karakteri i mrekullueshëm i shfaqur në sjelljen e heroit kryesor, përderisa gjen aq bukur të lulëzuara në shpirtin e tij fisnikërinë dhe ndjeshmërinë, altruizmin dhe sinqeritetin, besnikërinë dhe preokupimin madje, edhe ndaj e atyre që e kanë burgosur persekutuar e munduar keq në jetën e tij. Kemi të bëjmë me atë lloj dashurie të madhe, të jashtëzakonshme që grekët e vjetër e përshkruajnë matanë kufijve të dashurisë romantike dhe që arrin deri në kufijtë e vetë-shkatërrimit, veç në një trajtë të pastër, fisnike, pothuajse heroike, dhe jo mendërisht të sëmurë.

Duke mbyllur këto rreshta komenti të shkurtër rreth romanit mjaft interesant të shkrimtarit Petraq Pali, titulluar: ‘‘Ana, vajza e sekretarit’’, nuk mund të le pa përmendur thënien e një shkrimtari dhe poeti të famshëm amerikan, si Çarls Bukovski, i cili thotë: ‘‘Kush fal, ka gjithmonë një forcë në mënyrë skajore përtej njerëzores… Kush të fal, të ka dashur me të vërtetë shumë…. Falje do te thotë: “Dashuria ime, ishte me e madhe se gabimet e tua”… I uroj autorit Petraq Pali suksese të mëtejshme në artin e bukur të shfaqjes në mënyrë letrare, të ndjenjave më fisnike të qenieve të veçanta njerëzore…

Robert Martiko