
Shkëputur nga vëllimi poetik
“Ajër shprese”
NUK ISH FAJI YNË
Çmendinë e kyçur me çelës të humbur,
të zhdukur kush e di se ku.
Shpirtra të lidhura me zinxhirë kokë e këmbë,
nuk marrin frymë.
Përtypin dhëmbëve të nxirë ndonjë kockë të kalbur, hedhur me përtim,
nga krijesa të gurta me duar prej mishi.
Çmendinë e shqyer.
Frymë të zgjidhura, çliruar nga zinxhirët,
vrapojnë si munden.
Kapërcejnë male me tela gjembaç,
zhyten ujrave të zeza detare,
fluturojnë qiejve të grisur nga dhimbja,
të lagur nga lotët.
Duan t’i shpëtojnë epidemisë së shekullit,
mortajës së kuqe,
që infektoi gjysmën e njerëzimit.
Shqyejnë dhe hedhin tej
trikon e rëndë me zinxhirin deri në grykë
e çdo gjë tjetër.
Më mirë lakuriq.
Frymëmarrje me ajër shprese.
Tokë e premtuar.
Endërr gjysmëshekullore, parë me sy hapur.
Bark i ngopur, mbushur me bereqet djerse,
rrjedhur nga shtrydhja e duarve.
Frymë të zbutura me dhëmbë të ndrequr
që përtypin jetë.
Qenie të njëjta me qeniet e tjera të tokës. Idem. Frymë të qeshura,
tek mbjellin jetë me filiza të njomë.
Jo, jo, nuk ish faji ynë!
4 korrik 2015.
DET, JE FISNIK
Det, je pasqyra e madhe dhe më e pastra,
ku dielli krihet çdo ditë me kujdes
dhe të buzëqesh me ngrohtësinë e rrezeve të tij.
Det, je oazi më i madh i shkretëtirës së vdekur,
për retë e ngarkuar me hidhërim,
që shkarkojnë lotët rrëke,
tek shuajnë zjarr zemre.
Me bujarinë tënde u zbut dhimbjen,
tek ua hedh dallgëve të egërsuara
që ngrihen kryeneçe
e kërleshen me njëra-tjetrën nga qejfmbetjet.
Det, je kështjella e hënës që të futet në shtrat
dhe flirton me ty deri në mëngjes.
Diellin bën xheloz që kurrë s’të zuri në shtrat me të.
Ah, sa do të donte! Ah, sa do të donte!
Ti ke dashuri të ëmbël, det,
këtë e dinë valët lozonjare,
kur puthen me flladin e freskët çapkën,
që epshin e tyre e përplasin në breg,
tek kalojnë në ekstazë dashurie.
Det, ti ke zemër të madhe fshehur ujrave blu.
Ti je fisik, det, të rrjedh ndër deje gjak blu.