
ENGJËJT DHE DJALLI
Dy engjëj krahëshkruar
fluturojnë lartësive të Bjeshkëve të Namuna.
Nga larg, shumë larg, kanë marrë rrugëtimin,
duke kaptuar male, fusha, pyje e lumenj.
– Oh, ç’vend i bukur! – thonë të habitur,
kur ndalojnë tek një ujvarë kristali,
varur nga mali.
Oh, ç’mrekulli! Oh, ç’mrekulli!
Shuajn’ etjen, bekojnë e ngrihen në fluturim.
Papritur, tek fluturojnë të kapur dorë për dore,
një djall i zi, u pret fluturimin
dhe i pyet me sarkazëm:
– Për ku jeni nisur, o njerëzit e mi?
– Zoti na dërgoi
të shohim këto male të larta plot me bukuri!
– iu përgjigjën djallit të zi.
– Ha,ha,ha, – qesh e zgërdhehet i paudhi.
– Unë do t’ju ha dhe mishin do t’jua tres!
– Jo, more djall! – i thanë engjëjt serbes.
– Kjo nuk mund të ndodhë!
Kur fluturuam për këtu,
na thanë që është vend me një ligj që quhet “besë”!
– Ikën, vdiqën ata burra që besën kishin ligj.
Tani jemi ne, djajtë,
që kemi një emër, një fytyrë dhe të njëjtin ves.
Jemi të pabesë.
– Ne kemi zemër, jemi mbrojtës për tuajat jetë.
– i thanë engjëjt me shpresë.
– Ky është ndryshimi.
Ju mbroni jetë, ndërsa ne, djajtë,
e vrasim, e shuajmë atë.
Ç’të bësh! E kemi ves!
– tha djalli dhe u vërsul mbi engjëjt e pambrojtur.
Si i pa shpirt që ishte,
i këputi në mes.