
NË KOHËN ROMAKE
Mbi murin e gjerë romak kalëruan
ushtritë e Romës në kohën e Cezarit.
Mbi murin romak me pushkë bëj roje nate,
në mbrojtje të Atdheut, në kohë të Enverit.
Nga deti vinin romakët me flota anije,
për të sulmuar lashtësinë e Dyrrahut.
Nga deti unë hedh vështrimin si hije,
për të pushtuar zemrën e akullt.
Tek Porta e Kalorësit romakët bisha,
Dyrrahun donin ta venin nën thundër.
Tek Porta e Kalorësit, aty të prita,
s’të kërkova shumë, veç një të puthur.
Në arenë të amfiteatrit, të gjorët gladiatorë,
luftonin me ushta dhe merrnin dënimin.
Në amfiteatrin e vdekur tek bëj ecejake,
mbi shkallët e gurta seç pres pohimin.
Romakët u mundën siç unë u munda,
edhe pse doja që ta sundonin qytetin.
Kushtin e vetëm, për ty, do t’u vija
dhe më pas, mbi Dyrrahun le të bënin kiametin!
*****
PRITA
Prita aq shumë,
sa qiellit, retë e bardha,
kokën ia veshën me thinja.
Prita aq shumë,
sa qiellit, lotët në zgavra,
i shterruan nga dhimbja.
Prita, oh, sa shumë prita!
Prita edhe kur pyllit ia prenë pemët,
që vetë i kisha mbjellë filiza.
Prita deri sa të shterronte nga mali ujët
që me gulçe zbriste nga maja.
Prita, oh, sa shumë prita!
Prita aq shumë sa nuk të besohet,
deri sa detit iu tha kripa.
Edhe pasi mbarova së numëruari
kokrrat e rërës në breg, prita.
Prita, oh. sa shumë prita!
Prita edhe kur më thanë
se Saharaja do të shndërrohej në oqean.
Prita edhe kur më thanë se akullnaja
do të shkrihej nga dhimbja.
Prita, oh, sa shumë prita!
Prita edhe kur mbaruan së kënduari
zogjtë e pyllit, prita …
Prita aq shumë, po aq shumë së kërkuari,
sa u lodh edhe vetë pritja.
Prita, oh, sa shumë prita …