Kryqi
Niko ishte pronari i një shtypshkronje të vogël në qytetin e Selanikut, në një zonë pranë universitetit. I kishte kaluar të gjashtëdhjetat. Vinte me trup mesatar dhe me pak bark, ishte esmer si shumica e grekëve dhe mbante mustaqe. Mustaqet i kishte të dëndura dhe kujdesej për to. Flokët i kishte të rralluara në pjesën e përparme të kokës dhe megjithëse në moshë të shkuar ende i kishte të zeza dhe ato pak thinja që kishte nuk dëndura dhe kujdesej për to. Flokët i kishte të rralluara në pjesën e përparme të kokës dhe megjithëse në moshë të shkuar ende i kishte të zeza dhe ato pak thinja që kishte nuk binin fare në sy. Në punë bëhej nevrik dhe shpeshherë debatonte me të birin, Kostën i cili edhe ai punonte aty. Kosta ishte djalë i pashëm dhe sapo i kishte mbushur të tridhjetepesat. Vinte esmer si i ati, por më i gjatë se ai, me sy të zinj, me flokë të dëndura kaçurrela pis të zeza dhe me mustaqe të dëndura edhe ai, që i binin mbi buzët e plota. Kosta ishte burrë i pashëm. Ishte i martuar dhe kishte dy djem. Niko ishte shumë fetar. Sapo vinte këmbën në shtypshkronjë bënte kryqin dhe seç pëshpëriste nëpër dhëmbë. Para se të nisej në ndonjë fshat apo provincë të Selanikut për të shpërndarë porositë e klientëve, që ishin kryesisht albume fotografish, blloqe formularë etj, e kishte bërë zakon që të shkonte në kishë e të lutej. Ashtu bëri edhe atë ditë që u nis për të bërë shpërndarjen me makinën e tij të vjetër, një furgonçinë “Renault” në ngjyrë kremi. Me vete mori edhe shqiptarin, që punonte prej një muaji në shtypshkronjën e tij. Shqiptari ishte një djalë i ri tek të tridhjetat. Vinte me trup mesatar, flokë gështenje, sy kafe dhe i heshtur nga natyra. Mundohej të punonte mirë dhe me cilësi për të justifikuar vendin e punës, të cilin e kishte gjetur me shumë vështirësi duke bredhur rrugëve të Selanikut, duke kërkuar sa në një ndërmarrje në një tjetër. Shqiptari quhej Arian. Niko e kishte pyetur disa herë Arianin se cilës fe i përkiste. Jam kristian, i ishte përgjigjur Ariani, duke ia mohuar përkatësinë fetare. Ariani e dinte mirë që po t’i kishte thënë të vërtetën, Nikoja nuk do ta kishte mbajtur në punë. Shumë shqiptarë, shokë dhe miq të tij ishin të detyruar të mohonin përkatësinë fetare për hir të punës. Vinin nga një vend që deri para dy apo tre vitesh besimi fetar kishte qenë i ndaluar me ligj nga regjimi komunist. Dihej që pjesa më e madhe e shqiptarëve i përkiste besimit islam, por që vetëm një e pakët kishte mbetur nga brezi i mëparshëm e që kishte rifilluar ta praktikonte përsëri fenë duke u lutur dhe shkuar në xhami. Ariani ishte indiferent ndaj besimit fetar dhe nuk i kushtonte vëmëndje. Madje edhe për emrin që kishte, ishte mjaft i qetë dhe nuk ishte paraqitur me emër tjetër tek punëdhënësi Niko, siç kishte bërë pjesa më e madhe e shqiptarëve myslimanë, që ishin paraqitur me emra të krishterë tek punëdhënësit grekë. Ishte ora nëntë e mëngjesit kur hynë në kishë. Mbretëronte një qetësi absolute. Ariani e ndoqi nga pas Nikon, i cili sapo vuri këmbën brenda bëri menjëherë kryqin dhe pasi bëri disa metra para portretit të një shenjtore, që mund të ishte Shën Maria, nisi të pëshpërisë me zë të ulët. Në kishë ishin shtatë apo tetë persona të tjerë të cilët në heshtje të thellë kryenin ritin e lutjes para shenjtorëve. Pasi mbaroi lutjen u kthye nga Ariani dhe me zë të ulët i tha: – Bëje edhe ti kryqin, birin im! Ariani tundi kokën në shenjë pohimi dhe nisi të bëjë kryqin. Nikoja nuk ia ndau sytë. Sapo Ariani mbaroi së bëri kryqin, Nikoja u prish në fytyrë. Iu thartua fytyra sikur të kishte gëlltitur një thelë të madhe limoni. Shau nëpër dhëmbë dhe menjëherë u kthye përsëri nga portreti i shënjtores duke u lutur dhe bërë pa pushim kryqin. Ariani e kuptoi fare mirë sharjen dhe i erdhi çudi. “Po ky, ç’pati? Çfarë bëra që nuk i pëlqeu?”- pyeti veten. Nikoja vajti pak më tutje në vendin ku ishin një numër i madh qirinjsh të ndezur dhe ndezi një. Ariani e ndoqi pas. Për Arianin ishte hera e parë që hynte në një kishë, as në xhami nuk kishte hyrë kurrë edhe pse ishte i besimit islam. Më pas ata dolën. I hipën makinës dhe u nisën për të kryer shpërndarjen e mallit. Nikoja ishte i ngrysur në fytyrë. Dukej si një re e ngarkuar, që nga çasti në çast do të shpërthente. Ariani vriste mendjen për këtë ndryshim të menjëhershëm të grekut Niko, por nuk arrinte ta kuptonte. Në Selanik u kthyen në mbrëmje, pasi mbaruan shpërndarjen. Gjatë gjithë ditës pothuaj nuk shkëmbyen asnjë fjalë. Nikoja i foli vetëm kur hëngrën drekën kur ndaluan tek një lokal i vogël në të dalë të një fshati. E pyeti vetëm se ç’do të merrte dhe kaq. Të nesërmen, gjatë punës, në një çast që Ariani ishte prapa Nikos, por që ky i fundit nuk e vuri re, dëgjoi t’i thoshte Kostës: Shqiptari është katolik! E bëri kryqin nga krahu i majtë. Ja shikoje edhe trikon e mban me kapuç si Papa i Romës! – dhe u kthye t’ia tregonte të birit, por u ndesh përballë me vështrimin e butë të Arianit, i cili erdhi për të pyetur Kostën sesi do të vazhdonte më tej me proçesin e punës. Ariani nuk nuk e dha veten dhe bëri sikur nuk i dëgjoi fjalët e Nikos. Më pas ai u largua për të vazhduar punën. Ariani mbante të veshur një tutë sportive me kapuç, në ngjyrë të kaltër. Vjeshta ishte në të dalë dhe koha kishte nisur të ftohej. Po mirë, çfarë t’i bëjmë?! Mjafton që është djalë i mirë! – ia kishte kthyer Kosta. Shyqyr që nuk është mysliman! – i kishte thënë Nikoja dhe menjëherë kishte ndezur një cigare. Këtë dialog, Ariani do ta mësonte nga Kosta i cili ia kishte thënë më pas duke qeshur, duke shprehur edhe shqetësimin e Nikos për përkatësinë fetare të tij. Kosta ia kishte shpjeguar Arianit mënyrën e bërjes së kryqit. Ne, kristianët ortodoksë e bëjmë kryqin nga ana e djathtë, ndërsa katolikët e bëjnë nga ana e majtë. Ti e kishe bërë nga ana e majtë, ndaj dhe Nikoja ishte i nevrikosur. Të kishte marrë për katolik.