Rovena Shuteriqi-Besim i verbër


Rovena Shuteriqi

Besim i verbër

Shfrytëzoi pafajshmërinë e syve të lazdruar. Iu afrua me lajka, me premtime djallëzore. I ofroi botën ku ëndërrat merrnin ngjyra ylberi, trupimta nga fjalëdehja, u dorëzua si manare e heshtur.U dha e gjitha në këtë dashuri, mendoi se botën zotëronte të gjithën, qiellin zbriti në tokën njerëzore, pa flatra fluturonte, ngado falte mirësi të bekuar. Habiteshin të gjithë me harenë që atë e kishte pushtuar, buzëqeshja ishte bërë një me fytyrën e saj, sytë puliste sa herë i ndeshte me të atij, dhe bota e gjithë rrotullohej rreth saj. Kujtdo që e pyeste për këtë ndjenjë të zjarrtë, përgjigje, mohimin, i kthente në çast, nuk donte ta ndante me askënd këtë të bukur mister, e mbante për vete, oaz për shpirtin që regëtinte si i marrë. Koha rrëshkiste si ujvarë pa ndal, vashëza priste djalin që ta marrë, familjes donte t’ia bënte surprizë, kur para tyre të dëshmonin dashurinë e pafund.

Tek parku e priste ai si gjithmonë, e puthi lehtas në faqe, ftohtë, eja të marrim një buqetë lulesh për nënën tënde, dhe pastaj shkojmë, dorën tënde tek ata të kërkoj. E vajza bindshëm, shkrirë në lumturi, djalin ndoqi padjallëzisht, dyqani i luleve mes errësirës nuk shfaqej kurrkund, e rruga u zgjat si një tërkuzë. S’guxonte të pyeste, mendohej në heshtje, se ndoshta po i afroheshin shitores së luleve, por dyshimi po fillonte ta brente ngadalë dhe zemra po humbiste rritmin e mëparë. Ndjeu dy duar darë, që e rrëmbyen fluturimthi në ajër, në çast u ndodh në sediljen e pasme të një makine, e trembur, e lemerisur, me sytë që kërkonin lebetitshëm dy të vetme fjalë. S’kuptoi më se ç’ndodhi me të, gjumë i thellë e zuri si me magji, kur erdhi në vete u çudit, se nga zëri i televizorit dëgjonte një gjuhë tjetër të pakuptimtë. Ku të jem kështu, u vetëpyet e frikësuar, përse duart nuk mundem t’i lëviz, gjarpërinjë litarësh rreth kyçeve ndjeu, qënkam në burg, por ç’faj paskam bërë kështu.

Pas pak në derë, u shfaq ai, ai që dikur i premtonte parajsë, për ironi këtë parajsë tashmë duhej ajo të ofronte, me trupin e saj të brishtë, të virgjër në shtratin e pornisë.

Tutori s’prekej nga dënesat, as nga lutjet e pambarimta, edhe pse vajza shuhej çdo ditë e më shumë, ai klientelën ia shtonte përditë, dhe trupin e saj shihte si të majmen fitim. Dhuna dhe keqtrajtimi i ishin bërë refren, s’duronte dot më, shpirti helm pikonte, mori guximin një ditë vjeshte, shtegëtoi me zogjtë perëndimit të vagët.

About Post Author