ROZAFA DHE MBRETËRESHA
Në qytetin që mban mbi supe një grua
Selinë mbretërore Teuta ilire e kishte,
Si një re e bardhë me kurorë argjendi
Me Agronin përkrahu kalldrëmeve shëtiste.
Fustanin e nusërisë kur e veshi në kala
Loti i rrodhi nga syri i mpirë,
U këput e ra mbi tela lahute,
Në kroin e qumështit dimër i ngrirë.
Sa herë detin gjëmat e mbulonin
Kalëronte te Rozafa me ajrin e zgjimit,
Shkonte të merrte shkëmbin e dhembjes,
Forcën epike të aktit flijimit.
Qyteti që mban mbi supe një grua
Krenari e dhembje Teutës i mbet,
Dy këngë yjesh në mjegullnaja majash,
Rozafa dhe Mbretëresha që deshën një qytet.
