Rrahim Billa-Çonju Rilindas


Rrahim Billa

  · 

Çonju Rilindas

Çonju Rilindas , ju prej varrit çonju

Se shqiptarizmi , më duket se po vdes

Bashkë si dikur , si malet shtrëngonju

Se keni ca punëra , të lëna në mes

Çonju që të na sillni atdhetarizmin

Sot atdhetarizmin , se zë kush në gojë

Na ndizni në shpirt… shqiptarizmin

Se fatet e kombit , sërish janë në lojë

Kur fatin tek dera , na e sjell historia

Shqiptarët të hutuar…flejnë gjumë

Plagët t’ja mbyllnim , donte Shqipëria

Rrezikon të gjymtohet dhe më shumë

Ah!… ç’kohë që erdhi!…kohë tinzare

Për qentë , për modën – aq shumë flitet

Për atdhetarizmin , as nuk flitet fare

Ndërkohë që ujkonja , nis të përgatitet

Mirë për ujkonjën , ujku mjegull don

Ashtu siç e thotë dhe fjalë e vjetër

Një çast magjik pret , Shqipërinë copton

Të shkëpusë prej saj dhe një copë tjetër

Një ujkonjë tjetër , veriun kafshon

Pëveç gjithë asaj , çfarë ka kullufitur

Rast më të mirë , ujqëria nuk don

Fat që as qielli , s’do e kish zbritur

Qentë me njëri – tjetrin , kacafyten

Për ca kocka që duan të lëpijnë

Ndërkaq ujqërit , më shumë aviten

Copëra të tjera , duan të përpijnë

Eh!… ç’kohë e turbullt , kohë e nxirë

Flitet për maçokë e për majmunë

Ca hije të zeza , nga dheu kanë mbirë

Si fantazmat…natën…janë në punë

E shtrenjta ime , Shqipëri e mjera

Gjithnjë brenda teje…gjënden ca hije

Lukuni ujqërish , të sulmon ngahera

Plane ogurzeza që të bëjnë fije – fije

Ngrihuni Rilindas , ju çfarë prisni

Aq shumë për ju , kombi ka nevojë Shqiptarizmin në shpirt na e ndizni

Me fatet e kombit , të mos bëhet lojë

Janar , 2010

Shk.nga lib.”Thërrime diamanti “

About Post Author