Rrëfim kohësh-Sheqere Sina


Askush nuk mund ta dijë.Jetova në kolibe.

Me foshnjën pa baba, shtrënguar fort në gji.

Unë isha nënë e saj, s’kam ndier kurrfarë frike,

…dhe pse ai s’u kthye, nuk erdhi kurrë ai…

E rrita vogëlushen, në krahë i dhashë jetë,

si diell pata nderin(dhe vuajtje e mjerim).

Sa forcë që më dhuroi, i madhi Zot po vetë!

Pa ëndërra nuk më la, mëkoi prindërim.

Punova, ku s’punova, në krahë mbaja fëmijën,

në mbrëmje vonë të dyja, koliben patëm strehë.

Ajo më përqafonte si të më ndiente dhimbjen,

si zog në gji e merrja, e strukja thellë… thellë.

Nuk shava kurrë fatin, s’mallkova çfarë shkoi,

mashtrimin që dikush, te shkoi, e mori vetë.

Dhe djersa si rrëke, që derdha, më ndriçoi,

më ndriti përsëri, një rrugë tjetër në jetë.

Me forcë e guxim, flaka vështirësitë.

S’e dhashë veten kurrë e s’u përkula kurrë.

Që tej më ndrisnin pranë, plot zjarre lartësitë,

U bëra nënë e mirë… Më dashuroi një burrë.

Më mori. Ikëm fushës, dhe ngritëm një folé,

e lumturuam jetën dhe jeta fali jetë…

Ashtu të mrekulluar, ndërtuam që të tre,

Një vatër mrekullish, të bukur, të vërtetë.

-MASHTRUESI.

Më gënjeu syri, qeshë si mafishe;

Më pëlqeu posti që zotnia kishte.

Gjithë kulturë, gjithë edukatë.

Besova: s’mendova aq gjatë!

Besova, se syri e zemra janë një ,

dhe heshta e ndrojtur, nuk nxora dot zë .

Mendoja, mendoja për ty, i uruar,

gabim s’mund të jetë, sinqeritet i tepruar.

S’më the që më doje, heshti telefoni,

ndehej ëndërra ime, mbi zyrë, si droni.

E mora në dorë zemrën e lënduar;

I thashë :dashuria nuk është aq e lehtë!

Ti heshte sërish, mos ishe penduar?

Mos ishte një lojë, në dukje e fshehtë ?

Të prita të vije, do flakja mërinë ,

mjafton të më thoshe: më fal, u gabova!

Në kupa prej ëndërrash unë mbylla rininë ,

se, zemra më rrahu dhe u dashurova.

Por ti s’erdhe kurrë, u mbyll telefoni;

Pip-pip-ishte pritja që thoshte: mos prit!

Ju njerëz që s’dini se çfarë dashuroni,

ç’lloj jete ndërtoni?A jeni fisnikë ?

E mbylla një rrugë në zemrën që rrihte;

E mbylla një shteg, që s’duhej të ishte.

E fika një ëndërr-pranverë-xixëllonjë,

se, vajzat, të duan, askush si ndalon.

Jam unë ajo vajza që desha dikë,

me poste të shumtë, që mbahej si mbret.

Tani jam veç unë , ai s’është më:

Veç, di, dashuria e pastër të vret.

Dhe kurrë s’pranoj të thonë të tjerë ,

që mbeta përherë–beqarja… e vjetra…

Kam shpirtit të ri, kaq shumë pranverë,

Sa, mbjell brenda zemrës, një mijë pranvera!

Autore :Sheqere Sina /Shqipèri /