Rreshtomi, vendi im!…Vaso Papaj


Rreshtomi vendi im, rreshtomi!

Rreshtomi: vdekjet e groposura, që s’u ka mbetur shenjë,

Lotët pafund të nënave, që tërë kohën rridhnin si lumenj.

Rreshtomi ato mijëra dhimbje që na bënë dhe më të denjë.

Rreshtomi vendi im, rreshtomi!

Rreshtomi netët e bardha, kur për jastëk kisha dheun tënd,

Copat e bukës, gurë, vaj e kripë, t’ëmbla si n’asnjë tjetër vënd.

Rreshtomi ëndrrat e mia, për t’u puthur me lirinë e shënjtë.

Rreshtomi vendi im, rreshtomi!

Rreshtomi humbëtirat – ferr: Burrel, Spaç, Maliq e Tepelenë,

Dallgët që më ranë përmbi dhe, as tani për to drejtësi nuk gjen.

Rreshtomi udhët pafund: Qafë Bar, Bulqizë, gjer në Beden.

Rreshtomi vendi im, rreshtomi!

Rreshtomi fletët mbushur me ëndrra të murosura në oxhak,

Netët pa hënë, gomonet ngarkuar me shpresë dhe me farmak.

Rreshtomi psherëtimat dhe nyjet që më zinin frymën si në lak.

Dhe rreshtomi pra, rreshtomi pa fund.

Rreshtomi të gjitha, rreshtomë dhe mua, poetin lakuriq,

Që qiellit fluturon e lutet: vëllezërit mos të kthehen kurrë armiq.

Rreshtomi vendi im, rreshtomi, dhe këtë rrugë,

veç këtë rrugë ndiq.