Rrezeve të ngjyrës bujqësore në Laknas…Nga Spasse Thanasi


RREZEVE TË NGJYRËS BUJQËSORE NË LAKNAS…
-Reportazh
Fusha e gjerë 20 Ha e Fermës “UKA-FARMË” me nuancat e gjelbërimit ngjan si “lulishte e stolisur” me merak ku bukuria shpërthen me ngjyrën e luleve, me kurorën e pemëve, vreshtave e ullishteve që priren nga drita e ngrohtësia diellore… Bukuritë e jetës,ashtu si ëndërrat, erdhën nga shpatullat e njoma të punës, nga brezi i gjyshërve e stërgjyshërve, që vunë themelet në aktivitetin bujqësor me një traditë të shijes në tavolinë,si një mahnitje më vete….

…………………….NGA SPASSE THANASI
Ky rrezatim diellor e bujqësor në Laknas sjell aromë pune e djerse në një peisazh që vezullon si një dashuri e madhe në shpirtë. Është “stolia” magjike që ka krijuar profesor Rexhep Uka në fermën e tij bujqësore ku çdo rrenjë bime dhe ullishtat diellzojnë fjalën, punën,shkencën…Nëpër mote i kanë thënë këtu “vendi i pllajës së bukur”, ose “bregu i vetmuar”, me gropezën e sheshtë të Lanës së dikurshme (nga Kodra e Domes deri në Laknas, nuk kishte asnjë shtëpi). Sot ky regjion i gjerë është mjaft i populluar dhe i zhvilluar. Laknasi ka marrë formën e një qyteze ku në dallim nga betonizimi ka si emblem gjelbërimin, hapësirën e natyrës, oborret e shtëpive rrethuar me avlli. Nuk ka as zhurma makinash, as trafik automjetesh, as dhe bezdisje rutinë. Këtu jetohet, punohet, prodhohet duke tjerrë “fillin” e mbarë të bletës.
Në tërë rrethin e Tiranës, Laknasi dallon si Zone e madhe bujqësore ku shembulli i fermerëve tregon për një panoramë të “qendisur” të fushës me shumëllojshmëri bimësh e pemësh frutore. Ferma të veçanta këtu kanë imazhin e kohës moderne me teknologji bashkëkohore në punime, shërbime e prodhime dhe ky përparim ekonomiko-bujqësor e njerëzor është fryt i shumë eksperiencave në fushën e bujqësisë, që koha nuk i zbehu, por i shtyu përpara me kurajo e këmbëngulje profesionale.
Nuk është i rastit ky përshkrim këtu në Laknas.Grupi i gazetarëve shqiptarë të bujqësisë mblidhet në një mbadite festive që do të mbahet mend.Ish-gazetari i Radio Tiranës Shefqet Meko inicion këtë aktivitet me bisedën e shumë të ftuarve me vlerë në gazetarinë bujqësore shqiptare në tre dekadat e fundit. Ferma“Uka Farmë” është ajo që do ti jap duarshtrëngimin të gjithëve në një moment kujtese për fatet e përbashkëta në shumë vite e dekada. Emra të tillë gazetarësh si Ago Nezha, Jani Gusho, Shqefet Meko, Marash Mirashi, Spasse Thanasi, Martin Leka, Gjovalin Gjeloshi, Ymer Hysa, Osman Xhili, Lush Susaj etj, mbeten “emblematikë” në historinë e gazetarisë bujqësore shqiptare.

Kronikë e jetës së hershme…..
Bukuritë e jetës,ashtu si ëndërrat, erdhën nga shpatullat e njoma të punës, nga brezi i gjyshërve e stërgjyshërve, që vunë themelet në aktivitetin bujqësor me një traditë të shijes në tavolinë,si një mahnitje më vete….Sali Man Kuka ishte mjelësi i parë i burrave të Zonës së Kamzes në kooperativën Laknas, e krijuar në vitin 1955 të drejtuar nga Hamit Karaj. Nga një kasolle që bleu në vitin 1956 u zhvendos nga Kamza ne Laknas dhe bëri shtëpinë e parë 2–katëshe me tulla në vitin 1965. Ende edhe sot është si relike kjo ndërtesë, është lëmi i grurit, Selvitë rreth varrezave të mbjella në vitin 1969, kabina elektrike me tulla etj. Shansi i kësaj ekonomie në ato vite kolektivizimi, ishte se ishte afër Institutit të Lartë Bujqësor dhe Tiranës. Këtu vinin studentët të drejtuar nga pedagogu Lefter Veshi për studimin e tokave dhe praktika të tjera profesionale.
Sipas K/Plakut Dashamir Gjokmali popullsia e Lakanasit arrin sot në mbi 25,000 banorë ku fiset më të përmendura janë Totoshi, Shameti, Meteliu, Bruci, Kodragjini, Burreli, Durrsaku etj. Ndërsa ka edhe fise të tjera të ardhura si UKA (nga Tropoja,Babinë), MYRTAJ ( nga Vlora), MEJDANI ( nga Korça), LUCI ( nga Kuçi i Vlorës), SINAJ si dhe shumë kuksianë.
Filozofia e Fermës “UKA –FARM” rrjedh nga largësia e viteve ku shumë breza vunë themelet e godinës së familjes “UKA” në Laknas që trashëgon një traditë universale të dijes, të punës, të profesionit dhe të dashurisë njerëzore. Origjina e brezave të familjes daton që nga viti 1800 me fisin “Thaçi” në Iballë të Pukës, që shpesh përmendej si“Voskopoja e Veriut”.Në rreth 15 breza është transformuar në disa vende si në Trumë (1830); në Gjakovë (1941); në Tropojë,Babinë(1946); në Kukës,Pisk (1947); në Kamëz (1952) dhe perfunimisht në Laknas (1956). Ndaj dhe profesor Rexhep Uka nuk e fsheh kënaqësinë e tij se “fati studimor e shkencor” nuk ka evoluar brenda tij në boshllëk, por në një koherencë interesante të labirintheve të jetës dhe sot brezi i tre djemve të tij Arbërit, Florir& Borit do të çojë më tej “stafetën” profesionale e teknologjike me një përkushtim të madh…

    Një xhevahir bujqësor  me rrezet e ngjyrës  diellore…

Ferma private “UKA –FARM” me sipërfaqe prej 20 Ha në mes të fushës së Laknasit,vetëm 15 km larg Tiranës, është një kompleks madhështor i një zhvillimi bujqësor me përmasa universale në llojshmëri e produktivitet. Kurora e Selvive ( ose siç quhet “parada e modës”) me dekorin e bukur e të gjelbëruar krijon një biosferë të këndshme relaksuese. Mes kësaj natyre që të mrekullon në shpirtë sjellim në mendje thënien: “Biodiversiteti është jetë, Homogjeniteti është vdekje” dhe si sinonim i pandarë mund të përsërisim “Pluralizmi është demokraci, monizmi është diktaturë”.
Në çdo hap këtu ndesh bimësi të një lloji të veçantë si lëpjeta e famshme e bjeshkës së Tropojës( Rreshkëz); lakra e kuqe ruse, e cila ka një lulëzim prej një muaji e shërben për bletët (mori i lakrës tërheq shumë insekte të dobishme që janë entmofagë universale që pasurojnë mjedisin); qershia e vogël që ekziston vetëm përpara Liceut të Korçës (mbjellë nga agronomi i Kamzës Vangjel Rikashi (Qosja) koleksioni i pemëve të mollëve të mbjellë në të gjithë Shqipërinë e që bëhen rreth 45 varietete ndër më të vjetrat “molla gjyle” e deri te “molla suap” që ka ekzistuar në Korçë në vitin 1935; rrënjët e ullishteve të mbjella në 20 vjetët e fundit në distancat 4x4x4 e që gradualisht kalojnë në sistemin 8x8x8 në të gjithë hapësirën e bashkëshoqerohen me pemë të tjera(rreth 30 varietete të mara në Zvicër);koleksioni i trëndafilave të egër, plot aromë me 3 rroza kanine që ka 30% vitamminë C e është pa gjemba; bima “Comfrey” symbol i permakulturës dhe lufton barërat e këqia, plehëron tokën me lëngun e saj (unikale në Evropë); lajthia e egër dekorative; acacia e marrë nga Parisi si pemë më e vjetër; bimë që tërheqin fluturat (10 -15 varietete); 7 lloje bimësh që prodhojnë insektet natyrale sidomos lule “Tanezia” që është e njohur gjatë Luftës së Dytë Botërore ku çdo ushtar mbante një qese në brez me këtë bimë kundër pleshtave e morave…

Një tabelë bashkëkohore e vendosur në hyrje të Fermës “UKA” tregon filozofinë e Fermës që funksionon nga nga viti 1996 : Rigjenerim – qendrueshmëri; Resurset që pasurohen gjatë kohës si Uji – Toka – Biodiversiteti- Bimësia – Ushqimi; Operativiteti shëndërrohet në veprim praktik : gadishmëri – vitalitet ekonomik – shëndet – komunitet – vetëqendrueshmëri – produktivitet. Kjo e bënë shumë domethënëse Fermën me “Bujqësinë në Tryezë”, që rrallë e ndesh në ambjente të tjera të rrethit të Tiranës. Arritja e kësaj përmase të një kompleksi ndërveprues në tërë gamën e prodhimeve dhe shërbimeve, nis nga Laboratori krijues “UKA” ku gjen “muzeun” e të gjitha punëve dhe farotekën e 500 kultivarëve të mbledhur në Shqipëri dhe nëpër Botë. “Laboratori i jetës”, siç e quan profesor Rexhep Uka,ruan koleksionin 50-vjaçar të punëve të tij krijuese e seleksionuese duke filluar nga insektet e mbledhura në vitin 1968 me Petrit Mançe në afidofaunën e Korçës apo dhe me koleksionin me entofarmen e Ullirit nga Lukova nga viti 1985 dhe vazhdon me punën e gjatë seleksionuese e studimore ku përfshihen : entomofarma e NB Kamzës, Tapizës në veçanti, gjithë ekskursionet nëpër Shqipëri,sidomos në disa zona specifike si Korça, bregdeti nga Uji i ftohtë deri në Butrint(me koleksionin e plotë të dëmtuesve të ullirit e agrumeve) dhe 30 vjetët e fundit “UKA-FARM” ka vrojtuar, seleksionuar e studjuar përditë. Preparati i fundit daton 02.05.2023. Të tërheqin vemendjen disa novacione për grackimin e insekteve dhe shumë pajisje që shoqerojnë fazat e vrojtimit, studimit e seleksionimit shkencor në laborator. Interesant është “Kopshti i Biblës dhe Kuranit” me variantet e librave të shenjtë e të bekuara ku trajtohen fidane fasule që rriten 5 m, fidan ulliri i varietetit tek Kisha e Shën Premtes në Vlorë, luledielli dekorativ i shkurtët, hardhi nga Piskova Përmet, trëndafila, preshi etj…
Dashuria e Verës….
Muza poetike e rrezeve të flakës me hove jete të verës flet shumë këtu me kantinën e këndëshme që ka formuar një traditë të qendrueshme të shijes në tavolinë. Synimi është që kjo Fermë të jetë një “Muze” ku turistët e huajt të vijnë e të shikojnë “Shqipërinë në gotë e në shishe”, siç thotë Arbër Uka për Kantinën e Verës me prodhime nga kultivarët e rrushit vendas. Këtu prodhohet e tregëtohen disa lloje verërash :
⦁ Vera “Kallmet”, që merret nga rrushi i Lezhës,Malësi e Madhe
⦁ Vera “Ceruja”, që merret nga rrushi nga krahina e Klosit
⦁ Vera “Pulëz”, që merret nga rrushi i Beratit,Roshnik
⦁ Vera“Kallmet–Roze”,që meret nga rrushi i Shkodrës,Zona e Shtoit…
Kantina e Verës “UKA” është një Impjant me teknologji bashkëkohore që kryen në mënyrë të plotë dhe bio ciklin e prodhimit e të tregëtimit të Verës vendase. Flori Uka ka mbaruar Universitetin Bujqësor të Tiranës në degën Enologji ne Fakultetin e Bujqësisë dhe Ushqimit dhe është specializuar në Itali duke krijuar një bazë praktike për profesionin. Ai na thotë se Kantina funksionon që nga viti 2005 jo thjeshtë si një ide biznesi,por kemi krijuar një tatabazë të dhënash për kultivarët vendas nga disa territore të vendit dhe synohet që ajo të jetë në të ardhmen edhe një qendër eksperimentale me vlera për kultivarët e rrushit dhe shijen e verës në treg që Shqipëria Bio “të vështrohet në gotë e në shishe” si një produktivitet bujqësor nga më të larmishmit e më të kërkuarit nga klientët e tavolinës.Po të vështrohet me imtësi Filozofia e Fermës,kuptojmë qartë sintezën “Punë– Prodhim – Shije” që ka aromë pune e djerse në peisazhin bujqësor të Laknasit në Tiranë.