Elvira Zeneli
RRUGË VJESHTE
S’di se si më çuan këmbët
në rrugën ku ecnim dikur,
mbi gjethet e rëna të vjeshtës që
si gjuhëza flake ofshanin nën këmbët e mia
me zjarrin e mbetur dikur nën hi…
Ecja e vetme
duke ndjerë prushin që më digjte,
jo këmbët,
Shpirtin!
Ishte vjeshta e fundit,
si sot,
kur një erë e marrë të mori nga krahët e mi
e më la fillikat,
… veç prushi mbeti nën hi!
Tani fillojnë shirat e vjeshtës
që dot s’e shuajnë këtë mall,
se nën këmbë sërish unë të ndjej
të valë!
Dua të eci nëpër shi
pa çadër,
Le t’më lagë e të më bëjë qull,
fustani le të më bëhet lëkurë…
Zjarri i dikurshëm nuk u shuaka
kurrë!
A do ketë vjeshtë tjetër
si vjeshta jonë,
ta ngroh ketë trup të mpirë?!
Folmë,
pergjigjmu në ëndrrat e natës,
veç aty jepma fjalën!