Elvira Zeneli-Sa e ftohtë kjo natë…!


SA E FTOHTË KJO NATË…!

Si erdhi ky fundvit kështu,

I beftë,

I trishtë,

Si një pikë loti e gremisur

Diku në cep të buzëve!

Ditët ngecin pa mëngjese

Dhe Hëna

Si fytyra jote e ikur,

E pafjalë.

Besëthyer!

Do pinim të dy deri në agim

Këtë pragviti,

Gjumin do mbanim zgjuar,

Me plot rrokullisje

E eksplorime puthjesh!

Tash,

Gota e vetmuar e verës

Më ngjan me shandanin

Ku digjet një qiri përshpirtjeje

Dhe unë,

Kallogreja,

Flakën e mallit pi!

Kështu deri në pafundësi…!

… Sa e ftohtë kjo natë,

Pa një përqafim,

Pa një Dashuri!

Se më s’je ti!

About Post Author