Sa Fisnikë qëndroni në Fronin e zemrës sime, o të urtët e mi!Seti Pezaku Vladi


Sa Fisnikë qëndroni në Fronin

e zemrës sime, o të urtët e mi!😢😢

U prehshit në paqen e Zotit!🙏🏻🙏🏻

NËNA IME

Nëpër kopshte yjesh vargjet t’i mblodha,

një bust mes tyre je ti, e shtrenjta ime,

fronin me kurorë për ty unë e zgjodha,

si pika e vesës e ndritur në agime.

Në dorën time, e vogla dor’ e zbardhur,

në syt’ e mi, rrudhat fytyrës lënë,

në zemrën time, gjaku yt pandalur,

në jetën time, madhështia jote, nënë!

E gjithë qenia jote është thesari im,

i pari mall i jetës i ndezur zjarr,

e trëndafilta puthje, e para kundërmim,

e para fjalë e buzës, e fundit që do marr.

@seti pezaku vladi

LULE TË BARDHA

Në flokun tënd të zi

çelën lule të bardha

e binin nëpër dhembje vitesh,

nënokja ime!

Ah, ato lule,

ruajtur në kornizën e syrit tim!

Pranverave kur çelin

më kthejnë tek floku yt,

nëpër ato petale

i trishtë mendimi shkon

tek ajo ditë kur

shpirti yt fisnik

dalëngadalë

fluturoi nga duart e mia

larë me gurrën e lotit;

si pëllumb u ngjit në qiell

nëpër re të bardha,

në kopshtin e yjeve!

@seti pezaku vladi

———☆☆☆

BABAIT

Me shkulme ngjyrash hyri sot prilli,

Siluetën fisnike të babait më vizatoi,

Dhembjen kujë, kristal plasaritur,

Psherëtima e shpirtit stuhi e mbuloi.

S’e mbajta dot amanetin e muzgut,

Përroi i lotit rendi drejt selvisë,

Dridhet buza mbi mermerin vesëlarë,

Mbi mallin e gjumnajës përjetësisë.

@seti pezaku vladi

MALL

Aah Baba!

Mall i ndezur

që sfilit në heshtje,

dhembje e pashuar që gërvisht!

Ky mister paskaj në jetën e njeriut

mbeti enigmë e pazgjidhur nga dituritë,

dimensioni i vetëm i kuptimit të jetës.

Mizore do të ishte

të jetuarit pa këtë zinxhir lidhje

nga i gjalli tek i vdekuri!

Kjo lidhje e pazgjidhshme

më thërret të vij drejt qiparisave

galvanizuar me dritë argjendi

ku vajtojnë kumritë.

Ngjitet malli trëndafilave të verdhë

mbjell nga ti Baba, në oborrin e shtëpisë.

Në të verdhë janë ngjyer edhe hijet e tyre,

erëmimi shpërndahet

me tingujt e muzikës tënde

shpirtit të qytetit!

Çdo gjurmë e jotja,

o engjëlli im,

më sjell të gdhendur portretin tënd fisnik

me gonxhen e verdhë

vendosur në xhepin e vogël të xhaketës.

@seti pezaku vladi

———☆☆☆

Poezi-TANKA

(Nga libri “BLIC” me poezi-tanka).

☆☆☆

* Mbrëmë më erdhi

Nëna e babai.

Pluskonin në sytë e mi;

Pasthirrma e mallit tim,

Prap më la në vetmi.

☆☆☆

* Kur vij tek ti baba

Me krah’ ere fluturoj,

Sikur ngrihesh, portën hap…

Kthehem rënduar

Me dhembje pashuar.

☆☆☆

* Rinuat

Kur rinìa nuķ rinonte,

U plakët

Kur plakja vononte.

Dy nyje lidh në zemër!

☆☆☆

@Seti Pezaku Vladi