Sa i bukur vendi im-Majlinda Pajaj


Sa i bukur vendi im

Sa i bukur është vendi im ,

Kalldrëm me gurë, lashtësi e shkruar,

Hapat më shplodhen mbi mrekullinë,

Gjerdan rrethuar, mallit të zgjuar.

Sa i bukur është vendi im,

Rrugët më veshën, stolisur nuse,

U çel pranvera, shpirtit më ndrin,

Lulja e blirit aromë prej fushe.

Sa i bukur është vendi im,

Tiranën shëtita edhe nga blloku,

Liqen përtej, në perëndim,

Lulëkuqe endur, në fije floku.

Sa i bukur është vendi im,

Një Pogradec, si perlë e shkruar,

Mjelmat e tij për dashurinë,

Driloni jetë më ka dhuruar.

Sa i bukur është vendi im.

Me serenatë më priti Korça,

Arti, kultura, shpërthen magjinë,

Rilindje shpirti aty unë mora.

Sa i bukur është vendi im,

Në Gjirokastër rrugët kalldrëm,

Çercizi thjesht bën historinë,

Se përse Shqipja qëndroi në këmbë.

Sa i bukur është vendi im,

Selam Musai bregut mbi Vlorë,

Poshtë në Himatë pashë mrekullinë,

Në Llogara prek retë me dorë.

Sa i bukur është vendi im,

Ah në Sarandë, këngës ja mora,

Përskuqur qielli në perëndim,

Me zë bilbilash detin e zgjova,

Sa i bukur është vendi im,

Kur lart në Krujë kalasë ju ngjita ,

Aty lexova krejt historinë,

Shkruar në bedena, e nëpër prita.

Sa i bukur është vendi im,

Lotët unë syve, dot nuk i ndalja,

Shkova në Fier, qytetin tim,

Më priste nëna me flokët e zbardhura.

Sa i bukur është vendi im,

Këtu ku shpirti më është larë,

Si dallandyshja shkon në shtegëtim,

Do kthehem prapë, mbytur në mall.