Sa Mall-Imer Hysa


(Universitetit Bujqësor)

Imer Hysa

Asgjë nuk qenka si më parë

Gjithçka pothuaj e tjetërsuar

Nga ndërtesat ngjyrë shpërlarë

Dhe gjer te pylli i gjelbëruar.

Dhe fakultetet s’qenkan ato

S’i paskan më emrat e parë

Shumë nga godinat, pa shiko

Paskan ngel’ si njollë në hartë.

Ku janë ato, rrugët e ngushta

Që gjarpëronin përmes pyjesh

S’ka trëndafila, as ligustra

As portokalle, as parqe bletesh.

Nuk qenka më vreshta e rrushit

As fusha e sportit te reparti

Lavanderia askund nuk duket

Mensën aspak syri s’ma kapi.

Malli më dogji për miqtë e hershëm

Vallë, ata sot ku mund të jenë?

Disa prej tyre i kam ndeshur

Ndërsa shumica e lanë atdhenë.

Malli më ndizet për profesorët

Që në atë kohë ishin, si prind

Për ta në zi, ngjajnë auditoret

E korridoret nga heshtja nxijnë.

Diku në qendër e ndaloj hapin

Dhe sjell ndërmend një tjetër jetë

Kur me ca miq e nisëm vrapin

Tek ëndrrat hidhnim në gazetë.

Dhe erdha sot te ky vend prapë

Në fakt, u ndodha pak rastësisht.

O zot, një brengë në gjoks ç’më kap,

Dhe malli prush ç’më djeg në shpirt!

Nuk qenka më ky vend, si e lashë

Në moshën e hershme studentore.

Ky vend i shenjtë, më i bukuri start

Për rrugët e jetës, ka mbetur prore…