Sa mirë jeni o Xuluf !


Sa mirë jeni o Xuluf !

Boris Miska

Zilja e portës ra disa herë pa ndërprerje derisa u ngjir, por Zylyfi nuk e tundi terezinë nga divani, e dinte se kush ishte ndaj s’guxonte ta hapte derën.

Priti disa minuta dhe para se të dilte pa në fillim tek syri magjik në kishte ikur apo jo qiramarrësi dhe uli me kujdes dorezën e pavajisur.

Mbi leckën e këmbëve ishte hedhur një fletë e bardhë me format standart.

E mori dhe e ktheu së mbari, ishte fatura e UKT-së që i kërkonte të paguante njëmijë e pesëqind lekë për ujin e konsumuar në një muaj.

E palosi në katërsh që ta nxinte xhepi i majtë i xhaketës dhe u dha poshtë shkallëve të ndotura me ambalazhe çokollatash e patatinash të hedhura shkujdesur nga fëmijët.

Kur arriti në plate të fundit pas së cilës të shfaqej pamja e parapallatit me makina parkuar edhe këto për së prapthi e në drejtime të ndryshme, vuri re me bisht të syrit një grumbull letrash të lënë ashtu pa kujdes pranë bokseve të sahateve, me siguri në rrëmbim të nervozuar të emrit prej çdo komshiu.

I ktheu edhe ato me krye lart dhe filloi të kërkoj mbi fletë emrin e kryefamiljarit tek i cili banonte prej vitesh me qira.

Selman, Sel….., …man…s s s s s, ja ku qënka.

Shikimi ju ngul menjëherë në kolonën ku qe shkruar me gërma të bollduara shuma totale e lekëve, me tvsh brenda, në pritje për t’u shlyer.

Një qind e…12, 378,99 lekë, sytë filluan ti erren, e afroi letrën më shumë për tu siguruar në ishte njëmijë e dyqind apo dymbëdhjetë mijë.

-Dymbëdhjetë mijë…bo bo, buçiti së brendshmi!

Fleta i ra nga dora dhe instiktivish u mbajt pranë murit derisa pamja filloi t’i kthjellohet.

E mblodhi veten, u ul me kujdes, rrëmbeu faturën e energjisë e futi pa palosur në xhepin e djathtë e filloi të çapitet nga zgavra e hapur pa suva e hyrjes së pallatit.

Doli në rrugë me dy xhepat e rënduar, brenda të cileve ishin strukur letrat e ujit dhe të energjisë elektrike, duke u anuar më shumë nga e djathta ku flinte fatura e OSHE-s me atë shumë prej së cilës Zylyfit për pak sa s’i kish rënë të fikët.

-Vajta dhe u pispillosa pale, po mendonte me vete, vura dhe kollare, kush e di si i dukem botes si i kamur!

Ju kujtua shprehja e mikut të vet që ia përsëriste sa herë; qofshim si na dinë e mos qofshim si jemi o Zylo.

-Ta marrin vesh këta që unë jam trok pa një kacidhe në xhep do ma hynin me domate!

E shkëputi nga e llafosuara me vete një zë i dëgjuar që e thirri në emër.

-Xuluf, ej Xuluf, dove va!

Njohu menjëherë zërin e Frankos, mikut nga Italia që s’e kishte parë prej disa vitesh.

Mallkoi veten që ishte endur trotuarve ashtu i përhumbur me dy fatura në xhaketë, pa shikuar kush i vinte përpara.

U kujtua që në xhep mbante vetëm monedhën njëqind lekshe, sa për një kafe e për t’u kthyer me autobus nëse fillonte shi me rrebesh.

Franko italiani e përqafoi Zylyfin me mall, pa ia hequr duart nga supet.

-Sa mirë qënke mor Xuluf, ‘il vero signore’, me kostum e kollare, tamam diplomat, nuk ke ndyshuar fare.

Zylua i varfër tundi kokën duke pritur që miku italian t’i lironte supet, e desh zoti të thyente qafën në punën e vet.

-Do pimë një kafe, si i thoni ju shqiptarët, më ka marrë malli Xuluf, dua të llafosem me ty.

-Po habitem me Shqipërinë, lëre Tirana, ka ndryshuar komplet!

-Dio, megjithë këto këto vetura luksoze, baret plot, kafe duhan, pije, qefë-qefë Xuluf si i thoni ju albanesët.

-Sa mirë që jeni o Xulo, sa keni ecur!

Franko më në fund ia hoqi duart nga supet, i futi krahun Zylos dhe e shtyu tek një Bar Caffe ”Milano” aty fare pranë.

Lokali jo rastesisht kishte qëlluar i shtrenjtë dhe luksoz. Kishte plot të tilla në atë rrugë.

-Sa mirë që jeni o Xuluf sa mirë, refrente pa u lodhur miku përtej Adriatiku!

-Jam i surprizuar, vazhdoi ta përsëriste për të satën herë, tashmë i ulur në lokalin modern dhe me kamarier tek koka në pritje të porosisë.

-Ishalla merr vetëm kafe, ndryshe u dhj…..!

E mblodhi mendjen nga frika se mos fjala e pisët i binte mbi tavolinë.

-Dy wisky me akull dhe kikirik me kripë, porositi hezber Franko dhe e sistemoi fletën e plastifikuar të Menus në formë piramide anës tavolinës.

Zylua i mbledhur grusht prej hallit të mbivendosur si me porosi pas dy të medhajave që kishte në të majtë e në të djathë të xhaketës, hidhte sytë vjedhurazi mbi çmimet e menus.

-Pije të ftohta, jo, jo!

E vërtiste piramidën menu nga ana tjetër me mendimin se italiani nuk po e shikonte.

-Pije të ngohta, as këtu më poshtë dhe rrëshqiste sytë herë-herë në pauza kur Franko se kishte mendjen dhe rrëmbehej nga entuziazmi i vet.

-Pije alkolike…wisky..!

-Me akull 400.. pa akull 350 lekë dhe po vërtitej mbi masën e ngrirë tek notonte në gotën e pijes me një mllef të brendshëm që ia kishte shtuar vlerën çmimit me njëmijë lekë më tepër.

-Xuluf u hapën negociatat e mora vesh!

-Shumë shpejt njëlloj si gjithë europianët.

-Dy popuj Xulo, një det, amico mio.

-Do bëhet Adriatiku si përrua, një hap dhe matanë, do na vish në Bari!

-Shiko se të zemrohem ë ë ë, merr gruan e femijët dhe hajde, të presim!

-Sa mirë që do bëhet mor Xulo, sa mirë!

Thënia e kësaj shprehje sa herë rrënkëllente pijen e ftohtë erdhi dhe e rëndoj aq shumë gjëndjen psikologjike të shqiptarit aq sa për momentin deshte të ulërinte e ti thoshte me zë të lartë; basta, na çave ….por Zylo e mbajti veten.

I vajti dora në xhepin e djathtë aty ku flinte fatura e OSHE-s dhe e mblodhi fletën shuk a thua se ajo ia kishte fajin.

Tashmë xhepit të majtë as ia vinte veshin, se ata të ujësjellësit edhe po të mos i paguaje nuk ta presin ujin.

Ndryshe me elektrikun, këta s’të falin, një pincë dhe përfundon me qiri.

-Sa keni ecur o Xuluf, me autostrada, termocentrale, turistë, makina luksoze,investime, kulla..qef-qef albansi Xulo!

Zylyfi tundte vetëm kokën dhe mendjen e kishte tek xhepi i djathtë nga ku dora nuk i shqitej më.

I dukej sikur letra e elektrikut ia kishte gllabëruar deri tek rripi i sahtit, tamam si në një rast kur oktapodi i ishte mbështjellë në kyç në bregdetin e Jugut.

-Në vjeshtë të pres Xulo, në vjeshtë.

-Sa mire jeni o Xuluf!

Aq herë ia përsëriti atë shprehje saqë Zylyfi filloi ta besoj se vërtetë ishin mirë…

About Post Author