Sa shumë asgjë ka brenda teje,
Sa shumë asgjë kam unë poshtë gjoksit,
Sa shumë asgjë si mirazh reje,
Asgjë, asgjë përveç botoksit!
Kumbimi i shpirtit dritë e artë,
Sa shumë asgjë më jep në ditë,
I pasur jam në duar thatë!
E fshiu era lozonjare,
Vështrimin tënd gjithë flirt e puthje,
Nuk ka më lule në dritare,
Plot në asgjë kanë ikur tutje!
Ti mori dreqi nazet, ledhat,
I mbylli s’di se në ç’sirtar,
E unë pres, ndreq hipotezat,
Dhe prapë asgjë dua të marr!
Po eja eja të më mbytësh,
Merak asgjëje të pa tundur,
Në lumë vërshimesh të më zhytesh,
Pa pasur frikë se më ke humbur!
Pa pasur duarve shandanin,
Në errësirë mikrobotiste,
Mbaje në qafë prapë gjerdanin,
Me kokrra misri, kallamishte.
Mbaje në zemër dashurinë,
E ledhatimet mos mi shfaq,
Ato vetiu do më vinë,
Në udhëtimin shkurtaraq.
Ato patjetër do e thonë,
Fjalën e fundit nga askundi,
Se bota sot feston të shtunë,
E djela nesër do na shkundi!
