SAKIP CAMI

MATURA 72
(Roman për të rinj dhe adoloshentë)
Tiranë, 2022
Redaktor: Ahmet Prenci
Çdo ngjashmëri me njerëz dhe ngjarje është krejt e rastit.
Prolog
Vjen një kohë dhe thinjat të pushtojnë kokën, rrudhat të mbulojnë fytyrën dhe trupin ta përshkojnë mornicat e dhimbjeve sikur diçka po të këputet, sikur nuk është më trupi yt.
Bashkë me këto shenja pleqërie vinë edhe kujtimet dhe refleksionet mbi të shkuarën tënde. Duket sikur bën bilancin e jetës dhe ky bilanc të del herë pozitiv e herë negativ.
Pranë kam mbesën time me laptop në duar. Pranë ka edhe Ipadin dhe telefonin, bisedon me shokët dhe shoqet, u shkruan miqve të njohur e të panjohur nga i gjithë globi.
-O gjysh, cila kohë ka qenë më e mirë dhe më e drejtë, ajo që ke kaluar ti, apo kjo që po kaloj unë? Më drejtohet mbesa duke më parë drejt e në bebe të syrit e duke pritur me padurim përgjigjen time.
-Po ja moj bijë, seicila kohë ka të mirat dhe të këqijat e veta, ka heronjtë dhe njerëzit e saj.
Koha e gjyshit tim ishte koha e luftës parë botërore e luftës kundër serbve, ku gjyshi u plagos dhe më pas vdiq pranë tokës së tij.
Koha e babait tim ishte koha e luftës së dytë botërore, e luftës kundër pushtuesve fashistë dhe nazistë, ku babai doli me armë në dorë në luftë për çlirimin e atdheut dhe më pas punoi për rindërtimin e vendit të shkatrruar nga lufta.
Koha ime ishte koha e luftës së ftohtë, koha e përplasjes së superfuqive dhe e dëmtimit të popujve të vegjël. Brezi im ishte brez i humbur me një ideal që vdiq rrugës pak nga pak derisa dha shpirt. Koha ime ishte koha e asaj lufte, për të cilën nuk e dinim përse luftonim. Herë luftonim me njëri tjetrin, herë me natyrën, herë me vetë Perëndinë. Por e pati edhe kjo luftë të mirën e saj se mbrojtëm vendin, natyrën dhe njëri tjetrin.
Më e mirë është kjo koha juaj, kjo koha e sotme, ku ju rriteni me të gjitha kushtet, e përfundova përgjigjen për mbesën, që nuk mbeti e kënaqur prej përgjigjes sime, herë diplomatike e herë pranë së vërtetës.
-Po ne, mbetëm të mbyllur more gjysh, ne po bëhemi robër të internetit dhe të rrjeteve sociale. Ne na mungon liria e të qënit i lirë. Na trego si ishte koha kur ti ishe në gjimnaz që ta bëjmë vetë krahasimin dhe dallimin.
E mora si detyrë këtë bisedë me mbesën time, por jo vetëm si detyrë sepse brenga për të shkruar për kohën e gjimnazit më kishte munduar prej kohësh.
FILLIMI I NJË JETE TË RE
I
Ishte 1 shtatori i vitit 1968. Një ditë e shënuar për mua, ndonëse për shumë të tjerë ishte ditë fare e zakonshme. Xhaxhain e kisha shtrënguar fort për dore sikur do të më ikte. Atë ditë do të regjistrohesha në shkollën e mesme. Ecja ngadalë, ndonëse xhaxhai donte të nxitonim sepse do të shkonte në punë. E thërriste detyra. Ai ishte oficer në repartin ushtarak në periferi të qytetit industrial, në një majë kodre, Mal i Bardhë, i thonin, por askush nuk e shpjegonte përse quhej kështu.
Unë nuk e njihja qytetin fare. Deri në atë kohë kisha dalur vetëm dy herë nga fshati. Një herë në takimin e nxënësve të dalluar në Tiranë dhe një herë tjetër në Kampin e Pionerëve në Durrës.
Qyteti i Delishit ishte një qytet i ri, i sapondërtuar dhe që po vazhdonte të zgjerohej. Kishte marrë emrin e fshatit ku ishte ngritur. Fshati i vogël njihej që në lashtësi. Kalaja e Sebastës i rrinte si kurorë mbi krye. Ndoshta kjo kala kishte marrë emrin e Princit Sebasta nga Kurbini. Tani kishin mbetur vetëm disa mure, për të cilët nuk kujdesej askush. Vetëm një tabelë me mbishkrimin :”Vend historik”, “Ruhet nga shteti” dhe asgjë më shumë. Më tej në Albulenë ishte zhvilluar një nga betejat më të famshme të Skënderbeut.
Në krye të qytetit apo fshatit të dikurshëm kishte gurra të ftohta e shkrepa piktoreskë. Njëra prej gurrave rridhte vrullshëm dhe e përshkonte qytetin në anë të tij. Atje ku buronin gurrat ishin kullat e Selalve, kulla treqind vjeçare, ku jetonin brez pas brezi bijtë e këtij fisi dhe që nuk donin t’ja dinin për qytetin.
Përmbi qytetin e ri, si një kurorë, qëndronte një kishë shekullore që kishte bërë histori. Kisha e Shën Ndout identifikonte qytetin, por jo zyrtarisht sepse një vit më parë feja ishte ndaluar. Tani vetëm përshpëritej vesh më vesh për mrekullitë e Zotit dhe të kësaj kishe.
…Kisha humbur në mendime, por tërheqja paksa e fortë e xhaxhait më shkundi. Isha vetëm 14 vjeç. Kisha veshur një triko leshi të përzier, gjysma lesh delje dhe gjysma lesh dhije. Kush ka provuar në trup leshin e dhisë e di fort mirë se sa të ferron. Në dorë mbaja dëftesën e klasë së tetë. Dora ishte lagur nga djersa dhe sikleti. Megjithëse dëftesa “shëndriste” nga dhjetat, përsëri sikleti im ishte i paparë. E vetmja gjë që më gëzonte ishte kjo dëftesë me dhjeta. Por a do të bënin punë dhjetat për tu regjistruar në një rreth tjetër të vendit ? !
Me trup të shkurtër, të imët dhe shëndetlig nuk ja mbushja mendjen askujt. Shkollë të mesme në fshat dhe në zonë nuk kishte dhe kështu e vetmja mënyrë shkollimi ishte të banoja tek xhaxhai dhe të ndiqja studimet në gjimnazin e këtij qyteti.
Truri im që zgjidhte në çast ekuacionet e algjebrës ishte bllokuar nga stresi i regjistrimit. Sakaq u gjendëm në oborrin e shkollës. Oborri gumëzhinte nga zërat e nxënësve. 1 shtatori, dita e parë e shkollës. Nxënësit e tjerë ishin regjistruar që në gusht, kishin blerë librat dhe ishin gati për mësim. Vajzave u shkëlqenin përparëset e atllasit të zi me jakat e bardhë dëborë, ku poshtë përparëseve fshiheshin gjokset e tyre të bëshme. Edhe djemtë ishin veshur e hekurosur si për festë.
Unë jam rritur në atë kohë që nuk njihej adoloshenca. Ishim anëtarë të Bashkimit të Rinisë. Në moshën 14 vjeç, pasi bënim një kërkesë dhe pasi diskutohej në organizatën e Rinisë, pranoheshim në këtë organizatë, që ishte dhe që konsiderohej fidanishte e partisë. Përjashtoheshin nga kjo organizatë vetëm ata që ishin me biografi të “keqe” dhe ata që bënin sjellje të keqe në kundërshtim me vijën e partisë.
Në botë, mosha nga 13 deri në 19 vjeç, (thirteen –nineteen ) quhen adoloshentë, ose tinejxhër, por unë e kam të gjymtuar adoloshencën, për vetë faktin se unë e nuk e njoha atë. Në moshën 13 vjeç isha në kushtet e mbijetesës, në një shkollë 8 vjeçare dy orë larg fshatit dhe shtëpisë sime. Nuk kisha hapësirë e mundësi as të meditoja, jo më të thurja ëndrra. Tani jam vetëm 14 vjeç e gjysmë dhe nuk e di se si do të vazhdojë jeta ime. Gjysma e vitit midis katërmbëdhjetës dhe pesëmbëdhjetës sikur më buçet në vesh: gjysëm, gjysëm, gjysëm…
Frika nëse do të më regjistronin në shkollë apo jo më kishte pllakosur trupin. Vija nga një rreth tjetër. Duhej edhe një shkresë shoqëruese dakordësie nga seksioni i arsimit pranë Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit nga vija se ishin dakord që unë të vazhdoja shkollën e mesme në këtë qytet dhe në rrethin tjetër. Shkolla e mesme në lokalitetin tim ishte larg. Në atë kohë kishte një rregull që sot mund të duket absurd. Nuk lejoheshin dy vëllezër nga e njëjta familje që të shkonin për studime, që të bëheshin shofera, që të punonin jashtë fshatit në qytet. Unë kisha në këtë kohë dy vëllezër me studime në Durrës dhe në Shkodër. Kjo shkollë ishte mundësia ime e vetme.
Ndërkohë u futëm në sekretarinë e shkollës. Sekretarja, një mesogrua, shumë e sjellshme, sapo pa xhaxhain tim ushtarak, më kërkoi dëftesën. Dëftesën e mbaja në dorë. Sekretares i shkëlqyen sytë. Po regjistronte një nxënës me të gjitha dhjeta se deri në atë ditë kishte regjistruar vetëm pesanjosë dhe në të rrallë edhe me gjashta e shtata.
⦁ Vërtetimin e rrethit ma sillni më vonë, i tha ajo xhaxhait.
Xhaxhai nuk bëri zë. Atë vërtetim nuk e solla kurrë sepse edhe po të doja unë ta sillja nuk ma jepnin sepse ishte në kundërshtim me “urdhërin e brëndshëm” dhe mbi numrin e përcaktuar.
⦁ Mund të fillosh që tani. Klasa jote është e IX A, këtu në këtë kat.
Xhaxhai më shoqëroi deri në klasë dhe pastaj u largua për në punë.
Fillova kështu vitin e parë të gjimnazit në qytetin e ri të Delishit në shtator të vitit 1968.
II
Nxënësit e klasës sime i kisha sjellë ndërmend në të gjitha netët dhe ditët. Pyetje të shumta më rrinin në tru dhe s’më linin të marr frymë.
Si do të ishin ata ? Më të qytetëruar ? Më të zgjuar ? Më të bukur ? Më të rritur e të më të zhvilluar fizikisht ? Të veshur më mirë ? Më të …. ?!
Këto pyetje ma kishin drobitur trurin në kokën time të vogël dhe në trupin tim të imët. Unë vija i shkurtër dhe i dobët, ndërsa kishte të tjerë që në atë moshë ishin shumë më të zhvilluar fizikisht dhe kjo përbënte një shqetësim të brendshëm të vazhdueshëm për mua. Por si kudo vepronte mënyra e kompensimit te njeriu, te natyra dhe kudo. Unë kisha një zgjuarësi natyrale që bënte dallimin, ndaj dhe kisha rezultate shumë të mira në mësime.
Hyra në klasë, i skuqur deri në majë të veshëve. Një nxënës i ri në klasën e re. Shumica e njihnin njëri tjetrin se kishin qenë bashkë në shkollën 8 vjeçare të qytetit, ndërsa pjesa tjetër vinin nga zona rurale dhe rrethe të largëta sikurse edhe unë. Vështrimi i shokëve dhe shoqeve të klasës për një çast u përqëndrua te unë që sapo hyra. Nuk ishte çast. Për mua ishte i gjatë pambarim. Klasa m‘u duk ngjyra ngjyra. Nxënësit po ashtu. Binin në sy veshjet e tyre, sidomos ato të vajzave. Vajzat megjithëse me uniformë, përparëse të zezë atllasi dhe jaka të bardha që shkëlqenin e kishin gjetur mënyrën për të treguar edhe veshjet e tjera të veçanta. Përparëset i kishin prerë të shkurtëra mbi gjunjë, që të lejonin të dukeshin fundet e bukura prej stofi ngjyra ngjyra. Komçat e përparëseve lejonin të shiheshin trikot e bluzat e bukura të modës së fundit dhe poshtë trikove binin në sy gjokset e tyre të zhvilluara siç janë gjokset e vajzave pesëmbëdhjetë vjeçare, të cilat natyra i rrit para kohe edhe më shumë se vërsnikët e tyre djem. Dikush me sandale lëkure, dikush me sandale të „Gomë – Plastikës“ së Durrësit, dikush me atlete e dikush me këpucë të lehta të shtatorit ishin veshur si për festë. Dhe në fakt ishte festë. Dita e parë e shkollës.
Po djemtë ? Disa ndryshonin nga unë, veçanërisht çunat e qytetit, që ishin me pantollona të shkurtëra. Unë nuk kisha mbajtur pantallona të shkurtëra në shkollë time të fshatit. E kishim për turp të dilnim me pantallona të shkurtëra. Djemtë e rritur, burrat, nuk dilnin me pantallona të shkurtëra, ndonëse në atë kohë në kinematë e kohës qarkullonte filmi „Burri me pantallona të shkurtëra“.
Përveç çunave të qytetit në klasë ishin edhe djemtë e fshatit që udhëtonin disa orë larg për të ardhur në shkollë. Ata udhëtonin nga Gurasi, Patoku, Fusha e Kuqe, Adriatiku, Mali i Bardhë, Mamurrasi e Thumana për në qytet me ç’të mundnin, me autobuz, makina rasti dhe më të shumtën edhe në këmbë. Nxënësit nga Mamurrasi vinin me trenin e Tiranës që arrinte në Delish në orën 8.45. Ne ishim ndoshta e vetmja shkollë në Shqipëri që e fillonim mësimin në orën nëntë që të priteshin edhe nxënësit që vinin me tren.
Klasa qëlloi që kishte një raport të zhdrejtë djem – vajza. Kishte vetëm dhjetë vajza dhe tridhjetë djem, ndërsa klasa tjetër e një viti më parë kishte raport një me një, sa djem edhe aq vajza.
Filluam të prezantoheshim. ….
⦁ Sako Drini, thashë unë.
Ata u vetëprezantuan me rradhë, djem dhe vajza: Cufe Gjini, Petrit Kacadej, Gaz Tafaj, Sel Malbardhi, Martina Kolgecaj, Ada Berisha, Drita Gramshi, Paro Kostandini, Leze Fani, Viktori Pjetri, Shpresa Minai, Ana Tafili, Astrit Muzikanti, Skënder Muço, Ali Gurrzi, Frrok Pëllumbi, Prel Prela, Ndue Gjelaj, Zef Dukagjini, Fran Gurra, Pjetër Sybardhi, Nik Vataj, Nik Gjeloshi, Nik Ndreu, Jak Smaçi, Qemal Xhafzotaj, Piro Jaupaj, Bardhok Curraj, etj.etj.
Pirro jetonte te daja, Bardhoku te halla, unë banoja te xhaxhai dhe kështu si unë ishin shumë nxënës të tjerë të vitit të dytë si Malja, Sanija, Lefteri etj.
Në bankë më ftoi Cufja, një djalë i mirë me origjinë nga Mati që e kishte babain shofer eksporti. Me Cufen kishin dëshirë shumë veta të rrinin me të, por ai zgjodhi të rrinte me mua. Shpesh herë ma zinte vendin Anja dhe unë detyrohesha të shkoja në vendin e saj, të shkëmbenim vendet. Cufja e kishte pak bezdi këtë ndërrim se e stigmatizonin shokët, por Anja e bënte fakt të kryer. U bëmë shumë nxënës në vitin e parë, plot pesëdhjetë. Që të ndahej klasa duhet që numri të kalonte mbi 52. Fleta e regjistrit nuk nxinte më shumë se 52. Për dy nxënës klasa mbeti pa u ndarë. Një babiloni e madhe. Në klasën tonë kishte edhe 16 e 17 vjeçarë që kishin ardhur me vonesë pasi nuk kishin patur mundësi tjetër shkollimi. Shkolla e mesme e përgjithshme në këtë qytet industrial ishte hapur vetëm një vit më parë. Tani që e kishin marrë vesh të gjithë ishin dyndur drejt saj. Ne ishim matura e dytë që do të dilte nga kjo shkollë 1968 – 1972, pra matura e vitit 1972.
Kishte filluar të ndërtohej një qytet i ri. Shkolla e mesme e përgjithshme regjistronte fillimin e saj. Unë filloja një jetë të re.
Mësuese kujdestare na caktuan Liljanën, mësuesen e matematikës. Liljana vinte nga Tirana si dhe shumë shokë dhe shoqe të tjera të saj, mësues të shkollës. Tirana ishte distributori i këtij qyteti me inxhinjerë dhe arsimtarë. Liljana ishte shumë e rreptë. Që në ditën e parë nga prezantimi me ne mbeti e pakënaqur. Ajo vinte nga Shkolla „Ismail Qemali“ e Tiranës. Disniveli midis dy shkollave ishte i dukshëm.
Vangjelica ishte mësuesja e gjeografisë. Kishte ardhur nga Tirana. Ishte e martuar me një inxhinjer të Uzinës së Superfosfatit dhe banonte në qytetin e Delishit. Binte në sy për pamjen e saj. Kishte flokë shumë të shkurtër. I mbante të shkurtër nga halli sepse kishte një shenjë derme në kokë dhe e mbulonte me flokët e kthyer mbi të. Ndiqte modën, vishej mirë, nuk ja ndiente për asgjë.
Mua më donte. I vinte keq. Isha i vogël në trup, i veshur pa shije, me ç’të kishja. Kur erdha nga fshati, pa idenë e qytetit, me varfërinë e fshatit, me skamjen familjare isha veshur me rroba që binin në sy për modën e shkuar dhe për vjetërsinë e tyre.
Nëna, si të gjitha nënat, më kishte thurur një triko leshi që të mos mërdhihja sepse Delishi ishte qytet i ftohtë, kampion i erërave. Por ajo nuk kishte ku ta gjente leshin rudë, apo leshin e përpunuar dhe kishte sajuar një bashkim të leshit të deles së vetme me lesh dhije. Dhija, për ata që nuk e dinë, e ka leshin të ashpër, prandaj edhe trikoja kishte dalë me shumë fije të ashpra që dilnin mbi të tjerat dhe që binin në sy. Unë e ndjeja thellë ashpërsinë e saj.
Kjo nuk i kishte shpëtuar mësuese Vangjelisë. Unë nuk e kuptova kurrë përse mësuese Vangjelia ulej në bankën time, pranë meje dhe fillonte të m’i shkulte fijet e leshit të dhisë në trikon time. Ndoshta ajo donte të m’i hiqte sepse binin në sy, ndoshta englendisej me këtë “sport”, por për mua kjo ishte torturë. Sa herë ajo shkulte fijen e leshit të trikos sime, mua më dukej se po shkulej diçka nga zemra ime. E ndjeja vehten shumë keq, më vinte shumë rëndë. Të gjithë sytë e nxënësve ishin drejtuar drejt meje…
MËSUES DODA
-Unë jam mësues Doda, Dodë Pejani nga Peja e Kosovës. Besoj keni dëgjuar për Kosovën?
Kështu u vetëprezantua mësuesi i gjeografisë. Në të vërtetë informacioni ynë nga librat dhe shtypi për Kosovën ishte shumë i pakët. Në qershorin e vitit 1968, 90 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kaloi pothuajse pa u ndjerë në median dhe shtypin e përditshëm.
Mësues Doda ishte i ri, sapo kishte përfunduar fakultetin e histori – gjeografisë në Tiranë dhe ishte emëruar në gjimnazin tonë.
-Po ti Sako nga je ?
-Nga Dibra, ju përgjigja unë
-A e di se gjysma e Dibrës ka mbetur jashtë kufijve të vitit 1913 ? më pyeti mua
-E di, ju përgjigja unë. Në Dibrën e Madhe, që sot ndodhet brenda kufirit shtetëror të Jugosllavisë kam dajën tim me familje.- i thashë.
-A komunikoni me të? Më pyeti.
-Jo, ju përgjigja, as me letra, as me telefon, as me vajtje – ardhje.
Mësues Dodës ju varën dy pika lot dhe vrulltas ktheu kokën që të mos ta shikonim ne. Vendosi dy duart në tëmtha dhe u zhyt në kujtime…
… Ishte 18 vjeç. Edhe pak ditë dhe mbaronte viti i katërt i maturës dhe kishte projektuar mijëra ëndrra. Një natë e kishte harruar lart volumin e zërit të radios sepse zakonisht kur dëgjonin Radio Tiranën e ulnin zërin. Radio buçiste me këngën shqipe:
“Hej burri i motit/ gjak i Kastriotit/O mirëse na erdhe / n’kto anë…
Aty pari kaloi një patrullë e milicisë serbe. Kënga shqiptare ua prishi humorin dhe rehatin milicëve serbë. Trokitën me forcë në derën e shtëpisë.
-Milicia, thirri nëna e Dodës e trembur.
-E hap unë derën, tha Doda.
Doda e hapi derën dhe u përpoq që të ruantë qetësinë.
-Urdhëroni, zotërinj milicë !
-Ju po dëgjonit këngë shqiptare. Nuk ju pëlqejnë këngët tona të bashkim – vëllazërimit ?
-Na pëlqejnë, tha Doda, por na pëlqejnë edhe këngët shqipe sepse është gjuha jonë kombëtare.
-Ta tregojmë ne ty, këlysh shqiptar, gjuhën tënde kombëtare, u hakërryen milicët. Në Republikën federative ka vetëm një gjuhë, gjuha serbo-kroate. Do të vish me ne në rajon të milicisë.
E mbërthyen për leckash dhe ashtu siç ishte i paveshur mirë e morën zvarrë në makinën e milicisë.
Në milici Dodën e përplasën në një dhomë të errët pa dyer e dritare. Kishte vetëm një frëngji me hekura për të marrë frymë. E lanë tërë natën pa e marrë në pyetje. Të nesërmen dy milicë e morën nga qelia e paraburgimit dhe e dërguan në zyrën e hetimit. Në këtë zyrë kishte gjashtë hetues ku shefi ishte serb. Në makinën e shkrimit ishte një shqiptar. Shqiptari fliste vetëm serbisht. Doda dinte shqip dhe serbisht sepse serbishtja ishte e detyrueshme për shqiptarët në shkolla e kudo.
-Si të quajnë ?
-Dodë Pejani
-Sa vjeç je ?
-Tetëmbëdhjetë.
-Studion në shkollë apo punon ?
-Studioj në shkollën e mesme të Pejës.
-Pse dëgjon këngë shqiptare irredentiste ?
-Gjuha shqiptare është gjuha e nanës dhe kemi të drejtë ta përdorim, zotni hetues, i tha Doda.
-Ti do të na mësosh ne se kush është e ligjshme dhe kush është e paligjshme, ju hakërua shefi i hetimit.
-Unë thashë atë që di, atë që më kanë mësuar, ligjin tonë të përbashkët të bashkim – vëllazërimit.
-Ne na flet për bashkim – vëllazërimin dhe në shtëpi dëgjon këngë irredentiste shqiptare dhe ngre zërin e radios në kupë të qiellit.
-Ç’ishte ajo këngë ? Kush prisni të vijë në këto anë ? Nuk ju pëlqen ju udhëheqësia e Federatës Jugosllave ?
Doda nuk bëri zë më. Protokollisti shqiptar ia bëri me shenjë që të mos kundërshtonte.
-Nënshkruaj në këtë proces – verbal dhe nëqoftëse do ta përsëritësh ti dhe gjithë familja jote do t’ju fusim në birucën që ishe ti.
Dodën e liruan të nesërmen pas 24 orëve, por e mbanin në vëzhgim të rreptë. Ishte fundi i pranverës. Kishin nisur provimet e maturës…
…Mësues Doda u përmend dhe e mblodhi vehten. U zgjua nga ato kujtime të trishta.
-Mua të më thirrni mësues Doda, jo profesor. Fjala profesor sikur na largon dhe unë dua të jem sa më afër jush. Unë nuk e kam familjen këtu, as prindërit dhe as vëllezërit e motrat. I kam në Kosovë. Vëllezër e motra ju kam ju.
Futi regjistrin nën sqetull dhe doli nga klasa. Ne kishim mbetur si të shushatur, askush nuk pipëtinte.
-Mësues Doda është shoku im, theu heshtjen Sandri, më kapadaiu i klasës.
-Ti Sandër, të gjithë mësuesit i quan shokë, e thumboi Cufja.
-Unë kam luajtur futboll me të, para se të filloja gjimnazin, përpiqej të na mbushte mendjen Sandri.
Unë u shkunda. Dridhesha vetvetiu nga rrëfimi i tij. Mësues Doda kishte diçka të përbashkët me mua. Dhe kjo ishte historia, e kaluara. Unë vija nga një vend kufitar që Fuqitë e Mëdha e kishin ndarë me dhunë. Mua më kishte mbetur matanë kufirit daja, vëllai i nënës, familjarisht. Babait gjithashtu i kishin mbetur dajat familjarisht. Na kishin mbetur dhjetra kushurinj të nënës e të babait. Nëna ime qante vazhdimisht për vëllain që nuk e shihte prej vitesh që nga viti 1945, që nuk e dëgjonte në telefon, që nuk i dërgonte një letër. Letrat shkonin e vinin se posta ndërkombëtare funksiononte, por ato hapeshin dhe kontrolloheshin se çfarë ishte shkruar, prandaj nëna i kishte vënë zemrës një gur dhe kishte vendosur që as letra të mos dërgonte.
Po mësues Doda a dërgonte dhe merrte letra nga familja e tij në Kosovë, pjesë e Federatës Jugosllave ? pyesja vehten.
Në fakt mësues Doda shkruante letra dhe merrte prej tyre, por ai ruhej dhe i shkruante ato me fjalë të zgjedhura e të bukura që të mos cënonte sistemet politike as në Shqipëri dhe as në Federatën Jugosllave. Edhe kur sëmureshin apo vdisnin të afërmit nuk i tregonin se bëhej merak kot dhe nuk shkonte dot se kufijtë ishin mbyllur. Kështu ishte mësuar nëna ime. Kështu ishte mësuar mësues Doda. Mos u përshtat po deshe.
QYTETI I DELISHIT
Qytetin e Delishit nuk e kisha parë më herët. Edhe kur kisha kaluar me autobuz për në Tiranë dhe Durrës nuk e kisha parë sepse nga rruga e gjatë më zinte autobuzi.
Delishi ishte një qytet i ri, qytet industrial. Në ditët e para të fillimit të jetës në këtë qytet u mendua, bile pati një propozim që të quhej Qyteti i Ri, por u kundërshtua nga autoritetet partiake të kohës sepse sipas tyre qytetet e reja që po ndërtoheshin ishin të shumta dhe jo një i vetëm sikurse ai. Edhe fshati i vjetër mbi të cilin ishte ngritur ky qytet, ndonëse qindra vjeçar, ishte eklipsuar nga dy fshatrat anësore Pullazi dhe Anxhaku. Më pas nuk e vrau më mendjen për emrin e qytetit dhe banorët ja lanë Delish, se ky emër ishte historik. Një kishë e vjetër që nga koha e Venedikut akoma ishte në funksionim, megjithëse kishte një vit nga fillimi i revolucionit kulturor kinezo – shqiptar. Edhe ekipit të futbollit ja kishin vënë emrin „Industriali“, por nuk ishte as në kategorinë e parë dhe as në kategorinë e dytë. Në kategorinë e dytë ishte „Kastrioti“. „Albulena „ dhe „Kurbini“ ishin në kategorinë e tretë. Por shumë shpejt ekipi „Industriali“ me nxënësit e gjimnazit dhe inxhinjerat e rinj u fut në kategorinë e tretë dhe pretendonte për në kategorinë e dytë.
Qyteti ishte ndërtuar në lukthin e rrëzës së malit, në anë të rrugës automobilistike kombëtare. Në fillim ishte ndërtuar një shëtitore. Në mes të shëtitores dhe të rrugës nacionale ishte ngritur nga hiçi një lulishte e bukur me mijëra lule e pemë dekorative nga lulishtari duarartë Lulzim Taga. Në anë të shëtitores ishin ndërtuar pallatet e reja, luksoze për kohën, por uniforme në arkitekturë. Brenda apartamentit pothuaj të gjithë ishin njësoj, dy divanë me susta çeliku dhe mbuluar me damask, një bufe, një televizor bardhë e zi në bufenë prej druri arre ose qershije, një sobë drush e Uzinës mekanike „Partizani“ për ngrohje dhe një furnelë vajguri për gatim.
Pas pallateve me fasada të bukura ishin ndërtuar nga të burgosurit pallatet trekatëshe me tulla të kuqe.
Në periferi të qytetit drejt veriut shtrihej uzina kimike që lëshonte një tym të zi nëpërmjet një oxhaku të gjatë. Uzina rrethohej nga pirgu i mineralit të përpunuar dhe të papërpunuar që kuqëlonte dhe që kishte asgjësuar çdo bimësi për rreth. Bimësia kishte vdekur. Punëtorët punonin me maska në fytyrë për të përballuar toksifikimin dhe pinin nga një shishe me qumësht, por shumica e sillnin në shtëpi për fëmijët.
Në krah të kombinatit kimik ishte Parku i mallrave me qindra automjete të tipit „Skoda“ me rimorkio të gjata. Punohej ditë e natë. Të punojmë e jetojmë si në rrethim, kjo ishte parrulla e ditës. Skodat me rimorkio transportonin mineral kromi dhe mineral piriti bakri që nga minierat e maleve të Dibrës, të Matit e Mirditës. Parku ishte ngritur në fshatin Pullaz, fare afër me qytetin dhe në krah të uzinës së superfosfatit.
Në skajin tjetër të qytetit ishte kombinati i përpunimit të drurit. Lënda drusore vinte me kamionë nga pyjet e Fushë Arrësit dhe përpunohej këtu. Qindra punëtorë punonin në këtë kombinat. Dhe fare pranë kombinatit ishte fshati lagje e qytetit, lagjja Anxhak. Pjesa dërmuese e kësaj lagjeje punonte ne fermën bujqësore të Gjormit, ndërsa specialistët punonin në të gjitha ndërmarrjet industriale të qytetit, në ndërmarrjen e ndërtimit të veprave industriale, te fabrika e superfosfatit dhe në ndërmarrjet ndihmëse si tregëti, shërbime komunale etj.
Stacioni i trenit kishte gjallëri të madhe gjatë gjithë ditës nga lëvizja e madhe e njerëzve dhe mallrave nga Durrësi e Tirana drejt Shkodrës.
Prindërit e nxënësve që disa prej tyre tanimë ishin prindërit e shokëve të klasës dhe të shkollës sime ishin njerëz të thjeshtë të ardhur nga gjithë Shqipëria nga Saranda në Shkodër. Babai i Cufes ishte shofer eksporti. Cufja ishte ndër të rrallët në qytet që kishte televizor „philips“ dhe që vishte rroba të „jashtme“. Petriti e kishte babain punëtor në një kantier të largët rruga – ura. Gazi e kishte lulishtar, Afërdita e kishte polic, Ana e kishte mësues, Alqi e kishte inxhinjer, Sanija ishte e ardhur sikurse edhe unë. Po kështu Pirro, Bardhoku dhe Lezja. Të gjithë ishim „njëlloj“ , një okë më shumë, një okë më pak. Kjo ma lehtësoi pak mërzitjen e fillimit dhe më bëri të mundur të zë shpejt shokë në shkollë dhe jashtë saj.
Qyteti kishte gjithçka që i duhet një qyteti, pallat kulture, kinema, shkollë të mesme e spital. Për nevojat e spitalit u kthye hoteli i inxhinjerëve, të cilëve ju ofruan apartamente të tjera.
Në këtë qytet kishte ardhur për efekt qarkullimi dramaturgu Kol Jakova. Vajza e tij, Vita ishte shoqja jonë e gjimnazit, ndërsa djali i tij Sokoli vazhdonte studimet e larta në Tiranë. Shkrimtari Spiro Xhai sapo kishte përfunduar një roman me temë nga jeta e klasës punëtore. Kompozitorët Flamur Laro dhe Rruzhdi Keraj e kishin bërë këtë qytet të gumëzhinte nga veprimtaritë kulturore dhe artistike. Mësuesi ynë i përgatitjes fizike Ndoc Mirdita mbi bazën e gjimnazit të qytetit dhe të uzinës së superfosfatit kishte ngritur ekipin e futbollit, ekipin e basketbollit dhe të volejbollit të qytetit. Mjeshtrja e sportit, qitësja Shahije Dibra së bashku me një grup djemsh dhe vajzash kishte ngritur ekipin e qitjes dhe kishte ndërtuar poligonin e qitjes në kodrën e këtij qyteti.
Qyteti gumëzhinte ditë dhe natë nga veprimtaritë sportive dhe ato kulturore –artistike, veprimtari që ndikonin drejtpërdrejt në formimin tonë si të rinj.
HITI YNË MUZIKOR DHE MËSUES DODA
Një pasditë pas lojës së futbollit mësues Doda na mblodhi rreth vehtes si zogjtë rreth klloçkës dhe na mësoi një këngë që këndohej në Kosovë. Kënga titullohej: „Vajza me kaçurrela“. Ai kërkoi Astrit Muzikantin që ta shoqëronte me fizarmonikë. Astriti nuk e kishte qef futbollin, por vinte të na bënte shoqëri.
Doda e këndonte këtë këngë me nostaligjinë e viteve të gjimnazit të tij, atje në Pejë tëb Kosovës. Astriti e shoqëronte me fizarmonikë pak nga pak deri sa e mësoi melodinë.
„Në lagjen tonë është një shitore
Ku shiten karamela
Por kryesorja është punëtorja
Me flokët kaçurela.
Ma jep këtë, edhe atë, edhe këtë
Kaçurrelja…..“
Kënga shpejt u bë hiti ynë dhe vetëm i yni sepse edhe mësues Doda ishte vetëm i yni. Astriti e shtoi në repertorin e tij të mbrëmjeve të vallzimit.
Pas këngës Doda përsëri ra në mendime…Ju kujtuan ato ditë të vështira kur mori vendimin e madh…
Kishte mbaruar shkollën e mesme dhe për të vazhduar shkollën e lartë në Prishtinë apo në ndonjë qytet tjetër as që bëhej fjalë pasi emri i tij ishte rrethuar me laps të kuq me shënimin „irredentist“. Irredentist për ata që nuk e kuptojnë do të thotë njeri që përkrah teorine dhe praktikën e shkëputjes së Kosovës nga Jugosllavia e atëhershme dhe bashkimin me Shqipërinë.
-Po më bëhet jeta skëterrë, mendonte Doda. Milicët e ndiqnin nga mëngjezi në darkë dhe nga darka në mëngjez. Një qeli e kishte të rezervuar. Ajo qeli e mallkuar e zezë sterrë i shfaqej çdo natë në gjumë, i shfaqej edhe ditën me sy hapur. Tmerri po i bëhej pjesë e jetës. Tmerr pa fund.
Arratisja drejt Shqipërisë, atdheut mëmë, po i rrinte në kokë orë e çast. Po si ? A do të mundet? Po prindërit, vëllezërit motrat ku do t‘i linte ? Ato do të kishin fatin e zi të pëndjekjes.
Një natë pa treguar fare në shtëpi Doda shkoi te tezja në Gjakovë pranë kufirit me Tropojën. Tezja u gëzua, por nuk e pyeti se përse kishte ardhur. Nuk pyetet nipi se përse ka ardhur te tezja e vet. Edhe natën e dytë qëndroi te tezja sepse vendi u mbulua nga bora dhe në dëborë të spiunonin gjurmët se kufiri kontrollohej në të dy anët. U kthye në shtëpi së bashku me vendimin që kishte marrë se pas shkrirjes së dëborës do të kalonte kufirin në Morin të Tropojës. Kishte bërë planin dhe priste vetëm momentin.
Pas shkrirjes së dëborës Doda gjeti çastin. Ushtarët e Serbisë kishin një festë dhe ishin mbyllur në karakollin e tyre. Kaloi në errësirën e sapo krijuar dhe ju afrua postës së kufirit të Morinit të Tropojës. Kufitarët e ndaluan dhe ai u dorzua.
-Jam shqiptar nga Peja, u tha ai ushtarëve të Shqipërisë. Posta kufitare pasi e mbajti atë natë në postë të nesërmen e shoqëroi për në Degën e Brendshme të Tropojës.
Në Degën e Punëve të Brendshme e pritën si të dyshuar. Doda kishte menduar se do ta prisnin si shqiptari shqiptarin, por ishte gabuar. Dhoma ku e kishin futur nuk kishte ndonjë ndryshim të madh me dhomën e izolimit atje në Pejë. Oficeri i Degës së Punëve të Brendshme nuk kishte njohuri historike dhe gjeografike për shqiptarët e Kosovës.
-Çfarë je ti ? e pyeti ai Dodën
-Shqiptar nga Peja, ju thashë, përsëriti Doda.
-Po në dokumenta ju keni nështetësi serbe ?
-Nënshtetësi serbe dhe kombësi shqiptare, sepse pas vendimeve të Fuqive të Mëdha të vitit 1913, Kosova ju aneksua Jugosllavisë, i shpegonte Doda oficerit shqiptar, që nuk kuptohej a nuk kishte njohuri për fatin e shqiptarëve të Kosovës apo kështu ja donte puna.
-Ke shkelur kufirin shtetëror djalosh.
-Është toka e vëllezërve të mi, zotni oficer, është toka e Shqipërisë amë.
-Unë nuk jam zotni, mbaje gojën, unë jam oficer i Republikës Popullore të Shqipërisë. Përse të kanë dërguar ? Për çfarë misioni të kanë dërguar ?
-Kam ardhur vetë, nuk më ka dërguar njeri. Kam ardhur sepse atje donin të më burgosnin sepse dëgjoja këngë shqiptare.
-Përralla, kështu thoni të gjithë ju që vini prej Jugosllavie dhe më pas bëheni agjentë të Jugosllavisë Titiste.
-Zotni oficer, çka po thoni ? Unë erdha të ndjek studimet në Shqipërinë mëmë, erdha t‘i shpëtoj terrorit titist e ju po më quani mua spiun ?
-Do t‘ ju kthejmë përsëri nga keni ardhur.
-Më vritni ju se unë nuk dua të kthehem më atje, pasi do të më vrasin ose do të më burgosin përjetësisht.
Marrja në pyetje vazhdoi gjatë.
…Pas disa ditësh më caktuan në një konvikt të tipit kamp refugjatësh me shqiptarë të ardhur nga ish Jugosllavia. E mira ishte se tanimë isha në Tiranë, në kryeqytetin e Shqipërisë mëmë, që aq shumë e kisha ëndërruar. E kuptoja ndjekjen dhe vëzhgimin, por aq më bënte. Unë isha i vendosur në rrugën time, të studioj në shkollë të lartë dhe të bëhem dikushi për Shqipërinë dhe Kosovën. Besimin se një ditë Kosova do të çlirohej dhe do të bashkohej me Shqipërinë e kisha të palëkundur. Lajmin se më kishte dalur bursa për degën histori – gjeografi në Fakultetin e Histori – Filologjisë në Universitetin e Tiranës ma dha kujdestari i konviktit. Sa nuk fluturova nga gëzimi.
-Hë Dodë, do na ikësh prej këtu. Që nga sot do të transferohesh te konviktet e qytetit „Studenti“ . Të ka dalë bursa për universitet.
-Këtu do të jem në Tiranë dhe do t’ju takoj shpesh, i thashë kujdestarit, që për hir të së vërtetës më donte si djalin e tij. Ishte nga Shkodra dhe tërë far e fisin e kishte në Gjakovë, ndaj ma dinte hallin fort mirë.
…Mësues Doda sa herë fliste për Kosovën dhe Pejën e tij të dashur nuk mbahej. Fliste gjatë dhe nuk ndalonte. Ne e dëgjonim me vëmëndje se për ne ishin gjëra të panjohura, të padëgjuara më parë.
SECILI LUTEJ NË MËNYRËN E VET
Mësimet vazhdonin në rutinën e tyre, por siç ndodh gjithmonë me nxënësit e ardhur nga fshati dhe me ata që kalojnë nga sistemi 8 vjeçar në atë të shkollës së mesme, të gjithë binin në mësime. Mësuesit tregohen të ashpër për të bërë seleksionimin. Kështu ndodhi edhe me mua. Rashë në mësime. Fillova ta pranoja notën tetë, edhe shtatën.
Mësuesve dhe nxënësve të asaj kohe u ngarkoheshin edhe shumë detyra jashtë procesit mësimor. Nuk kishin kaluar as tre muaj, kur ne si klasë na ngarkuan një detyrë të rëndësishme, një detyrë të posaçme.
Sekretari i partisë kishte thirrur në zyrë mësues Ndocin, që ishte vendali dhe i besimit katolik. Me një buzëqeshje të shtirur, ai e ftoi atë në zyrë, i zgjati paketën „Partizani“, e ndezi dhe vetë, kruajti fytin sikur të kishte kollë dhe vazhdoi:
- S
është dhe aq e lehtë detyra, që do t
iu ngarkojmë,- i tha. - Por jo e pamundur,- ia ktheu me takt mësues Ndoci.
- Më pëlqen gatishmëria jote, asgjë nuk ka të pamundur nën udhëheqjen e partisë sonë të dashur, tha sekretari dhe vazhdoi më tej:”Ta besuam ty personalisht këtë mision se je njeri i vendosur dhe me mbështetje në bazë. Disa duan që aksioni politik për prishjen e funksionit të kishave dhe xhamijave të dështojë, por ne nuk do ta lejojmë, mbylli bisedën i kënaqur sekretari i partisë, i cili pak më herët kishte qenë shumë në mëdyshje se kujt do ta ja ngarkonte këtë mision të rëndësishëm.
-Ju do të shkoni te kisha e Shën Gjonit dhe do të largoni ato njerëz që vazhdojnë akoma të frekuentojnë akoma kishën, sqaroi detyrën sekretari i partisë.
Sipas porosisë së sekretarit të partisë, Drejtoria e shkollës dhe Këshilli pedagogjik ngarkuan mësues Dodën dhe mësuesin e fiskulturës Ndocin. Ata duhet të zgjidhnin një grup nxënësish të urtë dhe besnikë që do të kryenin një detyrë të ngarkuar nga Partia.
⦁ Do të jesh edhe ti Sako, më tha mësues Doda.
⦁ Më caktoni edhe mua, u lut Neri, i cili kishte qef të dukej dhe të fuste hundët kudo.
⦁ Mirë, hajde edhe ti Neri, por mos harroni nesër, ditën e shtunë herët në mëngjes, porositi mësues Ndoci. Vajzat mos i lajmëroni se është punë e vështirë ditën dhe natën, porositi përsëri mësues Ndoci.
Tërë natën nuk më zuri gjumi. Ç’ishte kjo detyrë e rëndësishme që do të kryenim nesër dhe që po mbahej sekret deri të nesërmen ? Të nesërmen në mengjes herët u grumbulluam para murit rrethues të oborrit të shkollës. Ishim nja njëzetë vetë.
Kur u nisëm mësues Ndoci na tregoi se do të shkonim te Kisha e Shën Gjonit. Atje ishte bërë shqetësuese fakti se megjithëse kishte kaluar një vit që kjo kishë ishte shkatrruar, besimtarët akoma shkonin atje, qëndronin një natë, luteshin dhe kërkonin shërim me sytë e drejtuar drejt qiellit. Kisha ishte rrënuar, por muret dhe gjithçka egzistonte. Njerëzit vazhdonin edhe pas shkatërrimit të saj, të bënin pelegrinazhe te muret e saj, t‘i puthnin gurët, të luteshin pambarim.
Ishte tronditëse. Unë, akoma nuk e kisha marrë vehten nga viti 1967, kur me aksion dhe me „dëshirën“ e popullit e me porosinë e Partisë kishim prishur objektet fetare në fshat. Akoma më tingëllonte në vesh zëri i gjyshes:“ Mos vë dorë mbi atë që e ka ngritur me ndërgjegje një popull i tërë“.
-Po ne do t’i kthejmë xhamitë në shtëpi kulture, moj gjyshe, i thosha unë me naivitet.
-Jo, bir. Shtëpia e kulturës është tjetër gjë dhe xhamija është tjetër gjë.
-Ç’do me thënë kjo tjetër gjë, moj gjyshe? - Xhamija është shtëpi e besimtarëve që besojnë te Zoti i Madh, ndërsa shtëpia e kulturës është shtëpia e popullit për t’u dëfryer.
…Shumë shokë të klasës u tkurrën nga ky „urdhër“, por nuk kishte kthim pas. Pati edhe ndonjë që mori çelësat e situatës dhe deshte të dukej.
⦁ Unë kam qenë edhe kur i prishëm një vit më parë, tha Gjon Pambuku,
por asnjëri nuk ja vuri veshin fjalëve të tij.
U ngjitëm njëri pas tjetrit monopatit të ngushtë që të çonte nga qyteti te kisha. Një ngjitje e vështirë nëpër gurë e shkrepa. I jepnim dorën njëri tjetrit për ta ndihmuar. Kjo ngjitje ja kalonte sportit të alpinizmit.
Kisha ishte ndërtuar që në epokën e luftërave iliro – romake dhe ishte restauruar herë pas here. Në këtë kishë kishte ardhur shpesh edhe vetë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu me të shoqen, Donikën për të bërë ritet fetare. Ajo ishte ngritur në gjoks të malit. Mali shtrëngonte fort atë dhe ajo i jepte zemër malit.
Sot mali dukej i zemëruar, ishte vrenjtur dhe po priste stuhinë. Pas pak çastesh dielli u fsheh pas reve dhe filloi një shi i rrëmbyeshëm. Ne u trembëm. Qarkullonte gojë më gojë një histori se një togë ushtarësh që shkatërroi kishën, pësoi një goditje të madhe psikologjike sa që kaluan në çmenduri.
Vazhduam ngjitjen, një ngjitje e vështirë në një rrugë të ngushtë dhiare, përmes shkrepave. Pak të të rrëshqiste këmba fluturoje në hon.Në të errur arritëm te vendi i pelegrinazhit. Plot me njerëz nga të gjitha moshat, gra me fëmijë, pleq dhe të sëmurë. Vendin e lutjeve e kishin ngritur përsëri sikurse më parë. Në shpat të malit, në një gur të madh masiv kishin gdhendur një kryq të madh dhe foton e Shën Mërisë.
Jo vetëm te unë, por edhe te të tjerët , ndonëse asnjëri nuk guxonte ta thoshte, brenda vehtes na buçiste një zë që na thoshte: - Mos shkoni të prishni shtëpinë e Zotit! Ç’keni me të? Kush të dojë le të shkojë e të lutet.
Dhe me të vërtetë pelegrinët e ardhur nga ana e anës, kur na panë ne, ata i drejtuan sytë drejt nesh me lutjen:“Mos na e prishni kishën ! Kisha është e jona. Ajo është shtëpia e Zotit dhe e robit.“
Një nënë kishte sjellë fëmijën e saj shtatë vjeçar, të cilit i kishte ikur zëri. Gruaja kur na pa u tmerrua. U tmerrua edhe fëmija. Njerëzit e ardhur për pelegrinazh dhe për tu lutur na shikonin ne si shkatërrimtarë.
Unë u shkëputa paksa dhe fillova të lutem:“O Zot, më fal , por jam i urdhëruar dhe i detyruar.“ Po kështu secili lutej në mënyrën e tij. Unë isha mysliman. Para treqind vjetësh të parët e mi katolikë kishin ardhur nga Mirdita dhe ishin vendosur buzë Drinit. Edhe mbiemrin e kishim marrë nga lumi. Koha, pushtimi i gjatë osman dhe islami bënë konvertimin tonë në fenë islame. Unë nuk dija të bëja kryqin, nuk dija të faleshe në kishë, por dija të kërkoja falje në mënyrën time, si njeri i penduar dhe i detyruar.
Mësues Doda e dinte mirë se në Kosovë dhe në Pejën e tij të dashur funksiononin akoma kishat dhe xhamijat dhe se prindërit e tij luteshin çdo ditë e çdo natë për të. Mësues Ndoci ishte një besimtar i heshtur, por që nuk shprehej se po të flisje hapur nuk mund të punonte më mësues, bile as punëtor.
Sytë e mësuesve sikur na thonin:“bëni sikur tua ndjejë zemra“ . Ata nuk folën, nuk ndërhynë, nuk u folën as besimtarëve të ardhur. E çfarë mund t’u thoje atyre njerëzve të varfër e të sëmurë me sytë drejt qiellit?
Thonin se kjo kishë bënte mrekulli njerëzore. U kishte kthyer njerëzve dritën e syrit, u kishte kthyer dëgjimin, u kishte kthyer mendjen.
Atë natë e kaluam duke ndezur zjarre e duke u ngrohur me frymën e njëri tjetrit. Të nesërmen në mëngjes u kthyem në qytet. Edhe besimtarët në të zbardhur të ditës u larguan para nesh duke na e lehtësuar punën. Nuk qe nevoja që mësuesit të na porositnin që të bënim kujdes me fjalët që do të flisnim lart e poshtë, pasi e kishim mirë parasysh që të mbronim vehten dhe të mbronim mësuesit.
Të hënën në mëngjez mësuesit raportuan në këshillin pedagogjik se detyra ishte kryer. Sekretari i partisë kishte kërkuar detaje gjatë raportimit se i duheshin për të raportuar në Komitetin e Partisë, por dy mësuesit tanë ishin përgatitur edhe për detajet.
Kjo ngjarje u bë shkas që miqësia jonë me mësues Dodën të bëhej edhe më e fortë. Në këtë miqësi kishte më shumë besim te njëri tjetri.
BIÇIKLETAT „MIFA“ DHE GARAT E ÇIKLIZMIT
Zef Dukagjini ishte nga fshati Dukagjin i Kurbinit, por nuk kishte lidhje me Lekë Dukagjinin e madh të kohës së Skënderbeut. Fare pranë bregdetit në juridiksionin e një ferme, ndërmarrje bujqësore, ishte fshati i Dukagjinit, ku kishte marrë edhe mbiemrin shoku im i klasës. Ky fshat ishte shumë larg qytetit të Delishit, ku sapo ishte hapur gjimnazi i ri. Treni kishte orar të papërshtashëm për orarin e mësimit, kështu që Zefi kishte zgjedhur të vinte në shkollë me biçikletë, dhjetra kilometra larg. Në fillim kishte një biçikletë të vjetër „MIFA“, por më pas me daljen në treg të biçikletave kineze, Zefi bleu një biçikletë të re dhe me të vinte çdo ditë në shkollë dhe kthehej në shtëpi. E siguronte me dry në rrethimin e hekurt të shkollës dhe mbas mësimit kthehej në shtëpi.
Po ku e linim ne të kthehej shpejt ? I pari që ja kërkova për një xhiro isha unë. Zefi nuk ma prishi sepse unë isha konsulenti kryesor i tij për mësime . Pasi i zgjidhja unë ushtrimet ua jepja edhe shokëve dhe në këtë prioritet ishte edhe Zefi që i bënte detyrat në mëngjes, kur vinte nga shtëpia.
-Kujdes se do të ma prishësh, a di me i dhënë ?
-Di ore di, si nuk di, i thoja unë që nuk kisha parë biçikletë me sy.
Zefi ma mbante biçikletën sa të nisesha dhe më pas i jepja vetë duke u dhënë fort pedaleve. Të them të drejtën e mësova shpejt, por atëhere kur kujton se di, se e ke mësuar një gjë, atëhere prite se do të gabosh. Kështu më ka ndodhur edhe mua me biçikletën e Zefit. Në shëtitoren e gjatë të qytetit merrja hov dhe shkoja deri në fund te furra e bukës, por pikërisht aty, kur doja të merrja kthesën, bija thes në tokë. Gjunjët më bëheshin copa, por mbi të gjitha më vinte keq për biçikletën e shokut që sapo e kishte blerë sa dy rroga mujore të kohës, vetëm e vetëm për të shkuar e ardhur nga shkolla.
Zefi nuk e prishte zemrën, qeshte dhe më pyeste:“A u vrave ?
Unë ngrihesha përsëri dhe përsëri i hypja biçikletës se koha mbaronte dhe se ai do të kthehej në shtëpi dhe nuk do merrej me mua.
Pas dy tre rrëzimeve ku copëtova gjunjë e bryla, e mësova mirë biçikletën, por jo për të garuar siç bënin gara shokët e mi.
Garat e çiklizmit në shkollë dhe në qytet i fitonte si gjithmonë Zefi se ai ishte mjeshtër. Gara me biçikleta bënin edhe vajzat, të cilat kishin biçikleta femrash „MIFA“ ose marka të tjera të kohës. Kishte edhe vajza si çuna që ngisnin edhe biçikletat e djemve, bile ato me goma me rreze 28 centimetra, se ato me rreze 26-she ishin fyerje për to. Zakonisht vajzat përdornin biçikleta të posaçme me bosht të lakuar dhe me goma me dimension më të vogël, por kishte edhe disa prej tyre që ngisnin biçikletat e djemve pa as më të voglën vështirësi dhe konkuronin me djemtë.
NË AKSIONET KOMBËTARE TË RINISË
Jonufra 1
Në fund të vitit të parë na dërguan në aksionin e rinisë në Jonufër të Vlorës, te Jonufra 1, në Radhimë të Vlorës. Punonim në taraca për mbjelljen e ullinjve, portokalleve, limonave dhe mandarinave. Ishim tre gjimnazet e rrethit të Krujës, Kruja, Fushë Kruja dhe gjimnazi i qytetit tonë të ri. Bashkë me ne ishin edhe kooperativistët e Mbishkodrës e të Koplikut.
Në punë ishim të gjithë njësoj nga paraqitja e jashtme, me pantallona aksioni ngyrë gri, dhe me shall aksioni në qafë me stemën e aksionistit.
Koplikasit ishin të fuqishëm dhe nuk e kishin problem bërjen e normës në taraca. Vështirë e kishim ne, nxënësit e shkollës së mesme, të vitit të parë dhe të dytë, që nuk e kishim formuar as trupin plotësisht nga ana fizike.
Na futën në një kapanon të ngushtë të gjithë djemtë e gjimnazit tonë. Na rradhitën si fishekë në një shtrat të përbashkët prej dërrase ku kishim për shtrat personal vetëm dy pëllëmbë vend. Unë zura vendim tim dhe u thashë shokëve:
-“Ky është tredynymshi im, të mos ma prekë njeri.“
Të gjithë qeshën me të madhe. Hapa sytë dhe pashë për rreth për shakanë e pavend që bëra. Ishte vetëm mësues Doda në këmbë. Qeshi edhe ai bashkë me ne. Shyqyr që nuk ishte sekretari i partisë se do të kisha punë me të. Me kë tallesh ti, do më thoshte, me tredynymshin e partisë ? Se sekretari për çudi në çdo vend e fuste fjalën parti. Tredynymshi për ata që nuk e njohin atë kohë ishte prona private e lejuar në fshat, për pemë dhe perime, pronë, e cila më vonë u zvogëlua në një dynym dhe kur ndahej djali që martohej, ndahej edhe dynymi dhe katandisej në treqind metra katrorë.
Kështu ndodhi edhe me tredynymshin tonë në aksion. Erdhën edhe aksionistë të tjerë dhe nuk kishte vend, kështu që komandanti dhe komisari i aksionit na thanë që të ngushtoheshim edhe më.
-Jo, tha Cufja, unë nuk ja lëshoj kujt tredynymshim tim, duke e bërë të tijën shprehjen time që u bë shprehje gazmore e ditës.
Bëmë ç‘bëmë u ngushtuam edhe më. Gjumi nuk na zinte nga lodhja dhe nga shtrati i ngushtë i dërrasës. Ku kishim fjetur kështu ne ndonjëherë, aq më tepër djemtë e vajzat e qytetit.
Ju gjet ilaçi edhe pagjumësisë. Bënim mbrëmje vallëzimi deri në mes të natës. Orkestrën e kishim tonën se kishim Astrit Muzikantin me fizarmonikë. Në xhaz e shoqëronte Skënderi që më shumë kërciste se i binte me ritëm.
Astriti ishte muzikant i lindur. Flokë kaçureli sikur kishte lindur së bashku me fizarmonikën. Mbrëmjet e bukura të vallëzimit ishin dhuratë e tij e vëllezërve të tij, inisiativë e Parashqevisë, Vitores, Shpresës dhe e të gjitha shoqeve tona të mira.
Zgjimin e bënim me bori njëlloj si në ushtri. Ngriheshim në katër të mëngjezit dhe vraponim në mensë ku merrnim ushqimin e ditës, bukë, domate dhe djathë. Një domate të madhe, dy mesatare ose tre të vogla, ishte standard. Racioni i djathit përshkohej tej e tej nga drita. Ngjiteshim deri në majë të kodrës, afër Tragjasit dhe punonim tërë ditën në vapë derisa ta bënim normën. Ujë për të pirë mbushnim në një burim të fshatit Radhimë e sipërme, afër Tragjasit. Aty gjendej një lëndinë e bukur që ngandonjëherë e shfrytëzonim për të luajtur futboll. Në atë burim mbushnin ujë për të pirë me bucela gratë dhe vajzat e fshatit Radhimë.
Pastaj zbrisnim poshtë në kantier dhe fillonte avazi, mbledhje, shpërndarje flamujsh, emulacion socialist etj. Mezi prisnim të ngrysej e të fillonte mbrëmja e vallzimit. Sallën e mensës së madhe e kthenim menjëherë në sallë vallzimi. Ishte urdhër që të merrje leje për mbrëmje vallzimi, që të bashkëpunomin me kooperativistët e Malsisë së Madhe. Kjo jo se ishte dëshira jonë se nuk kishim asnjë lidhje, as shoqëri, as muhabet, as njohje të mëparshme, por ishte porosi e partisë që të forcoheshin lidhjet e rinisë shkollore me rininë kooperativiste. Tre gjimnazet tona merreshim vesh edhe me shenja, por kur artopolanti thoshte se rradhën e kanë kavalierët, atëhere nuk mbaheshin djemtë e fortë të Mbiqytetit. Ata turreshin drejt vajzave tona si shigjeta të dala prej harkut. Vajzat merrnin shokët e klasës dhe të shkollave fqinje akoma pa arritur ata. Disa debatonin. Disa fyheshin, por vajzat që në vallzim thirreshin „dama“ kishin prioritet.
…Unë isha ulur pranë Besës dhe po bëja muhabet. Nga muhabeti nuk e kishim dëgjuar se rradhën e kishin marrë djemtë. Para Besës përkulet një djalë i gjatë gati dy metra duke përshëndetur dhe ftuar për vallzim. Besa më thotë :“Çohu se do të kërcejmë bashkë dhe më kapi për krahu duke e bërë fakt të kryer.
-Më falni, por i kisha dhënë fjalën shokut të klasës, i thotë Besa, Millanit, djalit nga Mbiqyteti.
-Jo unë isha këtu para se të ngriheshit ju për vallzim. Ky është ofendim, vazhdonte të debatonte djali i gjatë.
-Më vjen keq, por herën tjetër. Këtu do të jemi, i tha Besa.
-Po ti more përse rrije si guak dhe nuk çoheshe, apo prisje të vinte ai dymetroshi, mu hakërrye pa të keq Besa.
Unë nuk dija të vallzoja mirë. Ky ishte shkaku që ngurroja dhe nuk çohesha për të vallzuar. Por njeriu për çdo gjë që mëson ka një herë të parë dhe unë mësova për herë të parë të vallzoja me shoqen time të klasës, Besën. Isha skuqur nga koka deri te këmbët nga emocionet. Më dukej sikur salla e madhe më shikonte mua, por salla ishte e mbushur kaq shumë me vallzues sa nuk i dalloje dot çiftet nga fytyra. Gjatë vallzimit ja shkela këmbën disa herë Besës, por ajo qeshte dhe më thoshte:“Do të mësosh shpejt Sako, do të mësosh“. Askush nuk ka lindur i mësuar.
Në Lukovë
Edhe vitin tjetër na dërguan në aksionin kombëtar të rinisë, pas mbarimit të procesit mësimor. Këtë herë na dërguan në Lukovë të Sarandës. Lukova ishte një fshat i madh, si një qytet i vogël që rrezatonte kulturë të lashtë. Çezmat e fshatit prej guri të latuar sikur lëshonin përveç ujit qelibar edhe dritë dhe jetë pambarim. Nespullat e fshatit ishin për të ngrënë gjithkush që kishte nevojë. Ne shpërndaheshim nëpër nespullat e fshatit dhe hanim derisa ngopeshin dhe nënat e mira të fshatit na uronin: „Ju bëftë mirë!“
Edhe në këtë aksion kombëtar të rinisë përsëri ishim bashkë tre gjimnazet e qyteteve të rrethit tonë. Kishim krijuar një shoqëri të mirë midis nesh. Aksioni si aksioni. Ua kam treguar kur fola për Jonufrën 1. Por këtë vit ishim më të rritur dhe më të zhvilluar në trup dhe në mendje. Edhe për çapkanllëqe ishim më profesionistë.
Të paktën kur organizonim mbrëmje vallzimi ishim më të pavarur dhe më të organizuar me shokët dhe shoqet tona dhe nuk kishim kusht që të bashkëpunonim me rininë punëtore apo kooperativiste, të ardhur këtu.
Gjimnazi ynë dhe klasa ime dominohej nga djemtë. Kishte pak vajza dhe disa prej tyre nuk donin të vallzonin, kështu që na duhej të „eksportonim“ vajza nga gjimnazet e tjera të Krojit dhe Fushë Krojit.
Kampionin e mbanin vajzat e Krojit. Ata përbënin shumicën në shkollë dhe për të vallzuar shpesh herë na merrnin ne djemve të Delishit ose e kundërta, ne vraponim për të marrë në vallzim vajzat e Krojit.
Qyteti i Krojit, ashtu sikurse kishte emrin ishte burim vajzash të bukura dhe të shëndetshme. I rrit uji i krojit të kulluar, thonin njerëzit e asaj zone.
Unë dhe Petroja nuk dinim mirë të kërcenim, por në këtë aksion kishim vendosur me e mësuar mirë vallzimin, si valsin, tangon, foksin etj.
Tangoja „kitara e argjentë“ ishte „gjella“ e preferuar e mbrëmjes. Petroja mu afrua dhe më tha:
-“Po kërceve me Fatrien, do të të them se je kërcimtar, përndryshe rri se je mirë këtu me mua dhe me këto shoqet që kanë zenë vendet kot, duke bërë me shenjë drejt një grupi vajzash që vetëm bënin muhabet gjatë mbrëmjeve të vallzimit.
Për muhabet mbanin edhe ndonjërin nga shokët që nuk kërcente. Latifi nuk kërcente se e kishte këmbën të sëmurë, prandaj i mbante vajzat afër për muhabet. U tregonte qyfyre, anekdota dhe barcaleta. Plaste konkursi se kush tregon barcaletën më të bukur.
⦁ E bëjmë me bast me akullore, i thashë unë Petros.
⦁ E bëjmë, tha Petroja.
Për të kërcyer me Fatrien, kërcimtaren më të mirë të sallës dhe të gjimnazit fqinj nuk ishte e lehtë sepse të gjithë djemtë dhe veçanërisht mësuesit, profesorët siç u thonim ne, e kishin të preferuar dhe dëshironin të vallzonin me të. Por unë kisha vendosur që të fitoja bastin. Drejtuesi i mbrëmjes njoftoi se fuqinë e kanë kavalierët. E vendosa që të garoj për ta ftuar për vallzim. Sapo muzika filloi dhe xhazi bëri bam, unë mora kthesën dhe ju drejtova. Drejt saj në atë çast ishim drejtuar pesë çuna njëherësh, por ajo preferoi që të më merrte mua në vallzim.
Vallzonim dhe bisedonim. Ajo fluturonte. Edhe unë me një kërcimtare të tillë fluturoja. Paska patur rëndësi të madhe partnerja në vallzim, mendoja me vehte. Në disa raste vajzat me zor tërheqin këmbët dhe ta bëjnë vallzmin të bezdisshëm. Por Fatrija kërcente si flutur. Kishte një trup të gjatë dhe bel të hollë si të balerinave profesioniste, aq më tepër që familja e saj ishin të gjithë muzikantë e kërcimtarë brez pas brezi.
Nuk e ndjeva vallzimin sa shpejt kaloi. Në fund më erdhi keq që muzika mbaroi kaq shpejt. Gjithçka kishte ndodhur sa hap e mbyll sytë. Fatrija më falenderoi, në vend që ta falenderoja unë. E dërgova drejt vendit të saj duke ja kthyer falenderimin. Isha skuqur deri në majë të kokës. Më dukej vehtja se tani edhe unë isha kërcimtar i mirë.
-Hë, more Petro, ta fitova bastin ? ju drejtova shokut tim të klasës.
-Të dija vetëm nxënës të mirë, por që do të bëheshe edhe vëmendja e sallës së vallzimit, këtë nuk e besoja, u dorzua Petroja.
SHOQJA E KLASËS QË IMITONTE BABAIN E SAJ, MËSUESIN E HISTORISË SË PARTISË
Në shkollë kishim edhe një shoqe që bënte shumë humor dhe që ishte imituese e zonja. Ajo ishte Tana Ballabani. Më bukur nga të gjithë imitonte të jatin, mësues Nezirin, mësuesin e historisë së Partisë dhe sekretarin e organizatës së partisë.
-Ta mësoni mirë historinë e partisë sonë të lavdishme, ta mësoni djema dhe ju vajza të mbara, porosiste mësues Neziri dhe ngrinte lart gishtin e tij të madh tregues sa pëllëmba ime. Në dorë mbante librin e kuq të historisë së PPSH. Kur fliste hapte edhe gojën fort sepse fliste për partinë dhe historinë e saj dhe zëri duhet të kumbonte si në teatër.
Po kaq bukur e imitonte Tana dhe ne qeshnim si në kor. Njëri prej nesh bënte roje në koridor se mos ja befte mësues Neziri apo ndonjë tjetër që kishte rradhën e orës së mësimit. Kështu që Tana ishte e qetë në imitimin e saj. Ajo shkonte nga klasa në klasë dhe imitonte të jatin, Nezirin. Ne të gjithë gajaseshim së qeshuri. Nuk kishte keqkuptime as politike dhe as shoqërore sepse e bija imitonte të jatin. Tana ishte si çun haram. Vishej si çun dhe mbante flokë të shkurtëra si çun. Nuk mësonte shumë. Ishte nxënëse mesatare, por edhe e mbanin pak me hatër si vajza e kolegut, aq më tepër e sekretarit të partisë.
Një ditë mësues Neziri e kapi gafil të bijën, kur po imitonte. Neziri nuk pati rrugë tjetër veçse të qeshte bashkë me ne. Rruga tjetër ishte e rëndë dhe e gjatë edhe për vetë atë dhe vajzën e tij. Një buzëqeshje, një sy i mbyllur, një vesh i shurdhët dhe gjërat kalonin më mirë. Sigurisht në shtëpi Neziri ja tërhoqi fort veshin së bijës, e cila me ato karagjozllëqe po rrezikonte tërë familjen.
KUR NDIQNIM FSHEHURAZI FESTIVALIN E SAN REMOS
Qyteti bregdetar kishte akses për të parë televizionet italiane. Antenat penguese të pushtetit nuk arrinin t’i pengonin valët. Në verë ndiqnim fshehurazi Festivalin e San Remos. Ishte koha kur në Itali shkëlqente muzika e Adriano Çelentanos, Minës, Toto Kotunjës e Nikolla Dibarit. Ishin këngë të bukura që të tërhiqnin. Edhe unë që vija nga fshati dhe që nuk i kisha dëgjuar më parë fillova t’i pëlqeja , t’i këndoja e të kërceja me to. Muzikën e tyre e bënim pjesë të mbrëmjeve tona të vallzimit. Por si ta shihnim Festivalin e San Remos ? Bregdeti dhe Fushë Kruja nuk kishin nevojë për antena dhe nuk binin në sy. Maksimumi vendosnin një kanaçe në antenën e Tiranës dhe Italia shikohej xham. Por si ta fshihnim kanaçen ? Ajo dukej. Spiunët ishin me shumicë.
Një grup shokësh dhe disa shoqe morëm autobuzët dhe shkuam në Fushë Krujë te shokët e Gjimnazit të këtij qyteti. Organizimin e kishte bërë Nadirja, maturantja e kësaj shkolle, që nuk çante kokën për njeri se ishte bijë komisari, bijë sekretari partie e bijë partizani. Dritaret e sallës së televizorit i mbuluam me badanije, që të shikohej më mirë dhe që të mos na shihnin nga jashtë. Si për inat disa fëmijë të vegjël rrinin në dritare për të parë se çfarë shihnim ne, më të rriturit.
Festivali ishte i bukur. Këngët i mësuam me muzikë dhe tekst. Ishim të etur për të ditur se çfarë bëhej përtej detit, larg Shqipërisë. Kurioziteti i adoloshentëve dhe gjimnazistëve e kalon çdo lloj parashikimi.
Por ja që ndodhi ajo që nuk duhet të ndodhte, ajo që e dinim dhe që e prisnim. Dikush na kishte spiunuar. Në sallë ja behën një mësues dhe një punëtor operativ i zonës. Operativi pyeti:
-Çfarë shikoni tinzërisht ? Italinë ? Nuk ju pëlqen Shqipëria ?
Një shok tha:‘Po shikonim sport, futboll. Futboll ka edhe televizioni shqiptar.
-Kujt ja shisni këto ju ? Ju po shikonit muzikë borgjezeeee ! Ngriti zërin dhe e zgjati edhe më shumë fjalën …gjezeeee…Të gjithë shtangën.
Guximin e mori Nadirja. Nuk po bëjmë ndonjë gjë të keqe, televizor po shohim.
-E kujt je ti moj vajzë ? pyeti punëtori operativ i zonës.
-E Rako Cakajt, u përgjigj Nadirja.
-E komisarit, moj ? Pu pu pu…
-Dilni jashtë shpejt dhe të mos përsëritet më ky veprim se ua tregoj vendin pastaj, u hakërrye oficeri i sigurimit të shtetit.
Të gjithë dolëm jashtë me shpejtësi duke përfituar edhe nga errësira që të mos na fiksonim me fytyra dhe me emra e mbiemra. Për disa ditë pritëm me ankth se çfarë do t’i thonin Nadires, por Nadirja i kishte krahët e ngrohta. Punëtori i sigurimit kishte takuar komisar Rakon dhe i kishte premtuar se këtë çështje nuk do ta raportonte më lart, por që e bija duhet të bënte kujdes që të mos dilte në rolin e organizatores. Ka të tjerë që duhet të dënojmë, kishte thënë punëtori operativ.Nadirja nuk e mori më guximin, por edhe ne ndryshuam vend dhe taktikë.
NJË INCIDENT GJATË PUNËS PRODHUESE
Programi mësimor në shkollat e mesme kishte tre shtylla kryesore: mësim, punë prodhuese dhe edukim fizik e ushtarak.
Punën prodhuese e bënim në aksionet kombëtare në fund të vitit mësimor si dhe një ditë në javë në një ndërmarrje prodhuese. Klasën tonë e kishin caktuar në Parkun automobilistik, ndërsa mua më kishte ra shorti te reparti i riparimit të rimorkiove, si xhenerik rimorkiosh. Aty u njohëm me shumë punëtorë dhe u miqësuam me ta. Me punëtorët kishim organizuar edhe mbrëmje tematiko –dëfrimi në ndërmarrjen e tyre.
Puna në repartin e rimorkiove ishte shumë e rëndë. Ishte e rëndë për punëtorët me përvojë dhe trup të fortë fizikisht, e jo më për nxënësit e klasave të para e të dyta të shkollave të mesme.
Një ditë ustai më urdhëroi që të hiqja dy gomat e pasme të njërës nga rimorkiot që ishte në rradhë për riparim. Deri në atë ditë vetëm kisha parë ustain se si e kishte hequr, riparuar dhe vendosur më pas. Atë ditë më ra shorti me e kryer vetëm këtë veprim sepse ustai po kryente një punë tjetër afër meje.
Mora çelësat dhe veglat e tjera për lirimin e dediçekëve të gomës. Dediçekët qëllonin që të ishin të dëmtuar, të goditur dhe të shtrembëruar dhe të lodhnin shumë për t’i liruar. Një gomë e tillë më qëlloi atë ditë edhe mua. Por sedra që të mos e shqetësoja ustain dhe të mos kërkoja ndihmën e tij apo të ndonjë mekaniku tjetër më futi në siklet. Përdora çelësin e madh volant dhe levën ndihmëse, por dediçeku nuk jepte shenja zhbllokimi dhe lirimi. Të gjitha dediçekët e tjerë i kisha liruar. Goma e madhe me diametër sa unë në këmbë mbahej vetëm nga ky dediçek i deformuar.
I dhashë me të gjithë forcën dhe dediçeku u thye, u këput si me thikë tornoje. Goma ra në tokë dhe më goditi fort në gjoks. Rashë pa ndjenja.
Punëtorët e panë skenën dhe vrapuan që të më shpëtonin. Nga gomat e skodave kishin gjetur vdekjen shumë shoferë e xhenerikë. Ishin të rrezikshme sepse ishin të mëdha dhe shumë të rënda. I pari vrapoi një xhenerik që ishte pranë meje. Ai thirri edhe shokët. Goma më kishte zënë poshtë dhe më kishte shtypur në gjysmën e poshtme të trupit. Këmbët po më mpiheshin. Punëtorët vrapuan me leva dhe me krahët e tyre të fortë e ngritën gomën. Këmbët m’u liruan. Gjaku filloi të qarkullojë si edhe më parë. E nxira e trupit filloi të zbardhet. Frymëmarrja filloi të rregullohet.
-Shpëtoi, shpëtoi, tha një nga mjeshtrit e vjetër.
-I ka puna këto, shyqyr që kaloi me kaq, tha ustai, por unë nuk duhet ta kisha lënë vetëm.
Një nga punëtorët vrapoi dhe më solli një shishe me ujë. Punëtorët më rrethuan me dashuri dhe më uruan:“shyqyr që shpëtove or çun!“
Nga ky incident „i vogël“ më mbeti një shenjë e madhe në trup që më shoqëroi gjatë gjithë jetës.
KOMANDANT TAHO, USHTARAKU QË NA BËRI TA DUAM ZBORIN USHTARAK
Komponenti i tretë mësimor ishte përgatitja fizike dhe ushtarake. Në vitin e parë dhe të dytë edukimin ushtarak e bënim pranë shkollës me program mësimor të veçantë për të gjitha lëndët, taktikë, përgatitje për qitje dhe qitje me pushkë, përgatitje fizike, kros 5 km me pushkë dhe pajime etj. Në vitin e tretë dhe të katërt përgatitjen ushtarake e bënim me fushim ushtarak larg qendrës së banimit, pranë një reparti ushtarak në bregdet.
Edukimin ushtarak e drejtonte komandant Taho Begaj. Ai ishte njëkohësisht edhe nëndrejtori ushtarak i shkollës. Taho kishte mbaruar studimet ushtarake në Ish Bashkimin Sovjetik. Ne na trajtonte si shok, ndonëse në detyrë ishte shumë i rreptë. Taho ishte rritur jetim. Gjatë genocidit grek të popullisë çame në fund të vitit 1944, Tahos i kishin vrarë të dy prindërit dhe mezi kishte shpëtuar ai me gjithë gjyshen. E kishte rritur gjyshja në qytetin e vogël fermë, të Sukthit. Sapo kishte mbushur katërmbëdhjetë vjeç Taho kishte ndjekur shkollën e mesme ushtarake „Skënderbej“ dhe në përfundim të saj e kishin dërguar për studime ushtarake në Ish Bashkimin Sovjetik në qytetin e Leningradit.
-Na trego o komandant se si u njohe me Tamarën, e pyesnim ne.
-Ua kam treguar dhjetra herë more djema, bënte sikur kundërshtonte komandant Taho, ndërsa në fakt kishte qejf ta tregonte me dhjetra herë.
-Tregoje për mua se nuk kam qenë kur e ke treguar, i thoshte njëri nga shokët.
-Mirë po ua tregoj, por është personale dhe nuk ka nevojë për reklamë, kuptuam ?
-Kuptuam, komandant.
Taho merrte frymë thellë dhe futej në kujtime. Kishte nostalgji për kohën e studimeve në Leningrad, për qytetin, vajzat e tij të bukura, për njerëzit e tij të dashur, për vendin që po zhvillohej me shpejtësi, për letërsinë ruse, artin, teatrin „Balshoj“, filmin dhe muzikën e famshme ruse.
Të shtunave në mbrëmje akademia jonë ushtarake organizonte mbrëmje vallzimi me vajzat e qytetit. Vajzat grumbulloheshin para portës së akademisë ushtarake a thua se ishte kinema e teatër dhe jo repart ushtarak. Raporti i vajzave me djemtë ishte dhjetë me një. Burrat dhe djemtë ishin vrarë me miliona në luftën e dytë botërore. Vajzat luteshin kush e kush mund të siguronte ndonjë kursant ushtarak që ta shoqëronte e ta merrte për në sallën e vallzimit.
Midis dhjetra vajzave që prisnin, mua më mbetën sytë te Tamara. Ja bëra me shenjë dhe i fola rusisht që të afrohej drejt meje. Ajo fluturoi nga gëzimi. Të dy bashkë gjysmë të përqafuar hymë në akademi dhe u drejtuam drejt sallës. Vallzuam shumë herë atë natë. Unë nuk e lija që të kërcente me të tjerë, por dhe ajo nuk më linte mua të kërceja me të tjera. Në fund të mbrëmjes afër mezit të natës më duhet ta përcillja Tamarën për në shtëpi. Kishim liridalje dhe e kishim këtë mundësi ditat e shtuna dhe të diela. Tamara mu lut që të shkoja në shtëpinë e saj. Dhe unë nuk ja prisha. Shumë shokë të mi shqiptarë kishin shkuar në familjet ruse dhe ishin njohur me vajza ruse dhe me familjet e tyre. Tamara më tërhoqi shumë që në takimin e parë. Ishte dashuria ime e parë. Isha i ri dhe i padjallëzuar. Dashuroja me shpirt. Nuk dija të dashuroja ndryshe.
Prindërit e Tamarës akoma nuk kishin fjetur. Kishin pritur me padurim të bijën. E para doli e ëma dhe na përshëndeti. Edhe asaj i shkëlqyen sytë nga kënaqsia. Lumturia e vajzës ishte lumturia e saj. Në dhomën e pritjes pas pak erdhi i jati i veshur me pizhame. Unë u ngrita vetëtimthi në këmbë për ta respektuar e takuar dhe vetëm kur u përqëndova e pashë se ishte ai, vetë komandanti im i shkollës ushtarake, koloneli Voroshillov. Sa nuk më ra pika. Ky qenka fundi për mua, thashë me vehte. Mendova se si veprohej në Shqipëri. Në atë kohë në Shqipërinë e sapodalë nga lufta nuk kishte hyrë civilizimi dhe ky veprim i imi ishte i parakohshëm. Ndoshta nesër për mua do të përgatitej urdhëri për largim nga shkolla dhe nisje për në Shqipëri, urdhëri i vetvrasjes politike, ushtarake dhe njerëzore. Fundi im.
Tamara ndërhyri menjëherë sepse e kuptoi gjendjen time emocionale që e transmetonte fytyra ime e zverdhur.
-Baba, ky është Taho, i dashuri im që më shoqëroi sonte në mbëmjen e vallzimit. Falenderojeni atë.
Koloneli i qeshur dhe i gëzuar për kënaqësinë e të bijës më takoi, me rrahu shpatullat dhe më tha:“faleminderit, djalosh, që zgjodhët vajzën time, që e argëtuat atë dhe që na respektuat edhe me ardhjen tuaj në shtëpi.“
Unë nuk i besoja vehtes dhe as fjalëve të kolonelit. Po ndodhte mrekullia. Dashuria, civilizimi, mirësia dhe miqësia po triumfonin, kur nuk kishin kaluar as pesëmbëdhjetë vjet nga mbarimi i asaj lufte mizore që mori miliona jetë dhe shkatërroi miliona ideale.
-E ç’tu tregoj tjetër, more djema ? Të tjerat i dini, përfundoi tregimin komandant Taho Begaj.
-Na trego se si erdhët në Shqipëri së bashku me Tamarën, i luteshim ne.
Kjo ishte edhe një mënyrë për të hequr vëmendjen nga ora e mësimit dhe stërvitjes. Taho e kuptonte mirë, por jeta e tij në Bashkimin Sovjetik kishte lënë gjurmë të pashlyeshme saqë nuk i mposhtte emocionet dhe vazhdonte:
-U bë prishja e madhe e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik. Ne këtë e morëm vesh nga atasheu ynë ushtarak në Moskë. Ai vinte shpesh dhe interesohej për ne. Atë ditë nuk ishte si ditët e tjera. Atasheu ishte i ngrysur në fytyrë. Diçka e madhe kishte ndodhur.
-Djema, tha atasheu. Duhet të ktheheni në Shqipëri pa mbaruar sezoni i studimeve, bile pa zhvilluar as provimet e vitit.
-Përse çfarë ka ndodhur? E pyetëm ne, njëzëri.
-Bashkimi Sovjetik e ka tradhëtuar Shqipërinë. Bursa juaj është ndërprerë.
-Mendja më shkoi menjëherë te Tamara, vazhdoi tregimin Taho. Ç’do të bëhej me dashurinë tonë, me jetën tonë? Të qëndroja unë në Rusi ishte e pamundur. Nuk mund ta bëja kurrë. Mallkimi do të më ndiqte gjatë tërë jetës.
Vrapova të takoja Tamarën. Ajo mu hodh në qafë si zakonisht. Nuk shqitej sikur ta ndjente. Unë akoma nuk ja kisha thënë të vërtetën dhe hezitoja të ja thoja, por kjo kishte ndodhur dhe nuk mund të mbulohej.
-Dëgjo Tamara, unë të dua shumë.
-Edhe unë, edhe më shumë. Po ti ç’ke ? Nuk më dukesh mirë sot.
-Tamara, duan të na ndajnë.
-Kush?
-Qeveritë tona janë ndarë.
-Po ne nuk kemi punë me qeveritë.
-Po si do ta zgjidhim?
-Unë do të vij me ty në Shqipëri, bile tani me vaporrin tuaj të kthimit. Bile edhe prindërit do t’i njoftoj nga Shqipëria, që të mos më ndalojnë, tha ajo e vendosur, por me lotë në sy.
Tamara atë natë nuk mbylli sy. Vetëm qante me ngashërim. Kishte dy prindër dhe ishte vajza e vetme e tyre. Si mund të largohej prej tyre? Nuk mbylli sy as e ëma, që e kishte dritë të syrit. Babai i Tamarës kishte dëgjuar për prishjen e madhe politike midis shteteve, por nuk kishte menduar se çfarë do të ndodhte me të bijën që ishte dashuruar me oficerin shqiptar. Nuk e kishte menduar as largimin e menjëhershëm të kursantëve shqiptarë.
Taho mendoi që vendimin ta merrte familja e saj dhe vetë Tamara. Nuk ishte vendim dosido. Jeta e tyre do të merrte drejtim tjetër, një drejtim që nuk e kishin menduar.
Të nesërmen në mëngjes priti me padurim që të vinte Tamara, por ajo nuk po vinte. Treni për disa minuta do të nisej për në Odesë. Nga Odesa do të udhëtonin me vapor për në Shqipëri. Nuk kishte kohë as për t’u menduar. Treni u nis. Bashkë me të u nisa edhe unë, por pa Tamarën. Gjysma e zemrës sime po mbetej atje në dhe të huaj, në një vend mik që u kthye në vend armik.
Por në Odesë nuk u besova syve. Tamara kishte marrë trenin e shpejtë dhe kishte arritur para meje në Odesë. Kishte rezervuar edhe biletën për në Shqipëri…
DASHURIA E „NDALUAR“ E MËSUESIT NGA KOSOVA ME NXËNËSEN E TIJ
Mira Gjoka ishte nga Dimali. Prindërit e saj kishin ardhur si montatorë në kantjeret e ndërtimit të qytetit industrial të Delishit. Ajo ishte një vit para nesh në gjimnaz. Ndonëse mësues Doda nuk jepte mësim në klasën e tyre, për Mirën kishte një tërheqje të veçantë. Dhe kjo tërheqje kishte qenë e dyanëshme. Kosovari nga Peja ishte shumë tërheqës. I gjatë, i shëndetshëm, bukurosh në kuptimin e vërtetë të fjalës, me sy të zinj e faqe pak zeshkane, Doda ishte vënë ashtu padashur në qendër të vëmendjes së vajzave.
Por edhe Mira nuk vinte më pas për nga bukuria dhe paraqitja. Ajo u tërhoq pas Dodës, pa e kuptuar. Cili magnet e kishte thithur vallë?
Ja si e tregon Mira pas disa kohësh:
E apasionuar së tepërmi pas mësimeve mësoja ditë e natë. Rrallë shkoja në kinema, teatër apo estradë. Edhe xhirot në qytet i kisha kufizuar shumë. U trembesha vështrimeve joshëse të djemve të cilët të vështronin si të pangopur. Më dukej sikur po më rrëmbenin zemrën.
Në çdo çast kujtoja porositë e babait, këshillat e nënës dhe kërcënimet e vëllait të madh. Një gjë më trembte shumë, mendimi se një ditë do të më duhej të vendosja për fatin e jetës. Isha vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeçe, por tregoja më shumë. Kisha trup të bëshëm, të gjatë e të fortë si djalë.
Shokët e klasës, megjithëse të pakët në numër ishin të turpshëm e të imët në trup. E megjithatë unë u trembesha shoqërisë së tyre. Mendoja se çdo fjalë e bëjnë për dashurinë, ia kushtojnë asaj, ndaj nuk bëja kurrë shoqëri me ta.
Djemtë e klasës më ngjitën një nofkë që kur e kujtoj më bën të qesh. Më thirrnin seriozja e klasës. Këtë nofkë edhe e pëlqeja edhe e kisha inat. Në mbrëmbjet e klasës pothuajse nuk shkoja fare.
Por me mësues Dodën ndodhi ajo që nuk duhej të më ndodhte. Them kështu se ajo ishte e shkruar që do të ndodhte. Dashurinë nuk e ndalon askush. Ajo është ujvarë, rrjedh në shtratin e vet pandalshmërisht dhe të shoqëron me zhurmën dhe freskinë e saj.
Doda ishte njeri shumë i çiltër, i pjekur për vetë faktin se ishte më i madh në moshë. Ishte me të vërtetë djalë i pashëm. Kishte sy bojë qielli, bebëzat e të cilëve ngjanin me dy liqene të thellë, të vegjël e të rrumbullakët. Kishte flokë të butë, të zezë e kaçurelë, të ndarë anash me kujdes ku poshtë tyre shtrihej balli i bukur dhe i gjërë pa asnjë rrudhë. Çdo pjesë e fytyrës ishte e rregullt sikur të ishte vendosur nga një dorë e kujdesshme skulptori. Ishte rreth të njëzete pestave por tregonte më i ri. Vishej me gusto dhe ndiqte modën pa rënë në sy.
Shpesh kryqëzonim vështrimet dhe ai buzëqeshte pa të keq. Më bënte përshtypje vështrimi i tij i kristaltë.
Atë natë në shtëpinë tonë, në ditëlindjen e Javerit, Doda mu duk tjetër njeri.
Mua nuk më pëlqente gjithë kjo përkujdesje e vëllait dhe e familjes për të. Si njeri më pëlqente, por kur mendoja se ishte mësues në gjimanazin tim dhe se ishte nga Kosova, pa njeri e katandi këtu në Shqipëri, stepesha.
Mësues Doda nuk jepte mësim në klasën time, por në një klasë tjetër. Kjo ma lehtësonte pak presionin e gjakut në zemrën time të dashuruar.
Një ditë u takova ballë për ballë me të. Ktheva kokën mënjanë vetëtimthi, dredhova rrugën dhe u futa në një dyqan, pasi nuk mund ta përballoja vështrimin e syve të tij. U skuqa e tëra, mu muar fryma. Një zjarmi më pushtoi trupin. E ndjeva se më dashuronte se më ndiqte të ma shprehte hapur, por i vinte rëndë sepse unë isha nxënësja e tij, se mardhëniet mësues – nxënës ishin të ndaluara, qoftë këto edhe serioze e me qëllime martese.
Unë nuk e kisha provuar të më ndizej trupi, të më ziente gjaku, të më lodhej truri duke menduar për dashurinë.
Në shkollë druhesha prej saj e çdo gjë ua kushtoja mësimeve. Provokimet e shoqeve janë të rënda. Ata si me thika të thumbojnë e të ndezin inatin. Pa le ato të fejuarat nuk durohen fare. Çdo fjalë e lidhin me të fejuarin, e bëjnë atë hero të tregimeve të tyre.
Ai më dashuronte. Atë e shprehnin sytë e tij. Që të dyve na brente i njëjti shqetësim në zemër. Unë isha nxënëse dhe ai ishte mësuesi im, ndonëse nuk më jepte mësim mua. Frika se do të na keqkuptonin më stepte. Ja do të thonin: Doda u shoqërua me Javerin për tu dashuruar me të motrën. Hajde duroji thashethemet e njerëzve.
Isha tamam në moshën e pjekurisë femërore. Mendoja vazhdimisht për dashurinë. Asnjëherë nuk e kisha vlerësuar vehten, megjithëse shoqet më thonin se isha e bukur dhe se djemtë më simpatizonin.
Pas disa ditësh qëlloi që u takuam përsëri në një takim të forumit rinor. U takuam jashtë sallës. Ai më zgjati dorën me mëdyshje dhe unë nuk e di pse ja shtrëngova fort. Mollëzat e duarve i kishte prush të nxehta. E vështrova drejt e në sy. Ai i uli qepallat më shpejt se sa unë. Në presidiumin e mbledhjes u zgjodhëm të dy. Dhe për koinçidencë vendet tona ishin pranë njëri tjetrit. Shpesh bërryli im prekte brylin e tij dhe unë ndjeja mornica në trup. Ne nuk folëm asnjë fjalë. Fjalën e mori edhe Doda. Nuk e kisha dëgjuar asnjëherë të fliste në mbledhje. Kishte zë të fortë, të emocionuar. Fliste me fjalë të thjeshta e me logjikë të mprehtë. Unë duartrokita e para dhe pas meje të gjithë pjesëmarrësit duartrokitën.
Pas mbledhjes u takuam përsëri. Ai ma shtrëngoi dorën fort, bile me të dyja duart. Gishtrinjtë e tij preknin llërët e mija dhe nuk shqiteshin. Unë e ndjeja shtrëngimin e tij shumë të nevojshëm dhe kisha dëshirë që ky çast të zgjaste pambarim. Temperatura e trupit të tij ishte e njëjtë me atë të trupit tim. Zemrat tona na rrihnin njëlloj, truri na bluante të njëjtat mendime. Ky çast qe i shkurtër, aq i shkurtër sa nuk arrita të ngopesha me shikimin e tij. Ne, atë ditë bëmë një fotografi si grup shokësh. Ai zu vend pranë meje. Mua më gëzonte fakti që ai ishte kaq pranë meje. Dhe në fotografi dola shumë e qeshur dhe e gëzuar. Zakonisht në fotografi dilja serioze, ndërsa kësaj here nuk di përse sytë e mi shprehnin aq shumë lumturi.
Atë natë nuk mbylla sy tërë natën. Nën qepalla më afrohej fytyra e qeshur e tij e shtrirë në bebëza e si në ekran më shfaqej pa mbarim. Doja që ta mbaja gjithmonë në bebëza, ta kisha në qënien time të tërin. Shtrëngoja sytë fort por ato më dhëmbnin nga shtrëngimi i tepërt. Tërë natën fjeta me të në sy.
Në mëngjez sytë e skuqur nga pagjumësia u freskuan e morën gjallëri kur çova në mëndje se duhet të shkoja të takoja Dodën tek stacioni i autobuzëve. Ishte pak vonë. Autobuzët e linjës po niseshin. Vrapova në rrugë. Çdo sekondë ishte e shtrenjtë për mua. Për pesë minuta Doda do të nisej. Nëna e habitur nga largimi im i papritur doli të më ndiqte në dritare. Unë vrapoja në rrugë. Nuk di sa kam vrapuar. Autobuzët u nisën. Mbeta e ngrirë me vështrimin drejt dritareve të autobuzëve për të parë atë, të dashurin e zemrës, por nuk po e shihja dot. Ju afrova me vrap autobuzit të fundit. Doda më pa i pari dhe trokiti në xham.Unë ktheva kokën dhe flokët mu derdhën mbi xhamin e hapur. Disa tufa flokësh ranë mbi fytyrën e gëzuar të Dodës. Të dy zgjatëm duart drejt njëri tjetrit. Me duar të bashkuar bisedonim. Shoferi i autobuzit që e pa skenën nëpërmjet pasqyrave uli shpejtësinë. Na pëlqente të bisedonim ashtu të bashkuar. Vetëm për një minutë autobuzi do të nisej dhe unë nuk do të takohesha dot me Dodën për shumë ditë me rradhë. Ai mund të më shihte nga dritarja e autobuzit, të më përshëndeste nga larg dhe unë pas përshëndetjes së tij të varesha për javë të tëra deri kur ai të kthehej nga specializimi në Tiranë.
Ne diskutuam gjatë, ndonëse koha ishte e shkurtër. Ndodh që për orë të tëra nuk thua dot asnjë fjalë, ndërsa mendimet të dërmojnë shpirtin. Ndodh që për pak çaste thua gjithçka e mendimet fluturojnë të lira e të çlirojnë trupin.
Pas pak çastesh nxorra nga çanta një pako të vogël me ushqim shtëpie.
-Mbaje i thashë se ndoshta do të kesh uri.
-Do të takohemi në fund të javës, do të kthehem për ty, Mira
-Do të të pres këtu tek stacioni i autobuzëve, dëgjove ? te stacioni …..
***
Një mbasdite të së shtunës Doda ishte kthyer në qytet dhe po shëtiste me disa shokë. Edhe Mira po shëtiste me prindërit e saj. Kishin kohë pa u takuar. Kush e ka jetuar atë kohë e di mirë se takimet bëheshin me sinjale.
Nuk kishte metodë tjetër as për Dodën dhe Mirën, aq më tepër që prindërit nuk ndaheshin për asnjë çast nga Mira. Dashuria ngandonjëherë të xhvesh nga detyrat dhe funksionet dhe të bën djaloshar si gjithë të tjerët. Kështu ndodhi edhe me Dodën. Vendosi që t’i caktonte pikëtakim Mirës në prani të prindërve.
Pas disa xhirosh, Doda e preku paksa me krah dhe i tha:“Të kanë plasur sytë, nuk sheh? Dhe i shoqëroi fjalët me pëllëmbën e dorës me të pesë gishtat drejt fytyrës së saj.
Mira reagoi po me inat duke i treguar bërrylin:“Oh më marrsh të keqen, sytë s’të shohin ty“.
-Po ky, a nuk ishte ai mësuesi kosovar, ai shoku i Javerit, që ishte atë natë te ne? Pyeti babai.
-Ai ishte, por kujtonte se i kishim zënë rrugën. Nuk i mjaftonte tërë bulevardi dhe u ndesh edhe me ne.
-Çudi me ju të rinjtë e sotëm, u shpreh babai.
-Mos u çudit shumë edhe ti, apo i harrove ato bëmat e kohës tënde? Ju shkreh mamaja e Mirës që e kuptoi parrullën.
-Vallë si ne janë këta? Ne ishim të dashuruar dhe na shkonin çapkënllëqet e rinisë, vazhdoi në të tijën, babai i Mirës.
Sinjali ishte dhënë: në orën pesë mbasdite, te kthesa e bulevardit ata do të takoheshin përsëri.
Në aksionin e rinisë në Lukovë dashuria e Dodës me Mirën ra shumë në sy. Në aksion edhe syri kontrollues e provokues i atyre që dinin ta bënin mirë këtë punë ishte më pak i vëmendshëm e i pranishëm. Ne e dinim dhe ju krijonim kushte që të qëndronin bashkë.
Më mirë për ta ishte kur shkonim të shkulnim patatet e reja. Te parcela e patateve Doda shkonte dhe ndihmonte Mirën. Sytë e tyre shkëlqenin sapo kryqëzoheshin. Duart i bashkonin ashtu si padashur te kokrrat e patateve ashtu nën dhe‘ e i mbanin të bashkuara për minuta të tëra. Flisnin papushim sikur do t’u mbaronin minutat, sikur nuk do të kishte ditë tjetër nesër. Thesi i patateve të tyre në disa raste mbushej shpejt, në disa raste të tjera nuk mbushej fare sepse harronin ta mbushnin, futeshin në botën e tyre të pafundme dhe flisnin pambarim. Kur dielli ngrihej në mes të qiellit dhe paralajmëronte mesditën dhe vaktin e drekës Doda dhe Mira kujtoheshin për t’u bashkuar me grupin e aksionistëve të tjerë.
Ndonjëherë Doda harronte kanatjeren në vendin e punës sepse e hiqte nga vapa. Vraponte për ta marrë. Mira qeshte me të madhe.
-Pse qesh, nuk po e kuptoj. Mua më ka humbur kanatjerja, ndërsa ti qesh, i thoshte Mirës.
-E kam unë, thoshte Mira.
-Mirë, atëhere, ma jep.
-Pse ku do e çosh ashtu me djersë, apo ti vijë era të gjithë fjetores së aksionit, tallej Mira duke qeshur. E kam marrë unë për ta larë.
Dodës i vinte mirë, por bënte gjasme.
Të nesërmen Mira nuk ja sillte kanatjeren. E mbante në shtratin e saj për t‘i marrë erë, për t’u ngopur me aromën e trupit të të dashurit të saj të zemrës. Kështu bënte Mira, gjithmonë e mbante një rrobë të Dodës që binte era djersë, por për të ajo ishte aroma më e mirë në botë, aroma e dashurisë.
DJEMTË E BORDURAVE
Nga fundi i viteve 60 dhe fillimi i viteve 70 filloi një pranverë e re shqiptare. Pas tre vjetëve të revolucionit kinezo – shqiptar, siç dukej ishin realizuar objektivat e partisë. Pak nga pak partia, për çudi kishte filluar të bënte një vesh të shurdhër dhe një sy qorr. Përse vallë?
Ne na vinte mirë dhe na pëlqente kjo pranverë. Muzika e lehtë me tinguj rinorë filloi të transmetohej dy herë në javë në Radio Tirana, të mërkurave dhe të shtunave. Në program filluan të dëgjoheshin këngë italiane, franceze dhe angleze. Ai që ishte në krye të punëve kishte thënë që të rinjtë të mos ta dëgjojnë fshehurazi muzukën, por tua transmetojmë ne.
Bashkë me muzikën shikonim edhe filmat. Na pëlqente moda e kohës. Në atë kohë në modë ishin flokët e gjata si „Bidëllsat“ dhe pantallonat e gjëra në fund si kaubojsat.
Djemtë e klasës sime prenë të gjithë pantallona kauboj, përveç meje. Unë kisha frikë se mos i thonin ndonjë gjë xhaxhait që ishte oficer në ushtri. Xhaxhai vinte herë pas here në mbledhjen e prindërve dhe më kishte paralajmëruar se mos bëja ndonjë budallallëk si këta të tjerët. Me të tjerët ai nënkuptonte „rrugaçët“, që ishin bërë si hipi.
Shkova te një rrobaqepës bashkë me Cufen, shokun tim të bangës.
-Hë mor djalë, pse ke ardhur, apo don edhe ti një palë pantallona si të Cufes?
Mimika e fytyrës sime më tradhëtoi. Sigurisht më pëlqenin. Rrobaqepësi e njihte xhaxhain.
-Ty do të ti pres një centimetër më të ngushta se të Cufes, kështu që nuk do të bien në sy.
Kështu ma mbushi mendjen dhe me vrap shkova dhe bleva një copë dok ngjyrë bojë qielli.
Pantallonat e mija ishin në fund 27 cm. Në gjunjë vinin më të ngushta, por nuk binin në sy sa të shokëve të tjerë.
Xhaxhai m’i pa pantallonat, por nuk bëri zë. Por belanë e gjetëm me flokët.
Unë i mbaja flokët e shkurtëra, por disa prej shokëve të mi filluan t’i zgjasin përmbi veshë dhe të zgjatnin favoritet poshtë kockës „së partisë“. I thonim kocka e partisë sepse partia e kishte lejuar deri te kocka dhe jo më poshtë. Kush e shkelte kockën, kishte shkelur vijën e partisë. Por ne na pëlqente të imitonim „bidëllsat“ në veshje, në flokë, në muzikë.
U bë çështje në këshillin pedagogjik. Po futej moda e huaj borgjezo – revizioniste tek nxënësit.
U dha urdhëri i prerë që të mos pranoheshin nxënësit në mësim nëqoftëse nuk ishin qethur normalisht.
Mësuesja e matematikës, Liljana sa hyri në klasë, kaloi nëpër banka dhe ulëriti:
-„Kaqola, u bëtë ju, të mbani flokë të gjata. Shpejt përjashta te berberi dhe brenda orës së mësimit të vini këtu që t‘ju shoh.
Hajde e kundërshtoje po ta mbajti mësuesen e matematikës, të ngelte në klasë automatikisht. Kështu klasa u qeth si me urdhër ushtarak.
-Të mos ua shoh më ato pantallona të gjatë deri në fund të këmbëve, ulëriti prapë mësuese Liljana ditën tjetër.
Të nesërmen asnjë djalë nuk kishte ardhur në shkollë me pantallona kaubojs. Ato i ruanim për ekspozitë se më pas rifilloi revolucioni kulturor alla shqiptar.
Ne djemtë e gjimnazit nuk kishim nevojë të kullosnim sytë për vajza në bulevard dhe të qëndronim me orë të tëra në borduret e tij sepse vajzat i kishim në shkollë dhe në klasë. Kjo ndodhte me djemtë e kantjereve dhe të ndërmarrjeve industriale. Ata ishin të shumtë dhe e vetmja mundësi për të parë vajza e për të kullotur sytë ishin bordurat.
Vajzat e gjimnazit ishin të bukura si askush tjetër. Të krijohej përshtypja se ishin përzgjedhur për nga bukuria dhe jo për nga intelekti e zgjuarsia.
Djemtë e bordurave u bënë shqetësues me vështrimet dhe rromuzet e tyre, aq më tepër se vajzat shumë herë ishin të shoqëruara nga prindërit e tyre.
Prindërit e vajzave raportuan në instancat e pushtetit vendor dhe një ditë me urdhër nga lart bordurat i lyen me vaj e graso e me bojra ngjitëse saqë po të uleshe dukeshe si kau balash. Nuk mjaftoi kjo, por u vendos gjobë për ata që do të uleshin në bordura.
Të rinjtë punëtorë përdornin fjalë banale dhe ngandonjëherë përdornin ato shprehjet që u bënë shqetësuese për vajzat: “O goce, më fal një minutë, o goce, ndalu pak“.
Vajzat nuk ndalonin se ishin të shoqëruara. Kur ato nuk ishin të shoqërura me meshkuj apo me prindërit, disa u turreshin drejt për t’i ndaluar.
Qëlloi një ditë që kishte dalur në shëtitje vajza e sekretarit të parë.
Një nga punëtorët që qëndronte në bordura i thirri nga borfura ku qëndronte me këmbët varur: O goce, më fal një minutë !
Ajo ju përgjigj: Rri mor çun, shiko punën tënde.
Djali i borfurës ju përgjigj aty për aty: Po unë këtë punë kam.
⦁ Ta rregulloj unë punën ty, u nxeh goca e sekretarit të parë
Dhe nuk vonoi shumë dhe ndërhyri policia e qytetit të vogël.
Policët ishin miqësuar me djemtë e bordurave, por nuk kishin se ç’të bënin se ishte urdhër i shefave të lartë. Identifikuan punëtorin që kishte ndaluar vajzën e funksionarit të lartë dhe doli se ai ishte i shoqëruar atë ditë edhe me Gjon Pambukun, shokun tonë të klasës.
Analizë pas analize, në shkollë, në ndërmarrjen ku punonte punëtori, në Komitetin e Rinisë etj. Gjonit i thyen një notë në sjellje, punëtorin e paralajmëruan për largim nga puna.
Qyteti ra disi në qetësi. Historia e bordurave u harrua, deri sa doli një ngjarje tjetër.
Mësuese Afërdita kishte ardhur nga Tirana me „transferim“ të imponuar. E kishin hequr nga gjimnazi „Petro Nini“ sepse babain e saj e kishin dënuar për sabotash në ekonomi dhe agjitacion e propogandë. I jati i Afërditës kishte qenë një nga inxhinjerët më të mirë të naftës në digaster.
Afërdita ishte shpirt njeriu. Një vajzë e urtë, e bukur dhe e mënçur. Dinte si të sillej pas asaj që i kishte ndodhur. Vinte e shkurtër në trup, por e bëshme. Ajo na jepte lëndën e kimisë. Kabinetin e kimisë ja kishte besuar shokut tonë të klasës, Sinanit. Sinani ishte më i gjatë dhe më i bëshëm se ne. Kishte trup të lidhur sikur të ishte mbi 20 vjeç. Nuk rruhej, por qimet ishin rritur dhe ishin bërë livadh. Ai rrinte gjithë ditën te kabineti i kimisë. Harronte të shkonte edhe në shtëpi. Ne e ngacmonin atë vazhdimisht:“Mbete gjithë ditën te kabineti i kimisë o derzi !“
Dikush thoshte se mësuese Afërdita e dashuronte Sinanin. Disa të tjerë thonin se Sinani kishte rënë brenda me mësuese Afërditën. Dikush i kishte parë të dilnin nga kabineti të skuqur në fytyrë e të egzaltuar.
Por një gjë binte në sy, diferenca e moshës midis tyre. Afërdita ishte më e madhe në moshë se Sinani. A mund të ndodhte që mësuesja të dashuronte nxënësin e saj? Edhe kishte ndodhur në ndonjë rast apo vend tjetër.
Por kjo qarkulloi vetëm si thashethem. Asgjë nuk ndodhi për t’u shënuar. Aq më tepër që gjërat e ndaluara mbeten dashuri të pamundura.
KUR LEXONIM ROMANET E VERDHË
Në gjimnaz një pjesë të tekstit të historisë së letërsisë, profesori na e jepte me shënime. Për rëndësinë e tij ky tekst ishte futur edhe në provimin shtetëror të letërsisë në maturë, megjithëse jepej në dy vitet e para.
Në këtë tekst thuhej ndër të tjera se shkrimtarë si Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Faik Konica etj., ishin të padëshirueshëm. Në qoftëse nuk e thuaje tekstin përmendësh gjykoheshe edhe sikur nuk don të njohësh e të thuash kundërshtarët e sistemit.
Kin Dushi kishte qenë partizan, megjithatë ja kishin ndaluar romanin e tij për luftën antifashiste nacional çlirimtare :“një emër në mes të yjeve“. Unë bëja çudi dhe thoshja me vehte „Po Kini ka qenë partizan me babain tim. Edhe ai e ka shkelur idealin e luftës? Idealin e luftës e kishin shkelur të tjerët. Ata që e nxorrën në lirim babain tim me të famshin vendim të nandëmijëshit se nuk u shkonte sipas dëshirave dhe në një takim i kishte thënë presidentit të kohës se ku janë lugët e floririt që i premtuam popullit gjatë luftës.
Po kështu ishte ndaluar edhe një libër me tregime i Dritëro Agollit me titull:“Zhurma e erërave të dikurshme“. Dritëroi më pas kishte shkruar libra me vlerë, të cilat i bënim edhe recension, por këtë libër e kishin ndaluar dhe e kishin bërë karton. Kurioziteti ynë për të ishte i jashtëzakonshëm. Përse e kishin ndaluar? Çfarë trajtonte?
Dëshira për të lexuar libra të ndaluar e të verdhë u bë si sëmundje e kohës, sidomos te ne, të rinjtë e gjimnazeve. Librat e verdhë ishin librat me dashuri dhe me skena të ndaluara erotike. Një ditë Xhemali, shoku ynë i klasës na solli fshehtas romanin „Ura e psherëtimave“. Libri qarkulloi dorë më dorë disa ditë e netë, derisa e lexuam të gjithë në fshehtësi të plotë nga prindërit, nga mësuesit dhe nga ndonjë sy i keq që survejonte.
Romanin „Dasma“ të Ismail Kadaresë e bëmë recension në orën e letërsisë. Një ditë na dërguan si shkollë, në stacionin e trenit si figurantë kur po xhirohej filmi „Përse bien ato daulle“ .
Në shkollë vinin shumë shkrimtarë e artistë. Një pjesë prej tyre jetonin së bashku me punëtorët në frontin e punës që t’i bënin veprat e tyre ashtu siç i donte partia dhe i meritonte klasa punëtore.
Gjatë bisedave me shkrimtarët, atyre u bëheshin pyetje tendencioze, me porosi, sidomos për ato vepra që ishin kritikuar në shtyp. Shkrimtarët janë ndihmës të partisë kishte thënë drejtuesi i partisë dhe i shtetit, por duhet të mbahen nën vëzhgim sepse rrëshqasin nga binarët.
Shkrimtari S X që jetonte e punonte së bashku me punëtorët në qytetin tonë një ditë erdhi në shkollën tonë për takim me shkrimtarin. Atij ju bë një pyetje e tillë: „Përse e ndatë personazhin kryesor, Avenirin nga e dashura e tij, Vjollca ? Përgjigja e shkrimtarit ishte :“ Ata u ndanë vetë „
Por ata që e kishin parapërgatitur pyetjen ishin të pakënaqur. Sipas tyre shkrimtari S X kishte shkelur në dërrasë të kalbur. Ai kishte patur shok të ngushtë kur kishin qenë bashkë në fabrikën e çimentos shkrimtarin B.Xh., i cili ishte arratisur. Prandaj shkrimtari S.X. ishte në përgjim dhe vëzhgim të vazhdueshëm. Librat dhe shkrimet e tij shiheshin me lupë. Për grupin letrar të këtij qyteti punëtorësh ku jeta artistike gëlonte, ministri i brendshëm i kohës i kishte dërguar një informacion sekret Enver Hoxhës, ku e informonte se këtu po ndodhnin ngarje të papëlqyera, po shkruheshin libra të padenjë për socializmin dhe po viheshin në skenë drama, komedi e skeçe që vinin në lojë pushtetin popullor.
Sulmi filloi fare thjeshtë dhe papritur. Përgatitën një artikull në gazetën „Zëri i Rinisë“ , gjoja në emër të organizatës së rinisë të gjimnazit të qytetit Delish. Kështu filloi një debat politik në vend të një debati artistik për ta denigruar veprën letrare dhe autorin. Pas pak kohësh shkrimtarin S X e arrestuan për agjitacion dhe propogandë kundër pushtetit dhe nxitjen e shfaqjeve të huaja.
Një ngjarje në kinemanë e qytetit
Në vitin e katërt erdhi nga Tirana Jeta, një vajzë me flokë të kuqe e quka të kafenjta, që kishte si synim që të rriste mesataren në gjimnazin tonë, gjë që e bënin edhe nxënës të tjerë nga Tirana, meqenëse shumica e mësuesve ishin nga Tirana dhe i mbanin me hatër. Në fakt e kishte emrin Zhuljeta dhe e thërrisnin Zhuli, por kishte qef ta thërrisnin Jeta. I vetmi që e thirrja kështu isha unë dhe nuk e di përse kjo u bë një shtysë për miqësinë tonë.
Sapo erdhi për herë të parë në klasën i vumë nofkën „kokëkuqja“. Nuk kishte bukuri femërore për t’u fiksuar me të. Të veçantë kishte vetëm flokët e kuqe dhe qukat. Ajo u miqësua shpejt me mua. Unë e kuptoja arësyen se përse miqësohej Jeta me mua. Ishte thjesht marrëdhënie interesi për ta ndihmuar në mësime dhe provime. Kjo më prishi punë me vajzat e tjera të klasës se u xhelozuan , por s’kishin ç’të më bënin mua dhe dufin ja shkarkonin asaj, kokëkuqes. Edhe në kinema Jeta shoqërohej me mua dhe me shokët e mi. Edhe dy vajza të tjera të klasës e afronin disi, por shoqet e tjera nuk e afronin.
Një ditë në kinema kishte dalë për herë të parë filmi „Janoshik“ . Kinemaja ishte në fund të qytetit. Dikur kishte qenë salla e Kulturës e Ndërmarrjes së Ndërtimeve Industriale ose NNI siç i thonim shkurt ne. Zgjodhëm një orar dite, fill pas mbarimit të orarit të shkollës. Biletat i premë në grup diku nga fundi i sallës që ta shihnim sa më mirë filmin. Jeta zuri vend pranë meje. Ishim komplet si klasë. Kuptohet grupi kryesor se jo të gjithë vinin në kinema në atë orar.
Prapa nesh zunë vend një grup punëtorësh të Parkut automobilistik, shoferë dhe mekanikë. Midis tyre edhe Prek Milori. Preka njihej për çapkanllëqet e tij pa kufi që shkonin deri në zullume. E njihnim nga praktika mësimore që kishim bërë në Parkun automobilistik. Bashkë me të ishin edhe disa shokë të tjerë. Kur e pashë Prekën në rradhën pas nesh nuk më erdhi mirë pasi e mora me mend se do të bënte ndonjë gjë të pahijshme, ndonjë çapkanllëk apo budallëk me brirë, aq më tepër që unë isha i shoqëruar edhe me Jetën, vajzën nga Tirana që jetonte te tezja e saj.
Filloi filmi. Errësirë e plotë, përveç momenteve të dritëhijeve të filmit. Pas pesë minutash dëgjohet një „oh“ që doli nga goja e Jetës. Ishte një „oh“ që të del nga shpirti i plagosur. Preka i kishte futur duart midis kofshëve. Dhimbja kishte qenë e fortë saqë Kokëkuqja thirri fort. Të gjithë kthyen kokën prapa.
Preka u foli:
-“ Shikoni more para, shikoni filmin, se për filmin kemi ardhur.“
Fjala e tij ishte urdhër. Preka ishte i dhunshëm në ndonjë rast. Ai ishte njëzetë e pesë vjeç dhe në këto vite i kishte provuar të gjitha, punën, shërbimin ushtarak, ndalimin në polici. Në dorën e majtë mbante një unazë sërmi të trashë që nuk e kishte kush tjetër. Te gishti i vogël kishte rritur thoin dhe e përdorte sikur të ishte thikë. Preka ishte i frikshëm. Mua më njihte thjesht si nxënës shkolle. Më kishte parë me mësues Dodën dhe mësues Ndocin dhe kaq. Më kishte parë edhe me xhaxhain oficer, por sinjali i tij sot për mua ishte ndryshe:“Nuk kemi punë me ty or çun. Largohu ti.“ Por si të largohesha unë, kur shoqja ime e klasës ishte nën mbrojtjen time, nën besën time ?
Ja futi për herë të dytë duart Jetës. Ajo u bë sa një grusht dhe u mbështet pas meje. Nuk mund të vazhdohej më kështu. Jeta u ngrit për të dalur jashtë kinemasë nëpërmjet derës së dytë. Pas saj u ngrita unë dhe e shoqërova. Pas nesh u ngritën si skuadër Preka me shokët e tij dhe na ndoqën. Jeta vraponte. Edhe unë vrapoja në krah të saj. Nuk flisnim fare. Çdo gjë e kishim të qartë. Të vraponim sa më shumë dhe të shkonim te shtëpia e Jetës. Vetëm aty do të shpëtonim nga ndonjë sulm fizik i tyre. Unë do të haja ndonjë dru të mirë që të më linin shakull në vend, ndërsa vajzën e gjorë mund ta përdhunonin. Ata na ndiqnin me vrap. Ne u futëm nëpër rrugët midis pallateve që të humbnim gjurmët, por Preka dhe shokët e tij u shpërndanë për të na patur nën kontroll.
-Ndaluni me të mirë, thirri Preka, përndryshe do të pendoheni.
Por ne kishim frikë, nuk mund t’i besonim atij që veproi në mënyrë të tillë në mes të sallës së kinemasë, aq më tepër tani që ishte xhindosur dhe skuqur në fytyrë.
-Ndaluni or çun, se nuk u bëjmë gjë. Ndaluni të merremi vesh, thirrte Preka.
Por s’kishte gjë për t’u marrë vesh.
Ne vraponim. Vrapi na solli direkt te pallati i Jetës.
-Më ndiq mua, hajde pas meje, mos u ndalo se ata janë pas nesh, më tha Jeta.
Ne u futëm te hyrja e pallatit të saj. Ishte akoma ditë dhe para pallatit kishte lëvizje. Ata nuk u afruan më te pallati. Unë qëndrova në katin e tretë. Jeta hyri në shtëpinë e saj. Unë prisja që ata të largohen, që më pas edhe unë të shkoja në shtëpi.
Ata ndenjën gjatë duke vëzhguar dhe më pas u larguan.
Atë natë nuk fjeta gjumë nga frika dhe tmerri që përjetova. Nuk i thashë askujt gjë, as xhaxhait, as gruas së xhaxhait që punonte në një ndërmarrje me Prekën. Ishte turp për mua.
-Për çfarë ke ardhur more djalë, për të mësuar apo për t’u marrë me budalliqe, do të më thoshte xhaxhai.
Të nesërmen në shkollë unë u solla sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Jeta po ashtu. Cufja, shoku im i klasë dhe i bankës i kishte treguar mësues Dodës dhe mësues Ndocit se çfarë kishte ndodhur dje në kinemanë e qytetit. Mësues Ndoci që ishte edhe vendali si dhe mësues Doda na e hoqën qafe Prekën.
ARRESTIMI I KOMANDANTIT
Taho Begaj ishte oficeri më i pashëm i qytetit. Zakonisht ai dilte civil mbasditeve, por si civil ashtu edhe ushtarak ishte shumë i paraqitshëm. Me mustaqe të shkurtëra, fytyrë e ballë të gjërë, sy të zinj e depërtonjës të ngjallte respekt dhe vemëndje që në kontaktin e parë. Çdo mbasdite dilnin për shëtitje në bulevardin e vogël të qytetit, treshe, bashkë me të shoqen, Tamarën dhe të bijën, Svetllanën. Treshja e tyre ishte epiqendra e vështrimeve të çdo kalimtari e shëtitësi në qytet.
Tamara ishte bjonde e vërtetë me flokë natyralë të verdhë, gjysëm kaçurela, bardhoshe siç janë ruset, por faqekuqe si shqiptaret. Ndoshta klima e Shqipërisë dhe qëndrimi dhjetëvjeçar në Shqipëri e kishin bërë shqiptare edhe në pamje. Svetllana ishte një kryqëzim i shkëlqyer shqiptaro – rus, e gjatë, e bukur, me sy bojëdeti, bjonde si e ëma, por që kishte marrë nga i jati tërë bukurinë e maleve të jugut. Svetllana vazhdonte shkollën, ndërsa Tamara jepte mësim si mësuese e gjuhës ruse në shkollën 8 vjeçare.
Por „syri i keq“ veproi edhe te kjo familje e mrekullueshme. Të parin goditën Tahon. Atë e ulën në detyrë nga shef shtabi në një brigadë në instruktor i përgatitjes ushtarake në gjimnaz, aty ku rrezikshmëria e tij nuk ishte e madhe. Dosja e tij ishte shënuar me rreth të kuq me shënimin: ka mbaruar studimet në Bashkimin Sovjetik, është martuar me ruse dhe ka lidhje me letra me Bashkimin Sovjetik.
Të dytën goditën Tamarën, por këto goditje, të cilat i dinte se nga i vinin, Taho i përballoi me një kryelartësi për tu admiruar, me qësendi ndaj atyre që u zvarriteshin pushtetarëve. E gjithë puna e tij ishte përqëndruar tek nxënësit e tij, te përgatitja fizike dhe ushtarake e tyre.
Klasat e treta dhe të katërta të shkollave të mesme përbënin nënreparte ushtarake të mirëfillta të organizuara me armë zjarri. Stërvitjet i bënin larg qendrës së banuar në breg të detit pranë një reparti ushtarak. Atje hanim njëlloj si ushtarët, stërviteshim sipas programit dhe parapërgatiteshim si ushtarë të ardhshëm. Mësimi i notit dhe plazhi ishin dy gjëra plus që komandant Taho ju kushtonte shumë vemëndje, por që edhe ne na pëlqenin.
Në atë periudhë të viteve 1971 – 1972 Radio Tirana transmetonte dy programe muzikore me muzikë të lehtë, ditët e mërkura dhe ditët e shtuna. Këtë e shfrytëzonim për të bërë mbrëmje vallzimi si klasë, djem dhe vajza të klasës dhe të shkollës. Muzika ishte e tillë që kërcehej pa orkestër. Ishte e vetmja mënyrë për t’u argëtuar.
Gjatë mësimit të notit komandant Taho ngulte këmbë që edhe vajzat të mësonin notin, pasi kishte vajza që nuk xhvisheshin se kishin turp apo kishin presion nga prindërit. Në këto raste ai vinte autoritetin e mësuesit, komandantit apo nëndrejtorit të shkollës. Qëllimi i tij ishte që nxënësit të mësonin sa më shumë, të shkëputeshin nga jeta e mbyllur.
Rezultatet e zborit ushtarak ishin shumë të mira. Kjo e bënte Tahon që të mos e diskutonte kush punën dhe aftësinë e tij.
Një natë në mbrëmjen e vallzimit klasa ishte përfshirë në muzikën e këngës „mami blu“. Kërcenim dhe këndonim të gjithë, edhe ata që kërcenin në sallë edhe të tjerët që ishim të ulur. Pas këngës „mami blu“ filloi kënga „jezahel“. Ne dinim çdo varg të këngës, e këndonim me shpirt. Te muzika gjenim shërim dhe kënaqësi.
Papritmas dikush hyri në sallën e vallzimit. Nuk ishte një, por një grup ushtarakësh. Midis tyre ne njohëm komisarin e njësisë dhe shefin e sigurimit. Komandant Taho brofi në këmbë dhe shkoi me vrap drejt tyre.
-Ç’bëhet këtu, në mes të natës ? Aheng apo stërvitje ? bërtiti fort komisari i njësisë.
Jemi në kohën e lirë, shoku komisar. Organizata e rinisë ka organizuar një mbrëmje vallzimi me muzikën e Radio Tiranës, i shpjegoi komandant Taho.
-Përse je këtu ti, Taho, për t‘i lënë këta të rinjtë të livadhisin apo për t’i stërvitur ? vazhdoi në të tijën komisari.
-Jua shpjegova, shoku komisar. Stërvitja ka mbaruar, bile edhe qitja me armët e këmbësorisë. Dolëm shumë mirë në qitje, vazhdonte shpjegimin Taho.
-E kupton se çfarë po thua dhe me kë po flet ? Ç’është kjo muzikë me mami blu. Kujt i ka vdekur nëna këtu që nuk e ditkemi ne ? Po e di unë se cilën nënë e don të vdekur ti, Taho Begaj, por do ta shohim këtë. Po kjo këngë kishtare përse këndohet këtu ? Këtu nuk është kishë, por repart ushtarak.
Si për inat të komisarit, Radio Tirana 2 e përsëriti këngën „Jezahel“. Por këtë herë askush nuk e shoqëronte. Askush nuk pipëtinte. I vetmi që foli ishte Taho.
-E shikon shoku komisar, këto këngë i transmeton Radio Tirana.
-Do ta shohim këtë punë, do t’i dërgojmë një informacion edhe Komitetit Qendror edhe Radio televizionit Shqiptar për këtë. Kjo është anarshi.
- Shkollaaaaa ! Alarmmmm ! Bërtiti komisari. Në disa minuta efektivi i nxënësve nga nxënës u kthyen ushtarë, rrëmbyen pushkët, u veshën me uniformë ushtarake dhe zunë pozicionet buzë detit në pritje të armikut imagjinar…
Në katin e dytë nëndrejtori ushtarak i shkollës Taho Begaj kishte zyrën. Atë të hënë erdhi si zakonisht herët dhe përgatiti planet e punës ditore dhe javore. Nëpunësit dhe kuadrot punonin me plan pune ditor, javor, mujor dhe vjetor. Partia dhe shteti ecte me plane 5 vjeçare, shikonte larg, në perspektivë. Që nga dritarja e zyrës dukej parulla:“Ç’thotë partia, bën populli, ç’don populli bën partia“. Politizimi kishte depërtuar deri në damarë. Na e kishin futur me shiringë ndër deje.
Një makinë „Xing Fu“ u fut në oborrin e shkollës së mesme dhe prej saj zbritën disa ushtarakë të Ministrisë së Brendshme.
Tahoja ishte bërë gati për të dalë nga zyra kur në zyrë ja befën vrulltas, sekretari i organizatës së partisë së shkollës, Sekretari i Komitetit të partisë së qytetit dhe dy oficerë të Degës së Punëve të Brendshme.
Tahoja u trondit nga prezenca e tyre dhe mënyra e futjes së tyre në zyrë.
-Urdhëroni, urdhëroni, unë sapo do të dilja nga zyra, por po kthehem për ju, foli duke ruajtur qetësinë Tahoja. Ai e dinte se i vetmi mëkat që kishte bërë ishte fakti që ishte martuar me ruse dhe se kishte bërë studimet në Bashkimin Sovjetik. E dinte se një ditë do ta lironin nga ushtria sepse sinjalet ishin dhënë me uljet e njëpasnjëshme në detyrë.
-Taho Bega, në emër të popullit, je arrestuar, foli me zë të lartë oficeri i Degës së Brendshme.
-Unë jam oficer i Ushtrisë Popullore dhe nuk mund të më arrestoni, tha Tahoja.
-Ke qenë oficer i ushtrisë popullore deri më tani, por tani nuk je më sepse me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes numër kaq, datë kaq, vazhdonte leximin oficeri i Degës, je liruar. Dhe ky urdhër mbante po atë datë. Çdo gjë ishte kronometruar për 24 orë.
- Oficeri tjetër ja rrëmbeu kapelen sepse nuk lejohej që të bëhej arrestimi me kapele dhe me yll të kuq në ballë. I vunë hekurat në duar dhe e morën drejt makinës me targën e famshme 01.
Ky arrestim nuk mundi që t‘i shmangej syrit të nxënësve dhe mësuesve. Ndoshta ishte bërë që edhe ata ta shikonin këtë skenë tmerri, për t‘u thënë indirekt: Hë guxoni dhe ngrini dorë ndaj pushtetit popullor dhe ky do të jetë fundi. Nxënësit ishin të ngrirë.
-Çfarë ka bërë komandanti? pyeti një djalë
-Ku e dimë ne, agjitacion dhe propogandë kundër pushtetit popullor , tha një nxënës tjetër.
-Komandanti ishte shpirt njeriu, tha me zë të ulët një nga nxënësit e vitit të katërt.
***
Po atë ditë në shkollën 8 vjeçare të qytetit ku jepte mësim Tamara, bashkëshortja e Tahos, kishte ardhur një grup kontrolli nga seksioni i arsimit të rrethit.
Para disa muajsh Tamarën e kishin transferuar nga shkolla e mesme në shkollën 8 vjeçare si mësuese e gjuhës ruse. Tani gjuha ruse po venitej nëpër shkollat shqiptare dhe po zëvendësohej me gjuhët angleze, franceze dhe italiane. Por për Tamarën nuk ishte kjo arësyeja e largimit, sepse lepuri flinte gjetkë.
Tamara e shikonte ftohtësinë e drejtuesve të shkollës e të ndonjë shoku dhe shoqeje të kolektivit. Dikush prej tyre e kishte pyetur si me keqardhje nëse kishte marrë letra nga të afërmit në Moskë.
Megjithatë ajo vazhdonte të jepte mësimin e gjuhës ruse po me atë pasion si edhe më parë. Atë ditë kishin në program prozën poetike „zgalemi“ të Maksim Gorkit. Pasi e recituan në kor në gjuhën ruse Tamara së bashku me nxënësit filluan recitimin në gjuhën shqipe. Detyra ishte ta mësonin përmendësh. Nxënësit vazhdonin ta përsëritnin:
„Përmbi të thinjurin shesh të detit
Era fryn dhe i shtyn retë
Midis reve edhe detit
Kryelartë vjen zgalemi
Si e zezë vetëtimë.“
Ndërkaq në klasë hyn drejtori i shkollës që ndërpret mësimin dhe i thotë Tamarës që të vijë urgjent në sallën e Këshillit Pedagogjik.
Tamara nuk e bëri dysh urdhërin e drejtorit të shkollës, megjithëse brenda orës së mësimit nuk kishte të drejtë ta ndërpriste askush.
-Vazhdoni përsëritjen derisa të kthehem unë, u tha ajo nxënësve, megjithëse thellë në shpirt e ndjeu se nuk do të takohej më me nxënësit e saj të dashur. Në sallën e Këshillit pedagogjik kishte ardhur shefi i seksionit të arsimit të rrethit për një komunikim të ngutshëm.
Shefi i seksionit të arsmit e pyeti Tamarën, ndonëse e njihte shumë mirë:
- Ti je Tamara Rahmaninova ?
-Unë jam Tamara Begaj dhe jo Tamara Rahmaninova, u përgjigj Tamara.
-Po ato letrat për në Bashkimin Sovjetik i dërgon me emrin Tamara Romanova, apo jo ?
-Jo Romanova, por Rahmaninova
-Njësoj është.
-Unë vij nga një familje muzikantësh të shquar dhe jo nga familja e carit të Rusisë.
-T’i lemë llafet e tepërta. Ti, Tamara Romanova apo Rahmaninova si të duash ti, je e pushuar nga puna në arsim. Nuk mund ta lemë ne, edukimin e fëmijëve tanë, në dorën e një ruseje që nuk dihet se çfarë bën dhe përse ka ardhur në Shqipëri, tha shefi i seksionit të arsimit.
-Që nga ky çast, dorëzoni regjistrin dhe largohuni për në shtëpi.
-Ju lutem të takoj bashkëshortin tim, ushtarak në shkollën e mesme, këtu afër, iu lut Tamara.
-Ishte ushtarak, tani nuk është më. Ndoshta do të takoheni në të njëjtën qeli, nuk e ndaloi dot mllefin shefi i seksionit.
Tamara mendoi të bijën, Svetllanën, nxënëse në klasën e parë të shkollës 8 vjeçare numër 2. Sa do të shqetësohej vajza e tyre e bukur, e mirë dhe e pafajshme. Bukuroshja flokëverdhë me sy bojë deti, me sytë e mamasë ruse dhe me trupin e gjatë si lis, trupin e të jatit, shqiptar nga malet e Çamërisë ishte një perri. Sytë e saj të shkruar do të kërkonin babain dhe nuk do ta shihnin dot.
Kush e kishte fajin që kjo fëmijë vuante „fajet“ e prindërve? Po prindërit çfarë faji kishin bërë? Faji bëhet qyrk dhe askush nuk e vesh, askush nuk e bën të tij. Fajin e ka lufta e ftohtë që në fakt është më e ashpër se lufta e nxehtë me plumba e me bomba.
MBRËMJA E FUNDIT E MATURËS
Ishte korriku i vitit 1972. Bënte nxehtë. I nxehtë korriku. Ne kishim mbrëmjen e fundit të mbarimit të shkollës, mbrëmjen e maturës. Kishim marrë dëftesat e pjekurisë. Dëftesat ishin me fotografi. Para nesh ata që mbaronin shkollat e mesme sidomos ato profesionale merrnin diploma. Por edhe kjo lloj dëftese me fotografi dhe e ilustruar ishte një pikturë e vërtetë, që të hapte në mënyrë magjike dyert e jetës.
Si çdo herë edhe këtë rradhë mbrëmjen e vallzimit, mbrëmjen e maturës do ta organizonim në palestrën e shkollës. Na ishin ofruar edhe vende të tjera si në kinokubin e qytetit, në sallat e ndërmarrjeve me të cilat kishim patur lidhje ndër vite, por ky vend na sillte shumë kujtime, të cilat donim t’i kishim para sysh.
Vajzat ishin veshur me rrobat më të mira që kishin. Disa kishin prerë e qepur fustane e funde vetëm për këtë festë. Buzëqeshja seicilit i lexohej në sy. Por kishte edhe djem e vajza, që në fytyrë ju lexohej trishtim. Një nga shokët nuk gëzohej fare sepse duke mos plotësuar mesataren nuk kishte të drejtë të vazhdonte shkollën e lartë. Një tjetër nuk do ta vazhdonte shkollën e lartë për faktin se kishte një njollë në biografi. Por askush nuk u nda nga mbrëmja e fundit e maturës.
Shumica ishin të lumtur, pasi kishin finalizuar një periudhë të gjatë katër vjeçare së bashku, kishin krijuar një shoqëri që kishte hedhur rrënjë.
Mbrëmjen e hapi si zakonisht Drita.
-Mos më shikoni ashtu, nuk do të mbaj fjalim, por do t’ju ftoj në vallzim. Le të kërcejmë sonte në mbrëmjen e fundit se nesër do të shpërndahemi dhe ndoshta me shumë shokë e shoqe nuk do të shihemi. Nuk do të shihemi sikurse tani se mali me mal nuk takohen por njerëzit takohen një ditë, perifrazoi Drita tekstin e një kënge.
Filloi tangoja me titull „mbrëmja e fundit“. Më pas e pasoi „kitara e argjentë“ . Nuk kishte rradhë për të kërcyer. Ishim vetëm ne shokët dhe shoqet e klasës. Gjimnazi kishte vetëm një klasë në maturë. Ishim edhe vëllezër e motra, edhe shokë e shoqe. Ishin të ftuar edhe mësuesit. Me maturantët ata ishin të çliruar dhe të gëzuar. E kishin kryer detyrën e tyre. Tani ishte mbrëmja e fundit.
Vallzonim dhe këndonim duke vallzuar:
Në bankat e shkollës unike/ Dy emra u gdhendën dikur
Por ti nuk e di nga më ike/ Dhe zemrës i vura një gur
Ne u ndamë në errësirë/ Jeta ndarje ka
Porse zemra lamtumirë/ Zemrës nuk i tha
Loni, shoku ynë i klasës, që nuk kërcente se i kishte këmbët e sëmura, e këndonte ndryshe këtë këngë duke ju drejtuar mikes së tij:
Në bankat e shkollës moj mike……… dhe drejtonte gishtin drejt saj.
Vajza e djem këndonim si në kor, pa e ndalur vallzimin:
Të tjerë duam, të tjerë na duan
Me të tjerë e të tjera do të përfundojmë
Do ikim një ditë, do ikim
Por këtë mbrëmje s’do ta harrojmë
Unë vallzova me të gjitha shoqet. Me ndonjërën edhe dy e tre herë. Jo për gjë, por vajzat ishin shumë energjike dhe të çiltra. Vallzonim, vallzonim pa e parë kohën që kalonte. Do ta gdhinim atë natë.
Më e bukura ishte loja me kasketë. Kishim përgatitur një kasketë letre kartoni si kapele republike dhe ja vendosnim në kokë atij apo asaj që donim të kërcenim. Rregulli ishte që kavalieri apo dama që kishte kasketën në kokë linte partnerin apo partneren dhe kërcente me ty. Por shumë shpejt rregulli u prish sepse disa çapkënë përgatitën më shumë se një kasketë. Në sallën e vallzmit mbizotëronin kasketat. Ne qeshnim me të madhe. Ishte nata jonë. Vajzave u shëndrisnin sytë. Edhe djemtë nuk mbeteshin pas. Kënaqësia ishte në qiell. Dilnim jashtë, shikonim yjet, merrnim frymë, merrnim ajër të pastër dhe futeshim përsëri në sallën e vallzimit edhe më të ripërtërirë. Nuk ndjenim lodhje. Adrenalina kishte arritur kulmin.
Mësues Doda dhe Mira shpallën „zyrtarisht“ fejesën se tani nuk kishte më asgjë antiligjore e antimorale sepse ata nuk ishin më mësues dhe nxënës, por thjesht të dashuruar të deklaruar.
“Të nesërmen nuk e dinim si do të ishte. Le të ishte si të donte. Por për ne një gjë ishte e qartë. Ne do të shpërndaheshim. Dikush në universitet, dikush të kryente shërbimin ushtarak, dikush në uzinën e superfosfatit, dikush do të martohej shpejt se ashtu e kishte hallin. Por zemra kishte vend për shumë kujtime.
Unë isha futur në botën time dhe dëshiroja që kjo natë të mos mbaronte kurrë, ndonëse e dija që do të mbaronte dhe unë duhej të paraqitesha për të kryer shërbimin ushtarak.
Vallzuam deri në agim, deri kur u shfaqën rrezet e para të diellit.
NË VEND TË EPILOGUT
TAKIMET E MATURËS
Pas 20 vjetësh
Shqipëria u përfshi në proceset demokratike të Europës Lindore , u shpall pluralizmi, në pushtet erdhën antikomunistët dhe Partia Demokratike. Doda së bashku me Mirën dhe Zanën, vajzën e tyre të vogël vizituan Kosovën dhe Pejën, qytetin e lindjes të Dodës, të cilin ai kishte vite e vite pa e parë.
Edhe nana ime vizitoi Dibrën e Madhe dhe u takua me vëllain e saj të vetëm, të cilin kishte 45 vjet pa e parë.
Me maturantët e vitit 1972 u mblodhëm nga ishin e nuk ishim për 20 vjetorin, por kishte shumë mungesa. Një shok kishte vdekur aksidentalisht, disa ishin futur në ambasada dhe më pas ishin larguar nga Shqipëria. Ata që kishin mbetur në Shqipëri ishin ndarë në dy kampe politike.
Pas 30 vjetësh
Kosova u çlirua nga sundimi serb dhe u bë shtet më vehte. Ky ishte lajmi i vetëm që mund të them se ne nuk u mblodhëm dot për festën tonë të 30 vjetorit. Ishin shpërndarë të gjithë nëpër botë.
Pas 40 vjetësh
Shqipëria dhe Kosova shkurtuan distancën midis tyre dhe u lidhën me autostradën që shqiptarët këndej e andej kufirit të atëhershëm e quajtën „Rruga e Kombit“. Tirana dhe Prishtina tanimë ishin vetëm dy orë larg njëra tjetrës. Tiranasi e pinte kafenë e mëngjezit në Prishtinë dhe prishtinaliu e pinte kafenë në Tiranë.
Zana Pejani, e bija e Dodës nga Peja dhe e Mirës nga Dimali u emërua diplomate në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës në Prishtinë.
Pas 50 vjetësh
Një tërmet i fortë goditi Shqipërinë bregdetare dhe e dëmtoi shumë qytetin e Delishit. Në këtë qytet nuk kishte mbetur më asnjë gjurmë nga qyteti i dikurshëm industrial. Ndërtesat e pallatet e ndërtuara pa cilësi e me nxitim ishin shkatërruar. Hoteli i inxhinjerave i shëndrruar në spitalin e qytetit u dëmtua dhe në vend të tij u ndërtua një spital i ri modern.
Shkolla e mesme, shkolla ku unë kalova vitet e rinisë, edhe ajo u dëmtua dhe në vend të saj u ndërtua një shkollë e re.
Një lagje e re moderne u ngrit nga e para. Qyteti i Delishit nuk ishte më ai i pari. Edhe miqtë dhe shokët kishin ndryshuar. Mësues Doda dhe Sofokliu ishin ndarë nga jeta. Nga shokët e klasës ishin ndarë nga jeta Zefi, Frani, Drita dhe Simoni.
Mali i Delishit, kështjella e Sebastes dhe kisha e Shënd Ndout qëndronin të fortë mbi qytetin e shëndrruar.
⦁ O gjysh, o gjysh, bëhu gati të shkojmë te kisha e Shën Ndout se
sot është ditë pelegrinazhi, më tund mbesa.
-Rrofsh moj bijë se vetëm në atë vend të bekuar, kurrë nuk them se nuk vij.
LIBRAT E BOTUAR
Qindra artikuj publicistikë si dhe disa libra artistikë si poezi, publicistikë, monografi, studime etj.
⦁ “ Vërshimet e Drinit” (poezi), 1996
⦁ “Karateisti i Vogël” (poezi për fëmijë), 1997
⦁ “Ujvara të Përgjakura” poezi, 1999
⦁ “Daullja bie për ata që kanë veshë” fabula dhe satira, 2001
⦁ “Fshati i martirizuar” (monografi), 2002
⦁ “Drejt NATO-s”, artikuj publicistikë, 2004
⦁ “Rrëfime popullore dibrane”, 2006
⦁ “Shpirti ynë liridashës” (monografi me bashkëautor), 2007
⦁ “Edhe unë kam të drejtat e mija” (poezi për fëmijë) 2010
⦁ “Muharrem Xhediku, kompozitor i tangos shqiptare”, me bashkëautor, 2010
⦁ “Njeriu i mirë” , 2010
⦁ “Një jetë në shërbim të njerëzve” 2011
⦁ “Dibra në këngët dhe tregimet e popullit”, 2012
⦁ Rrahman Parllaku, një legjendë ne kufirin e dy koheve, me bashkautor, 2014
⦁ Monografi për Sefer Efendi Kazazin, me bashkautor , 2015
⦁ Monografi për Bajram Ndreun e Zall Dardhës, me bashkautor, 2016
⦁ “111 poezi të zgjedhura” 2016
⦁ “Figura dhe ngjarje të shquara të Dibrës” 2017,
⦁ “Refleksione fëmijerie “ 2017
⦁ “Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare në Dibër, 2019
⦁ “Fisi Cami i Dibrës”, Monografi, 2019
⦁ “Mos ma prekni lumin tim” , rrëfime historike 2021
⦁ Matura 72, roman, 2022
⦁ Dibra, ngjarje dhe luftëtarë, 2022