Sakip Cami-Osman Elmaz Met’hasani, N/togeri i Ushtrisë Kombëtare që dha jetën në luftë me serbët në gusht të vitit 1921 në Arras të Dibrës


Osman Elmaz Met’hasani, N/togeri i Ushtrisë Kombëtare që dha jetën në luftë me serbët në gusht të vitit 1921 në Arras të Dibrës
Nga Sakip Cami
Osmani, i biri i Elmaz Met’hasanit ka lindur në Sohodoll të Dibrës në vitin 1880 dhe është rritur në një familje me tradita atdhetare. I jati i tij Elmazi ka marrë pjesë në Luftën e Shkodrës (tetor 1912- prill 1913) dhe në luftën e Kaushit 1915. Elmazi ishte një nga miqtë më besnikë dhe një nga luftëtarët më të zotë të Elez Isufit. Elmaz Mona, sic i fliste populli, sepse mbante për mbiemër , emrin e babait, të Osmanit të parë, ishte një burrë që e pyesnin për mend. Ai kishte meritën që fshati të ishte i bashkuar kundër pushtuesve si dhe në punët e përditëshme, në halle e vështirësi, zi buke, tërmete, stuhi etj. Së bashku me bashkëfshatërët e tij Hamza Baftjarin, Dalip Destanin, Tahir Tafën dhe Sherif Balin ishte në krye të fshatit. Populli do të këndonte për këtë prijës:”Elmaz Mona, mustaqeziu, kudo fshatit ai i priu/I priu në luftë dhe në beteja, si shkrepëtima e si rrufeja.”
Në gjurmët e të jatit vazhdoi edhe i biri, Osmani. Nga ky fis atdhetar kishin dhënë jetën të masakruar nga serbët, bashkëshortët Mazllëm e Bilure Met’hasani, nga ky fshat kishin dhënë jetën Tosum Halimi, Emin Habe Cibaku, Emin Shahin Cela, Abdulla Emin Cibaku, Hasan Ibrahim Sadiku, Sulejman Baftjar Cibaku, Dalip Osman Tafa, Rustem Elmaz Xhediku, Ibrahim Huta, Zeqir Rexhep Koka, Habe Zan Merdini, Maliq Rexhep Haraciu, Rexhep Maliq Haraciu, Sherif Ismail Bali, Zeqir Baftjar Merdini dhe shumë të tjerë që nga Beteja e Drinit kundër Hajredin pashës e vitit 1844. Në Sohodoll serbët dogjën dhe grabitën tre dyqane, 60 shtëpi dhe i masakruan burra, gra, pleq e fëmijë. Vodhën edhe 200 dele e 30 kuaj.

Osmani mori pjesë në të gjitha luftrat kundër serbve së bashku me disa kushurinj dhe bashkëfshatarë të tij, si në luftën e gushtit 1920, ashtu edhe të gushtit 1921 nga Arrasi deri në Lan Lurë. Ai ishte pjesë e ushtrisë kombëtare me gradën nëntoger.
Në gusht të vitit 1920, serbët hynë në fshatin e tij, në Sohodoll dhe arrestojnë e grumbullojnë në një shtëpi për t’i vrarë shumë bashkëfshatarë të Osmanit, i cili sapo ishte kthyer nga Durrësi ku kishte shkuar për të furnizuar dyqanin e fshatit që e mbante në shtëpinë e tij. Ndërhyn me pistoletën e brezit që e mbante me leje dhe shpëton burrat dhe gratë e fshatit që do të pushkatoheshin të nesërmen në mëngjez.
Prof. Bajram Xhafa duke ju referuar kujtimeve të Elez Isufit në librin e tij “Lufta e Dibrës e vitit 1920”, faqe 232 dhe 357 shkruan se në gusht të vitit 1921, në Mirditë plasi kryengritja e Gjon Marka Gjonit, i cili kërkonte shkëputje nga Shqipëria dhe vendosje nën Serbi, të “Republikës së Mirditës”. Serbia i vjen menjëherë në ndihmë Markagjonit me një fuqi të vetën të ndihmuar nga qindra mercenarë.”
U dha kushtrimi dhe forcat e Elez Isufit, të Recit, Dardhës, Cidhnës e Lurës dalin dhe i bëjnë pritë forcave serbe e mercenarëve për të mos arritur në Mirditë. Në Arras u bë një përpjekje e madhe ku bënte pjesë si oficer dhe komandant edhe nëntogeri i Ushtrisë Kombëtare Osman Elmaz Met’hasani. Në Cukë të Arrasit e Kodër leshe luftëtarëve u printe Osman Methasani dhe në përpjekje për të eliminuar një istikam ku qëllonte pa ndërprerë një mitroloz armik, ra vetë Osmani.
Dëshmitari okular, anëtari i shtabit të kryengritjes së Dibrës, Ismail Strazimiri shkruan: “Gusht 1921. Fuqija mercenare e serbëve n’Arras mundi me qendrue e me zanë vend. Kapitani kreshnik Prenk Jaku e vendosi fuqin e këtyne malsorëve trima e të provue në rasa të tilla në Grykë Nokë e në Kodër Leshe tue i vu nën komandë të nëntoger Luigj Shantojes, të cilit i la nja tridhjetë ushtarë e dy mitralierë nga të vetët. Mbasandej u nis dhe shkoi te ura e Vezirit.
Nja nji jave nuk ngjau kurgja. Gjendja vazhdoi të jete e qetë.
Toger Shefki Shatku erdhi nga Tirana dhe mori komandën e fuqisë prej nëntoger Luigj Shantojes dhe e shpërndau municionin ndër ushtarët e vullnetarët që përbajshin fuqinë. Mbasandaj, muer dhe e nxiti për me i sulmue mercenarët q’ishin ngujue në Arras. Me nji fuqi të përbame prej 200 dernjane dhe nja 300 nga Gryka e Nokës i mësyen kundërshtarët, të cilët u thyen aq keq sa u vunë në t’ ikun, të tmerue dhe e kapërcyen Drinin të veshun me petka, nji numër i konsiderueshem nga komitët u vranë, nga kjo anë mbeti deshmor vetëm nëntoger Osman Elmaz Methasani nga katundi Sohodoll.”
Toger Shefkiu mbasi e kurorëzoi këtë betejë me fitore , vendosi nji fuqi në Arras nën komandën e oficerit Qemal Frashërit dhe vetë u kthye në Tiranë, pasi serbët u shporrën në anën tjetër të Drinit, i cili u ba vetvetiu kufi.
Populli e përjetësoi në këngë:”Ti biem burra ktij dushmani/Po vikat Man Methasani/Në kodër të Arrasit fyt a fyt / Me dushmanin gryk’ për grykë/Kush asht ai që po prin/mitrolozin e përpin/ Porsi Mic Sokoli edhe Osmani/ se i thonë Man Met’hasani.(Sh.Methasani, Sohodolli i Dibrës faqe 20 – 22, viti 2004)
Me Vendimin Nr 72 të Këshillit Popullor Dibër datë 23.05.1978 Osman Met’hasani është shpallur dëshmor i Atdheut. Në gjurmët e tij ecin sot nipërit e mbesat, ish ushtarakët madhorë Agim dhe Avni Met’hasani dhe të gjithë.

About Post Author