Sakip Cami-Për Atdhetarin Selim Bej Rusi, President i Sanxhakut të Dibrës në shekullin e XIX


Dossier
Për Atdhetarin Selim Bej Rusi, President i Sanxhakut të Dibrës në shekullin e XIX

Nga Sakip Cami

Selim Rusi, (1821-1905) , President i Sanxhakut të Dibrës, njihet si diplomati që ja kishte frikën Sulltan Hamidi II.
Me bëmat e tij patriotike Selimi i dha emër të nderuar jo vetëm fisit të tij, por edhe Dibrës dhe mbarë shqiptarisë.
Veprimtaria e tij i përket periudhës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe kuvendeve kombetare të Dibrës, të cilat i drejtoi dhe i organizoi.

(Fotoja është marrë nga Muzeu i Peshkopisë, Dibër)
Ai ishte bashkëkohës dhe bashkëveprues me Haxhi Zekën , Hoxhë Vokrrin (Seit Najdenin) Hamdi Ohrin, Ibrahim Temon, Dervish Himën etj.
Selimi trashëgoi nga gjyshi i tij Riza Beu jo vetëm pasurinë, por edhe titullin bej, të cilin e ngriti edhe më lart në aspektin atdhetar.
Kur djemtë e Riza Bej Rusit, Aqifin, Dalipin dhe Ymerin i internuan në Turqi, Selim Dalip Rusi ishte vetëm 18 vjeç. Ai kishte mbaruar shkollat e para në osmanisht në qytetin e Dibrës dhe të Manastirit. Në Stamboll Selimi do të diplomohej për drejtësi dhe do të merrte gradën e majorit në ushtri.
Pas kthimit në Dibër, Selim Bej Rusi mori pjesë në Kongresin e Dibrës më tetor 1880, në Kuvendin e Pejës në janar të vitit 1989, kishte kryesuar Kuvendin e Dibrës më 1899 dhe deri në vitin 1905 kur vdes ka qenë promotor i lëvizjes kombëtare shqiptare dhe i përhapjes së gjuhës e të shkollave shqipe. (M.Murra. “Selim Rusi”faqe 106, 107, 108 dhe Sejfi Vllamasi “Balafaqime Politike 1897-1942” Faqe 54.)
Nga familja Rusi morën pjesë si delegat në Kongresin e Dibrës, korrik 1909 dy djemtë e tij, Riza Bej Selim Rusi, (1875-1918),delegat dhe n/kryetar i Klubit Bashkimi, Dibër dhe Dalip Selim Rusi, Dibër e Madhe.
Familja Rusi u angazhua plotësisht në këtë kongres duke kontribuar në të gjitha drejtimet.
Nipi i Selim Bej Rusit (djali i vajzës) ishte Hafiz Sherif Langu, kryetar i Klubit Atdhetar “Bashkimi” të Dibrës dhe delegat i pavarësisë (30 nëntor-4 dhjetor 1912).

Dy djemtë e Selimit, Aqifi dhe Rizai dhanë jetën për pavarësinë e Shqipërisë në luftrat për liri kundër serbve në vitet 1912 dhe 1913.
Aqifi ishte ushtarak i përgatitur në gjimnazin e Stambollit, shok shkolle me Ramiz Dacin dhe Ramiz Alliun.
Në kryengritjen e përgjithëshme antiosmane të vitit 1912, ai dezertoi nga ushtria osmane dhe u bashkua me kryengritësit dibranë dhe bashkë me të, Ismail Haki Libohova, Ibrahim Gjakova, Ahmet Bejtaga e shumë të tjerë.
Në betejën antiserbe të nëntorit 1912 ranë në fushën e luftimit Osman Langu, Aqif Rusi dhe Jusuf Skikuli.
(Haki Stërmilli, “Dibra në prag të historisë”)
Në shtator të vitit 1913 ra në luftime kundër serbve Riza Selim Rusi.

Fiqiri Dalip Rusi ka qenë deputet në shtatë
legjistratura nga viti 1921-1939, veprimtar i shquar në Kongresin e Lushnjës.

Turhan Dalip Rusi, pas përballimit të burgosjeve e përndjekjeve të pushtetit serb në Dibër të Madhe, largohet për në SHBA, ku ka ngritur bisnesin e tij së bashku me djemtë e tij, Selin, Ilirjanin dhe Beniaminin.
Shtëpia e tij është kthyer në një miniambasadë shqiptare ku Turhan Rusi lobon fuqishëm për çështjen shqiptare.
Ai ka mbështetur UÇK dhe pavarësinë e Kosovës. Ai ka organizuar në Nju Jork veprimtari atdhetare për mbarë shqiptarinë. Në qytetin e Dibrës së Madhe ka ngritur dhe ka pajisur ne pajisje bashkëkohore një qendër mjekësore.
Veprimtaria e atdhetarit Selim Bej Rusi dhe e pasardhësve të tij nuk mund të përshkruhet në një shkrim të shkurtër, ndaj kjo ishte vetëm një përmbledhje me pak rradhë, për tu dhënë një kujtesë dhe mundësi studiuesve dhe historianëve për tu thelluar më tej në të ardhmen.

About Post Author