Sakip Cami:Gafur  Langu-Intelektuali që  shkriu  jetën për Shqipërinë


Gafur  Langu (1905 – 1963)

Intelektuali që  shkriu  jetën për Shqipërinë dhe që regjimi komunist e shpërbleu me burgosje dhe internime

Nga Sakip  Cami, studiues

(Në Bibliotekën Kombëtare ruhet libri “Lahuta e Malsisë” botim i vitit 1937 dhuruar Gafur Langut nga vetë At Gjergj Fishta me një dedikim me shkrim dore në faqen e parë të librit: “Të ndertit z. Gafur Langu, në peng nderimi dhe miqsije, 22.12.1937”)

Gafur Langu  u lind në vitin 1905 në lagjen e tretë të Dollmahallës të qytetit të Dibrës së Madhe. Lagjja e Dollmahallës ndahet prej lagjes së Hinqarit me Pazarin qysh ke Ura e Selamit deri tek Shatërvani i Xhamisë së Haxhi Brahimit. Me Lagjen e Bajram Begut ndahen me Përroin tek Ura e Selamit deri në Tabkhane e Xhelis Tepe. Në bllokun 14 të kësaj lagjjeje  e ka patur shtëpinë, ngjitur me shtëpinë e Dullë Nallbatit. Edhe sot njihet si shtëpia e Osman Langut, të jatit të Gafurit.

Babai i Gafurit ishte Osman Langu (1840-1912) “Dëshmor i Kombit”. Ai ka qenë imam i lagjes “Dervish Mustafa” në Dibër. (Dollmahalla) (Haki Sharofi, “Historia ne Dibrës” Faqe 45). Ai është lindur në qytetin e Dibrës në vitin 1840. Familja e tij ishte ndër familjet më të dalluara të qytetit me prejardhje të hershme, trashëguese e imamit, të njohur si intelektualë dhe atdhetarë. Përveç mbiemrit Langu mbanin edhe mbiemrin Imami, që sot e mbajnë trashëgimtarët. Ka qenë një familje e kamur me prona për bujqësi e blegtori. Përveç Osman Efendi Langut që ka qenë imam i Lagjes së Dervish Mustafës, kanë shërbyer edhe dy imamë të tjerë në dy lagjet e tjera, Jusuf Efendi Skikuli, imam i Lagjes së Ilinqarit dhe Shaqir Efendi Imami, imam i Lagjes  Bajram Beg. Imamët  emëroheshin me dekret Sulltani nga Stambolli.

Në vitin 1912 Jusuf Efendi Skikuli dhe Osman Efendi Langu shkuan në luftë kundër serbve në Manastir dhe ranë në fushën e betejës në Fushën e Orizarit. Bashkë me ta në këtë luftë ra edhe komandanti i tyre Kapiten Aqif Rusi. (H.Sharofi “Historia e Dibrës Vëll I” , faqe 81)

Gafuriishte djali i vogël  i Osman Langut dhe i Sabrije Rusit (Langut). Sabrija ishte e bija e Selim Bej Rusit, një familje e pasur bejlerësh, por atdhetarë të shquar. Selim Rusi, gjyshi nga nëna i Gafurit,  ka qenë figurëe shquar atdhetare.

Selim Bej Rusi (1821-1905) njihet si diplomati që ja kishte frikën Sulltan Hamidi  II. Me bëmat e tij patriotike Selimi i dha emër të nderuar jo vetëm fisit të tij, por edhe Dibrës dhe mbarë shqiptarisë. Veprimtaria e tij i përket periudhës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe kuvendeve kombëtare të Dibrës, të cilat i drejtoi dhe i organizoi. Ai ishte bashkëkohës dhe bashkëveprues me Haxhi Zekën, Hoxhë Vokrrin, (Seit Najdenin), Hamdi Ohrin, Ibrahim Temon, Dervish Himën etj. Selimi trashëgoi nga gjyshi itij Riza Beu jo vetëm pasurinë, por edhe titullin bej, të cilin e ngriti edhe më lart në aspektin atdhetar.

“Selim Bej Rusi kishte marrë pjesë në Kongresin e Dibrës më tetor 1880, në Kuvendin e Pejës në janar të vitit 1989, kishte kryesuar Kuvendin e Dibrës më 1899 dhe deri në vitin 1905 kur vdes ka qenë promotor i lëvizjes kombëtare shqiptare dhe i përhapjes së gjuhës e të shkollave shqipe. (M.Murra. “Selim Rusi”faqe 106, 107, 108 dhe Sejfi Vllamasi “Balafaqime Politike 1897-1942” Faqe 54.

Babai i tij, Osmani dhe gjyshi Selim Rusi ngulitën tek Gafuri ndjenjat atdhetare dhe dashurinë për shkollën. Osmani dhe Sabrija patën 6 djem dhe 2 vajza: Sherifin, Dautin, Nebikën, Mirvetin, Shabanin, Rifatin, Edipin dhe Gafurin.

Vëllezërit e Gafurit ishin: Sherif  Langu, kryetar i Klubit patriotik  “Bashkimi “ në Dibër të Madhe, delegat i Kongresit të Dibrës, korrik 1908, delegat i Shpalljes së pavarësisë në Vlorë ( 30 nëntor 1912 – 7 dhjetor 1912), kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Daut  Langu (1883-1944), i cili  u vra si patriot në vitin 1944 në mbrojtje të Dibrës së Madhe, Shaban Langu i cili u inkuadrua në lëvizjen iluministe në Dibër, Rifat Langu (Imami), delegat i Kongresit të Dibrës. Rifat Langu me 22 gusht 1910 së bashku me një grup shokësh nën influencën e Sherifit dhe të atdhetarëve të tjerë dibranë kundërshtoi ekpeditën e Durgut Pashës. Rifati merr  pjesë në Kongresin e Dibrës si delegat i këtij kongresi.

Mësimet e para deri në të mesmen, Gafuri i mori në qytetin e lindjes, në Dibër. Pas mbarimit të shkollës së mesme në Dibër, në vitet 1934-1939 kreu studimet në Çeki për inxhinjeri bimore (agronomi). U doktorua edhe për agronomi edhe për mekanikë bujqësore. Ishte erudit dhe njihte 6 gjuhë të huaja. Në Bibliotekën Kombëtare ruhet libri “Lahuta e Malsisë” botim i vitit 1937 dhuruar Gafur Langut nga vetë At Gjergj Fishta me një dedikim me shkrim dore në faqen e parë të librit: “Të ndertit z. Gafur Langu, në peng nderimi dhe miqsije, 22.12.1937”, libër që u sekustrua nga Sigurimi i Shtetit  së bashku me të gjithë bibliotekën e tij të pasur pas arrestimit.

Më 7 mars 1939 erdhi nga studimet në Cekosllovaki dhe vendoset në Tiranë. Fillon punën në Ministrinë e Bujqësisë, por kundërshton fashizmin italian të vendosur në Shqipëri që nga 7 prilli i vitit 1939. Si antifashist internohet nga italianët në vitin 1941, në kampin e internimit në Pennabilli të Italisë, ku qëndroi dy vjet. Fotoja lart, nëkrye të fotografisëështë Gafuri. Së bashku me Gafurin ka qenë në këtë kamp internimi edhe mjeku i shquar Dr. Besim Zyma. Në vitin 1943 kthehet në Shqipëri Në tetor 1943 zgjidhet deputet i Kuvendit Kombëtar të Shqipërisë, qëndron në këtë detyrë vetëm një muaj (Fletorja zyrtare e Kuvendit të Shqipërisë, lista e deputetëve ndër vite, Viti 1943, Nr 64), arrestohet që më 23 tetor 1944 dhe i bëhet gjyqi me 12 janar 1945, gjyq politik, i paravendosur dhe dënohet me 20 vjet burgim, konfiskim pasurie dhe heqje e pjesëmarrjes në jetën politike. Burgoset në Burgun e Burrelit, kryen 8 vjet dhe më pas internohet në Gradishtë të Lushnjës. Meqenëse ishte specialist i shquar në agronomi, në kushte suverjimi,  e caktuan të punojë në fermën e Sukthit. E arrestojnë përsëri dhe e mbajnë në hetuesi për një vit e gjysëm. E lirojnë me kusht për mungesë provash. Për nevojat e shtetit të atëhershëm e emërojnë kryeagronom në fermën e Peqinit. Punonjësit e fermës e donin dhe e respektonin shumë. Për shkak të pasojave të Burgut të Burrelit, sëmuret dhe vdes në Tiranë në vitin 1963. 

Më 17 shkurt 1944 së bashku me një grup intelektualësh formojnë shoqatën (shoqninë) “Miqtë e Kroacisë”. Në faksimiljen e ruajtur nga Dr. Lazër Radi dhe të firmosur nga Mentor Qoku (nipi i Iljas Pashë Dibrës) renditen emrat e nismëtarëve:

Dr. Rexhep Krasniqi, Av. Qazim Bllaca, Ekrem Telhaj, Nexhmedin Vrioni, Ismail  Sefa, Av. Esat  Berisha, Ing. Ivzi Neraku, Dr. Lazër  Radi, Prof. Izet Bebeziqi, Ing.  Gafur Langu, Mark   Temali dhe Mentor   Qoku. Kjo është faksimilja e grupit inisiator të shoqnisë “Miqtë e Kroacisë”

Kjo foto tregon shqiptarët e internuar në kampin e Pennabillit në Itali. Personi me shigjetëështë Gafur Langu.

.BIBLIOGRAFI

  1. Prof. Mahmud Hysa  “Studime 6”, ITKSHSH Shkup 2013
  2. Prof. Qazim Xhelili    “Vehbi  Dibra”
  3. Prof. Arian Kadiu      “Dibra e Madhe”
  4. Haki  Stërmilli “Dibra në prag të historisë” 1940
  5. Haki   Sharofi  “Historia e Dibrës Vëll I” Viti 2003,
  6. Haki   Sharofi    “Historia e Dibrës Vëll II” Viti 2008,
  7. Eugen   Shehu, “Hafiz Sherif  Langu personalitet i shquar i lëvizjes kombëtare shqiptare”, artikull studimor
  8. Prof. Bardhosh Gace, “Delegatët e Kuvendit të Vlorës”, 2012
  9. Prof. Aleksandër Meksi, “Dokumenti i Pavarësisë”, korrik 2012
  10. Fletorja  zyrtare e Kuvendit të Shqipërisë, lista e deputetëve  ndër  vite
  11. Belina Budini, Gazeta “Shekulli” 25 prill 2003
  12. Kujtimet e së bijës, Irena

About Post Author