Sakip Cami:Dua ta rrok ëndrrën


DUA TA RROK ËNDRRËN

Dua ta rrok ëndrrën,
Ta mbaj në gji.
Ëndrrën me të bukurën e dheut,
Ëndrrën që më mbeti në sy
Një vajzë e bukur, vajzë në ish,
Ishte përëndeshë e bukurisë
Me buzët prush më tha të dua
Dhe kaptoi pragun e shtëpisë…

MALËSORJA

E quajnë hënë,
Por është më e bukur
Se hëna pesëmbëdhjetëshe.
Trupi i saj m’i ngjaka bredhit,
Balli i saj rudinë me lule,
Fytyra e saj si qelqi i ujit,
Sytë e saj si liqejtë e Lurës,
Flokët e saj si tërfil i butë,
Lëkura e saj si borë bjeshke
Buzët e saj si trëndafil i majit,
Faqet e saj lule pjeshke.

DASHURIA

Duaji të tjerët më shumë se veten
Askush nuk ka lindur për të vdekur para se të lindë
Sinjalet e dashurisë s’ka antenë që t’i mbledhë
Hapat e saj, sa afër, sa larg
Ulem në gjunjë para dashurisë
Rob i saj le të jem
Idealist i botës së lirë
Asgjë nuk më ndal drejt dashurisë

MERIT

Më shumë se gjithçka të dua
E thonë zemra, buzët, sytë
Rrodhi jeta si lumë
I mban mend puthjet e ditës së parë?!
Të tjera të presin deri në fund.

PËR TY

Në se je e bukur
Këtë e dinë vetëm sytë e mi
Në se je e lumtur
Këtë e di vetëm zemra ime
Në se je e mirë
Këtë e di vetëm shpirti im
Si je ti e di vetëm unë
Si jam unë e di vetëm ti…

TI MBETE SI DITËN E MBARË

Ti mbete si ditën e parë
Dashuria s’paska të sosur
Kur di dhe don të dashurosh
Trupi s’paska të plakur
Kur di të gëzosh
Zemra s’paska të ndalur
Kur dashuron si djalë
Ti mbete si ditën e parë
Çdo ditë gjej diçka të re
Në dashurinë tonë.
Ti mbete gjithmonë si ditën e parë
E panjohur, e veçantë
Ndaj çdo ditë kam
Se ç’të zbuloj
Ti çdo ditë ruan çaste të bukura
Të papërsëritshme.
Ti mbete gjithmonë si ditën e parë

DASHURIA IME

Njeriu rënka në hall me dashurinë
Si ta shpërndajë, ku ta çojë më parë?
Atë e duan të gjithë, ajo s’ka rradhë.
Ndaj po le diçka mangut nga vetja ime
Për tua falur atyre që kanë më shumë nevojë.
Dashuria ime për vajzën syshkruar buzëdrinase
Dashuria ime për lotin e pafajshëm të fëmijës
Dashuria ime për thinjën e nënokes që rri pa gjumë
Dashuria ime për rrudhat e bacës në ballin e
rreshkur
Dashuria ime për ujin e kristaltë të Valbonës
Dashuria ime për cicërimën e bilbilit
Dashuria ime për buzëqeshjen e tim biri
Dashuria ime për të gjitha dashuritë
Dashuria ime për poezinë
Udhëtoj me dashurinë time ngarkuar
Udhëtoj dhe mendoj vetëm për ty.

TI DO TË VISH NJË DITË

Gjithë jetëm pritëm
Një ditë të bukur
Një mëngjes të artë
Një mbrëmje të purpurt
Sa shumë u lodhëm duke pritur
Sa shumë u mërzitëm
Por shpresën e rritëm si lastar
E rritëm.
Bashkë me shpresën, me agun e bardhë
Dhe në se vonohesh, unë s’do të mërzitem
Mjafton të vish e bukur, e bardhë.

DIBRANET E BUKURA

U krahasoj me zanat e maleve
Me lulet e freskëta të fushës së Korabit
Me dritën e feksur të kristaleve
Me shushurimën e këndshme të zallit.
Kur vallëzoni ju në majat e gishtave
Bari i butë nuk e ul, por e ngre kryet
Nga vallja juaj nën hijen e vishnjeve
Festë ka dhe qielli me yje.
Është pak të themi se jeni të bukura
Perri të vërteta jeni ju
Punëtore si bleta, të brishta si flutura
Ma luajtët mendjen, ç’bëni kështu?!

MOS U ZBUKURO BIJA IME

Mos u zbukuro para pasqyrës, bija ime
Se kam frikë se do të shëmtohesh
Të ka bërë jot ëmë si e bukura e dheut
Dhuratë Përëndie, stërmbesë e Skëndërbeut.
Mos u zbukuro para pasqyrës, bija ime
Flokët e tua si një zjarr i ndezur
Kanë nevojë për një fjongo të argjendë
E unë s’di a do mund ta gjej.
Mos u zbukuro para pasqyrës, bija ime
Sytë e tu plot me vegime
T’i ka bërë jot ëmë si filxhan floriri
Brenda tyre bota jote, jeta ime.

VASHAT TEK LUMI

Dëshirë kanë të lahen
Fustane ngritur mbi gjunjë
Djemtë syfilxhanë
Bëjnë sikur flenë gjumë.
Të lahen, mos të lahen
Fustanet ngrejnë mbi gjunjë
O vasha të mira,
Lahuni ju në lumë!

LUTJE

Kujt duhet t’i shfryhem
Kur të gjithë duan të shfryhen?
Kur dhe kujt duhet t’i shpreh ndjenjat
Kur të gjithëve u ka ikur dashuria?
Kujt duhet t’i tregoj mëkatet
Kur të gjithë janë të krimbur në mëkate?
Përse lutja ime nuk arrin deri tek ti, o Zot?!

PENG

Të dashurova por kurrë
Nuk të thashë se të doja
Kurrë nuk të putha
Ashtu siç ëndërroja
Kurrë nuk të fola
Ashtu siç të mendoja
Tani mbaj një peng
Pse nuk ta thoja.

PUTHJA

Në një cast papritur
U ndodhëm të dy
Ti më pyete mua
E ndjen dashurinë?
Unë nuk kisha zë
Fjalët nuk më dilnin
Por buzët që dridheshin
Përgjigjen e kthyen.

SHPIRTI

Do të bëhem flutur
Mos më vrit të lutem
Kur të sillem rreth
Më puth më me nge
Kur të biesh në shtrat
Dritën mos e fik
Se pastaj unë ik
Kushedi kur vij

PLEQTË

Dy pleq të mirë mbi gurë qëndruan
Nga rrugë e gjatë të lodhur shumë.
Mbi sup të plakut u vajis plaka
E krejt padashur ra në gjumë.

Me vrulle gjaku në deje, plaku
Seç tha ca fjalë si në rini
Ish jeta ëndërr atë çast
Lulëzime mollësh vitet e tij.

TË DUA MERI

Të dua Meri
E kam thënë me mijëra herë
Dashuria nuk shprehet vetëm me fjalë
U bënë tashmë kohë bashkë
A nuk e ndjen se jam pjesë e trupit tënd?
Maria është emri yt dhe nuk është rastësi
Merjeme të thirri Muhameti
Merison të thirri Roberto Bërnsi
Meri të thërras unë, thirrja ime pafundësi
Të dua Meri
Është një varg, por për mua është mrekulli
Dashuria për ty më ka pushtuar
Universin e kam mposhtur me ty
Ai tani është nën këmbët tona.