Sami ARIFI-Prof. Jakup Jahiri ishte dritë e pashtershme në frymëzimin e rinisë për kauzën e madhe kombëtare!


Shkruar nga Sami ARIFI
Prof. Jakup Jahiri ishte dritë e pashtershme në frymëzimin e rinisë për kauzën e madhe kombëtare!

Prof. Jakup Jahiri ishte dritë e pashuar
për kauzën kombëtare…

Lajmi i hidhur për ndërrimin e jetës së prof. Jakup Jahirit është dhembje e thellë, jo vetëm për familjen e tij, por, për të gjithë atdhetarët e përkushtuar si ai të cilët frymëzuan rininë për kauzën e madhe kombëtare…

Prof. Jakup Jahiri ishte nga Sodovina e Jerlisë së Vitisë, ai në dy dekadat e fundit të shekullit XX dhe në vazhdimësi në dy dekadat e para të shekullit XXI padyshim është profesori më i hershëm i fizikës, në komunën e Vitisë, ai ishte i lindur nga një familje me taban atdhetar, prof. Jakupi ishte edukuar në odat sodovinase tradicionale shqiptare, ai qysh si i ri ishte frymëzua me ide përparimtare liridashëse.

Jakup Jahiri ishte ardhmëria e madhështisë së kauzës kombëtare te gjeneratat e reja duke qëndruar në cilësinë e arsimimit dhe ndërgjegjësimit të rinisë shqiptare, ai ishte i përpikët, si mësimdhënës, në kohë për orë mësimi, tepër cilësor në punën profesionale, edukator i shkëlqyer dhe mbi të gjitha misionar i ndërgjegjësimit dhe zgjimit kombëtar duke pri edhe vet i pari në këtë rreshtim. Prandaj, puna e prof. Jakup Jahirit ishte therrë në sy të armikur shekullor serbosllav dhe bashkëpunëtorëve të tyre.

Përcjellja e pushtetarve të atëhershëm dhe veglave të tyre ishte, ndaj prof. Jakupit, në gjimnazin atëherë të ashtquajtur “Boro e Ramizi” në Viti e që tani quhet gjimnazi “Kuvendi i Lezhës në Viti, deri te instancat më të largëta të UDB-së nga niveli krahinor, republikan e deri te ai federativ në të ashtquajturin shtet të “Republikës Federative të Jugosllavisë”, që në përfundim e sipër e dirigjonte pothuaj se në tërësi Serbia me ultra nacionalistët serbë.

Veprimtaria e prof. Jakup Jahirit nuk mbaron me kaq. Me 28. 03. 1989 kur Kosovës iu hoq edhe ajo pak autonomi që kishte, nga Republika e Serbisë, u seleksionuan shqiptarët me frymë të fuqishme kombëtare në Kosovë, për t’i dërguar në të ashtquajturin “izolim” për në Serbi, të cilët ishin personalitete të kombit shqiptar me ndikim në tërë Kosovën, kjo valë e shumtuar e armikut e përfshiu edhe komunën e Vitisë. Ndër personalitetet e para të arsimit në komunën e Vitisë ishte prof. Jakup Jahiri i cili ishte i veçuar jo vetëm për gjimnazn e ashtquajtur “Qendra Shkollore Boro e Ramizi” në Viti që kishte në atë kohë më se 130 profesorë, ku, mbi 100 ishin shqiptarë, por ai ishte rast i veçant nga i tërë arsimi i komunës së Vitisë, meqë ai ishe i pathyer për kauzën kombëtare, për këtë armiku shekullor serb me bashkëpunëtorë ia bëri të ashtquajturin “izolim” për të cilin “izolim” ai shkroi librin e ashtquajtur “Dromca Jete”, në të cilin libër ai përshkruan etjen e gjakpirësve të ultranacionalistëve sebë ndaj shqiptarëve…

Ky i ashtquajturi “izolim” që e bëri Serbia me bashkëpunëtorët e saj, nuk mund të titullohet ndryshe përveçse “Jetë pranë vdekjes nga torturat serbe”. Edhe se prof. Jakup Jahiri së bashku me shokë ishte në buzë të vdekjes nga torturat e skajshme serbe, ai asnjëherë për kauzën e madhe kombëtare nuk e ndryshoi drejtimin e rrugës së tij. I tillë ishte prof. Jakupi, ndërgjegjësim dhe zgjim i çështjes kombëtare i mijëra e mijëra të rinjve e të rejave shqiptare që dha të tërën përmes edukimit në shkollë, por edhe përmes aktiviteteve kulturore e sportive gjithmonë në rrugëtimin e tij të pandalur “jetë a vdekje”, jetë në liri apo vdekje, i tillë mbeti edhe tani duke mos e ndalë zërin asnjëherë për sovranitet kombëtar dhe shtet funksional demokratik në zbatushmërinë e plotë të ligjit për të sjellë fuqizim në zhvillimin ekonomik të atdheut tonë, ai gjatë luftës ishte aktiv, pas luftës mori pjesë në ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Prof. Jakup Jahiri ishte dhe mbeti i zëshëm në kërkesat për të vu rend dhe për të bërë shtet ligjor, edhe se i pagoi me çmim shumë të lartë, ai gjithnjë insiston në fuqizimin e shtetit duke u bazuar në sistemin pluralist politik, sistemin zhvillimit ekonomik që dy sistemet e para të jenë të mbikqyrura nga sisteni i pavarur juridik, duke e ndjerë madhështinë në sovranitetin kombëtar.

Mungesa e prof. Jakup Jahirit gjithmonë do të jetë zbraztësi e veprimit shumëdimensional në rrafshin kombëtar… Qoftë i paharruar kujtimi për prof. Jakup Jahirin, Perëndia e shpërbleft me Parajsë, pushoftë i qetë në dritën e pashterrshme në amshim…

About Post Author