Saranda ime-Sulejman Mato


Sulejman Mato (Nga facebooku i shkrimtarit)

Kam lënë peng zemrën time aty

te një shtëpi e vjetët dhe e harruar,

rrethuar nga ndërtimet e reja, të larta, shumë katëshe…

Babëzi biznesmenësh.

Saranda ime,

Saranda e peshkarexheve që niseshin herët në agim

Saranda e barba Gaqos,marinarit të vjetër

me llullë në buzë.

Saranda e prindërve të mi

dhe e fëmijve Sarandjote

që më dalin shpesh në ëndrra…

Tani atje netëve bie shi yjesh…

Në mesditë mbi syprinën e detit tënd të smeraldë,

bien miljarda brilante pluskuese lartësish.

Saranda ime

Unë erdha te ty një mbrëmje,

Më prite me melodi të buzuqeve greke.

Saranda ime, e huaj për mua

E veshur si një prostitutë

dhe e përlyer me lloj lloj dritash vezulluese.

Saranda e vjetër,

e varfër dhe e braktisur

Paskishe lindur përgjatë brigjeve Saranda të tjera.

Në atë mesnatë magjike

unë kërkoja shtëpinë e vjetër të prindërve ,

rrethuar nga ndërtesa të reja,

të larta, shumëkatëshe

Nuk e gjeta dot

strehezën e rinisë

Dëgjova vetëm zërin e mekur të nënës sime

Ikur nga kjo jetë 24 vite më parë,

zërin e saj të hollë e paskishte lënë a ty,

mall I braktisur.

Saranda ime

Hënëza ime e vjetër e zhytur në det.

Unë prap të dua, dhe kështu si je

e pikëzuar nga shiu i yjeve

e veshur me drita shumëngyrëshe

që zgjaten gjer te brigjet e Korfuzit mik.

Dhe kështu si je

plot zëra të huaj dhe këngë buzuqesh

Unë prap të dua.

Nuk të harroj kurrë.

26 gusht 2020