Sazan Goliku:Ëndrra me  bisht


Sazan Goliku

Ëndrra me  bisht

Djaloshi Mark L. nga fshati Gurlan iu paskish qepur mendja te kali i bardhë i Lis Dodës. Dhe nuk kisht faj. Të kullonin sytë kur e shihje kur ecte krenar kalldrëmeve të fshatit ose kur vraponte e argalisej lëndinave teksa kulloste me kuajt e tjerë. Plaku Lis nuk e ngarkonte asnjëherë atë bukurosh, veç ai i hipte, kur shkonte ne qytet dhe kur bënte vizita te miqtë e të njohurit.

Dhe një mesnate të bardhë me hënë të plotë, Marku doli nga shtëpia e tij dhe gati duke vrapuar shkoi drejt e te kulla e Lis Dodës. Qentë e shtëpisë e njihnin, si çdo djalë fshati, dhe portat e shtëpive në atë krahinë nuk ishte zakon të mbylleshin me çelës. I hodhi shalën kalit, i vuri yzengjin dhe, ende pa dalë nga oborri, i hipi e kalëroi sikur po fluturonte. Askush nuk mund ta ndiej atë ngazëllim që provoi Marku, duke ngarë atë kalë nëpër fushën e dehur nga rrezet e hënës. Vetëm kur do t’i jepte të dashurës së zemrës puthjen e parë do kishte nje shpirtdehje të tillë. Ngau e ngau kalin, duke lëshuar nga gjoksi gurgurima gazmore e thirrje përkëdhelëse për atë qenie të përsosur, kalëroi buzë liqenit deri te derdhja e një lumi, u kthye mbrapsh dhe kur ndjeu te ftohtit e agut e zbardhëllimën e qiellit nga lindja, u kthye në shtëpinë e tij. I fshiu mirë e mirë djersën Mbretit, kështu e quante me vete bardhoshin, i hodhi sipër një velënxë të mos ftohej, i dha tagji dhe çoi te kulla e Lis Dodës.

Në mbrëmje, të rrapi i madh në qendër të fshatit, ishin mbledhur burrat e kuvendonin. Pasi torrën e torrën gojdhëna e thashethemet më të reja të fshatit e të krahinës e më tej, e mori fjalën Lis Doda.

-Kam parë mbrëmë një ëndërr të habitshme, -foli duke shtyrë prapa qeleshen. –M’u shfaq një djale e më th: “Po të më japësh kalin e bardhë t’i hipi e tç kalëroj me të, dotë të japë si shpërblim velënxën më të mirë që kam.” Mirë , ithashë, po kujdes kryet se kalit i ha kurrizi dhe s’di ku të vërvit kokangulthi! –Dhe ia dhshë kalin… Kur u zgjova sot në mëngjes, shkova në haur, po ç’të shoh! Kali i bardhë ishte i mbuluar me një velënxë!

Burrat e fshatit zunë të mërmërisnin dhe të shinin syshqyer njëri-tjetrin dhe s’po u besonin veshëve. Rrena e kishte bishtin kaq të gjatë, sa s’do ta bënte as rrenësi më i madh i fshatit, kurse plakun Lis e njihnin dhe mbanin si një nga urtakët dhe njerëzit më të çiltër e më të ndershëm në gjithë krahinën!Mos kishte lajthitur vallë?!

-Që nuk po më besoni, unë e kuptoj, -tha plaku, -po ç’t’i bëj velënxës që më ka mbetur në shtëpi dhe nuk është e imja dhe nuk di kujt t’ia kthej?!

Burrat qeshën me të madhe dhe jehona e asaj qeshjeje dëgjohet edhe sot e kësaj dite në ato anë.

About Post Author