Nga Iljaz Bobaj

Kisha kënaqësinë dhe rastin e mirë të redaktoj librin e tëtë ‘Pyeta Syrin e Kaltër’, këtë herë me poezi të Panajot Bolit. Privilegj i Panajotit është se shkruan po aq bukur në të dyja gjuhët, shqipe dhe greke, domethenë ecen në dy korsi. Panajoti ka botuar tre libra në greqisht ‘Thlimena matia’(Sy të trishtuar) , ‘Anthropi san afti’(Njerez si ata) me tregime e skica dhe ‘To mistiko tu iliu’(Sekreti i diellit) me poezi, ndersa në shqip ‘Sonte hëna ’ dhe ‘Njerez si ata’ tregime dhe skica si dhe vellimet poetike ‘Nostalgjia çapitet në rrugët me kalldrem’ dhe ‘Lotët e hardhisë’
Thashë se ndjeva një kënaqësi gufuese. Dhe kënaqësia ishte e dyfishtë. E para, një poezi që më befasoi me një lirizëm kaq të ëmbël, me një tingëllim të veçantë dhe mjaft interesante me një figuracion poetik aq të goditur me një muzikalitet të ëmbël të mrekullueshëm, gjetje poetike origjinale dhe interessante.Se dyti, kisha përpara poezitë e ish-nxënësit tim të gjimnazit,të cilin e adhuroja për kulturën dhe prirjet që shfaqi në letërsi që atë kohë qe unë e kisha nxënës. Kuptohet si ndihem në këto momente për nxënësin tim poet dhe shkrimtar si dhe një gazetar mjaft i guximshëm. Dhe u ndjeva i privilegjuar që do t’i bëja parathenien
PARATHËNIE

Poeti Panajot Boli, i lindur, i rritur dhe i dashuruar me brigjet e lumit të legjendës së lashtë, Bistricës së kaltër, ka vite dhe dekada që vazhdon të shkruajë me pasion të ngrohtë dhe përkushtim, poezinë e tij të larë me kaltërsi.
Sikur të mos i mjaftonte kaltërsia e Bistricës, ai u ngjit deri tek burimi i saj, duke marrë edhe atë të Syrit të Kaltër e, pasi i mblodhi të gjitha kaltërsitë e asaj ane, u nis drejt qiellit, duke marrë edhe kaltërsinë qiellore. Të gjitha këto kaltërsi i duheshin, i duheshin për të gatuar poezinë e tij të bukur.
Ai është me të vërtetë një rob i kësaj kaltërsie dhe e ndjen veten të lumtur në robërinë e saj blu. Sepse, duke qenë rob i kësaj kaltërsie, ai është kthyer në një poet zëëmbël dhe origjinal i poezisë për dashurinë dhe natyrën e bukur e të papërsëritshme të atyre anëve, e cila njihet nga të gjithë si mbretëri e bilbilave të Bistricës. Ai ka hyrë në shoqërinë e bilbilave të Bistricës. Dhe këngëzon së bashku me ta notat e jetës, haresë, lumturisë, mallit, dhimbjes, brengës…Me zërin e tij origjinal.
I mbrujtur me qetësi dhe modesti, pa tam-tame dhe reklama, të cilat sot janë bërë më zhurmuese se kurrë, poeti krijon ai vazhdon të latojë fjalën e tij, për ta bërë atë sa më të bukur për lexuesin, për t’i dhënë fjalës vlerat e saj të vërteta njerëzore, për t’i shtuar asaj peshën, që ajo të ketë peshë në vargjet e poezisë së tij. Poezia e vërtetë, pranon vetëm vargjet me peshë të rëndë.
E punuar hijshëm me daltën poetike të poetit, ku figurat poetike janë sjellë dhe qëmtuar me shumë kujdes prej mjedisit të tij poetik, duke e ruajtur tërësisht freskinë e tyre, ato janë vendosur bukur në vendin e vet, pa u hedhur mbi njëra- tjetrën në murin e poezisë.
Natyra dhe dashuria njerëzore janë dy temat që dominojnë dhe vendosin pushtet në poezinë e Panajot Bolit. Të tjerat janë si ato garniturat, që zbukurojnë një tortë të gatuar me kujdes dhe dashuri për një festë të bukur.
Rrjedhshmëria e poezisë së tij i ngjan rrjedhës së Bistricës, e cila di vetëm të ecij drejt detit, pa qëndruar asnjë çast të vetëm në vend, për t’u kthyer në një pellg. Ajo vetëm ecën, ecën…Dhe mbetet përherë e pastër, e freskët. Ajo të rrëmben me vete dhe duhet të rendësh që ta arrish, pasi ajo nuk di të ndalë asnjë çast të vetëm. As për të marrë frymë…
Nuk ka libra të përsosur. Ka vetëm libra të bukur, libra me vlerë.
Ky libër, pa asnjë mëdyshje, e gjen veten e vet tek librat e bukur poetikë. Edhe pse ndonjë përsëritje tematike mund të shmangej, kjo nuk ia ul aspak vlerat.
Të kënaqin libra të tillë. Të kënaqin me origjinalitetin e tyre, me natyrshmërinë e dëlirë, e cila i ngjan një pikture të bukur të brigjeve me hijeshi mahnitëse të lumit të Bistricës.
Nëse për dashurinë shkruajnë pothuajse të gjithë poetët, duke e derdhur pa kursim mjaltin e kosheres së tyre poetike, gjë për të cilën meritojnë nderim të veçantë, po këtë nderim e meriton, madje me bujari, edhe Panajoti.
Nëse për natyrën dhe bukuritë e saj të rralla, shkruajnë pothuajse të gjithë poetët dhe secili meriton vendin e vet, këtu poeti Panajot Boli zë një vend jo të zakonshëm midis poetëve. Ai zë një vend nderi, të cilin do ta kishin zili shumë poetë…
ILIAZ BOBAJ
Patra, Greqi, 20 SHTATOR 2023
Sa për shije shkepus tre poezi nga ky vellim
PANAJOT BOLI
TEZGJAHU I ENDRRAVE
Me sy endërrimtarë dikur
Gjyshja ime si zonjë e rendë , ulur në tezgjah
Me krehërin e rendë
Ngjeshte penjtë shumëngjyrëshe
E thurrte mozaike jete
Një shajak që ngrohej nga dielli i shpirtit
Një qilim me fytyrë pranvere
Ku shkelte këmba e endrrave të nuses së re
Një gunë e sertë dhie
Ku thyenin hundën errërat dhe acari
Një rrugicë me rombe, katrore e gjashtëkëndeshe
Ku luante këmbëçalë fati i jetës
U ula edhe unë një ditë te tezgjahu
Në vendin bosh të gjyshes
Me krehërin e endrrave
Të thur një rrugicë shtrojë
Të eci këmbëzbathur
Drejt stacionit të panjohur
Që më priste diku
Kërkova rrepirave, buzë lumit, gerxheve të malit
U ngrita herët mengjeseve të majit
Prita diellin të perëndojë mbi detin e zemëruar
Të mbledh fijet e deshirave
Herë gri dhe të jeshilta
Herë blu dhe të verdha
Herë të bardha dhe të murme
Herë të vjedh ato të vesës
Të thurr si gjyshja një sixhade
Tani, si gjyshja
Me sy endërrimtare
Rrugicën time të vjetruar thurrur në tezgjah
E shkund nga dritarja e vjeshtës
Të bien pluhurat
Bien si kujtime….
Bien si gjethet e pemës
Të mardhura, të lodhura
Me një hidhërim në buzë
E tundin kokën
Të pakënaqura
MË MBYT MUZGU
Nuk e di pse m’u zu fryma këtë pasdite vonë
Kur qielli ka rrudhur buzët e detin nervozon
Hap dritarën e zemrës të marrë ajër se mbytem
Të rehatojë pak ankthin që si kalë po gulçon
Mbeshtes kokën te dritarja të më freskoj flladi
Të hyjnë lulet me ngjyra, të futet edhe pak dritë
Pyes veten: ku isha? Mos rashë befas në komë
Në muzgun e murmë që vertitet në qepalla e sytë?
Më shpifet ky muzg që vjen si murg i zi mjeran
Misteri frikë, bëhet gjarpër e fort më shtrëngon
Nga dritarja e hapur ngushëllim po gjej tek yjet
Të më matin pulsin që përpilitet si zog e rënkon
Aty në parvaz, nuk i ndahem yjeve dhe hënës
Mbush grushtat më dritë të shpërlaj shpirtin tim
Ndofta mungësa jote më thithi atë pak oksigjen
E muzgu murg më shtie në kupë pikëla hidherim
Nuk e fsheh, kam frikë të rri vetem në këtë natë
I lutem yjeve dhe hënës të rrinë më mua shoqeri
Shkretëtira e perandorisë së territ po më tremb
Ndaj sonte, e dashur, të dua të të kem pranë ty
PYETA SYRIN E KALTËR
E pyeta Syrin e Kaltër
Ishte në të çelur dita……
-Unë e linda legjendën
E pyeta legjendën
Ishte në të përenduar dielli
-Unë e linda Syrin e Kaltër
Atë kah moti, pasdite ishte
Deti i brengosur u kthye prapa
-Nuk e shuajta dot
Në Malin e Gjerë shtrirë gjinganti
Zjarrin përtypte në gojë
-Vdes duke lindur fëmijën
Fëmija ish e bukur, me sy të kaltër
Me qerpikë të argjendtë
Me fustan mendafshi jeshil
Mbretereshë hyjni e Gjelberimit
Me buzë blu të kristalta
E mira, Bistrica ime