S’erdhe vetë, a s’të la nëna?-Bilbil Murataj


Moj e ndritura si hëna,

Faqekuqe rrëmba – rrëmba,

Baluket prerë allafrënga,

prita mbrëmë tek tënda.

Pse s’erdhe, të ardhtë gjëma,

S’deshe vetë, a s’të la nëna?

Djalë, do vij nesër mbrëma,

Se sot më qortoi nëna.

Më shkau nga dora shtëmba

M’u bë copë dhe thërrime,

Nëna filloi me qortime,

Më qortoi me fjalë të rënda,

Më tha ku të bridhte mëndja …

Të mori dreqi, të mori,

Ngele pas baluketorit,

Ç’t’i them, ma thëntë në vesh,

I bëra shtëmbat përshesh.

Rënë e pa rënë mirë nata,

Më prit poshtë, tek lofata,

Tek lofata në çair,

Të rrimë bashkë, gjer në të gdhirë.

Nëna prapë do të më flasë,

U bëfshin shtëmbat halasë,

Do them isha tek bandilli

Këtë natë të bukur prilli.

Hëna mbi ne të ndriçojë,

Ç’të shohë, mos ta tregojë,

Se bota sebep kërkojnë,

Të flasin e xhelozojnë …