ULLIRI
Pemë e bekuar fisnike
mbjellë nga dorë hyjnore,
mjekërthinjuri, i ëmbli tokës
ku lidhen e rrëfehen legjendat e kohës!
Buzë një cope deti lartohesh,
poshtë një cope qielli mbulohesh.
Kurorë e jeshiluar paqeje,
flokëgjelbër veron e dimëron
mbi një shkëmb,
mbi një breg,
mbi një shpat.
Lind e rilind me sythe e bisqe të reja,
degët sysmeralde zbukuruar.
Rrënjët,
thurur gërshet me gurin e shkëmbin
në tymnaja kohërash shtrihen,
zgjatim i rrudhave të trupit
në gjenezën e tokës.
Nën hijen tënde veshur me aromë deti,
poshtë gjetheve vetullhënëza
përkundet djepi dhe malli
i ëndrrave fluturake.
Aty foli ilirisht Teuta
veshur me lulekumbulle
kur lidhi kurorë me mbretin Agron,
aty zbriti muzgu i rrapsodive
nëpër telin e lahutave,
aty, nën hijen tënde
në vaje u përkulën malet
kur oshtima e Gjergjit
mbylli sytë.
Ulliri i tokës sime,
bekim perëndie!
Buzë një cope deti lartohesh,
poshtë një cope qielli mbulohesh.
@Seti Pezaku Vadi
