BABAIT
Me shkulme ngjyrash hyri sot prilli,
Siluetën fisnike të babait më vizatoi,
Dhembjen kujë, kristal plasaritur,
Psherëtima e shpirtit stuhi e mbuloi.
S’e mbajta dot amanetin e muzgut,
Përroi i lotit rendi drejt selvisë,
Dridhet buza mbi mermerin vesëlarë,
Mbi mallin e gjumnajës përjetësisë.
——***
MALL
Baba,
mall i ndezur
që sfilit në heshtje,
dhembje e pashuar që gërvisht!
Ky mister paskaj në jetën e njeriut
mbeti enigmë e pazgjidhur nga dituritë,
dimensioni i vetëm i kuptimit të jetës.
Mizore do të ishte
të jetuarit pa këtë zinxhir lidhje
nga i gjalli tek i vdekuri!
Kjo lidhje e pazgjidhshme
më thërret të vij drejt qiparisave
galvanizuar me dritë argjendi
ku vajtojnë kumritë.
Ngjitet malli trëndafilave të verdhë
mbjell nga ti Baba, në oborrin e shtëpisë.
Në të verdhë janë ngjyer edhe hijet e tyre,
erëmimi shpërndahet
me tingujt e muzikës tënde
shpirtit të qytetit.
Çdo gjurmë e jotja,
o engjëlli im,
më sjell të gdhendur portretin tënd fisnik
me gonxhen e verdhë
vendosur në xhepin e vogël të xhaketës.
——***
Dy Poezi-TANKA
☆☆☆
Mbrëmë më erdhi
Nëna e babai.
Pluskonin në sytë e mi;
Pasthirrma e mallit tim,
Prap më la në vetmi.
☆☆☆
Kur vij tek ti baba
Me krah’ ere fluturoj,
Sikur ngrihesh, portën hap…
Kthehem rënduar
Me dhembje pashuar.
@seti pezaku vladi
