Seti Pezaku Vladi-BALADA E KURORËS SË BLERTË


BALADA E KURORËS SË BLERTË

(Nga libri “Kuja e laureshës”).

Shumë pranvera pa pranvera përcolle

me shtëllunga reshë flakuar,

me oshtima prerëse e therëse

mizorisht mishin ta grinë,

të sakatuan e lotuan.

Asgjë s’të mbeti nga ajo lavdi

veç gurëve të malit,

shkëmbinjve pa pyje e sorkadhe,

reve të zeza

që shkarkonin e mallkonin livadheve.

Dallgë-dallgë lisat binin,

Gurrat të zemëruara shterruan,

shqipet të pikëlluara

mbi dhimbjen e maleve vesh në zi

Fluturuan.

E vranë Lurën, perlën jeshiluar!

Majamalet shamibardha vajtojnë,

shtatë sytë copa qielli lotojnë!

Në lakuriqsi mbetën malet,

shpatet e kodrinat.

Loton durimi nga bukuri e vrarë,

ylberet u shuan,

as për qyqen s’mbeti lis për të qarë.

Nën drithërima u shua ajo perri

ku hëna pushonte,

në freski ndrisnin shtatë yjet rubin

dhe vetë dielli folenë aty e kishte.

U shua ai fllad pyjor e ujëvarë,

ajo kupolë e blertë me sy nga qielli

gjerdan xixëllues në ballin alpin.

E vranë Lurën, perlën jeshiluar!

Majamalet shamibardha vajtojnë,

shtatë sytë copa qielli lotojnë!

E mbuloi nata mbretëreshën e vran’ ,

Asgjë nga lavdia s’i mbeti

veç një grumbulli trungjesh të kalbur

buzë përrenjve harruar

dhe një loti që qan.

@feraset pezaku vladi.

About Post Author