Seti Pezaku Vladi
BUZËMBRËMBJE
E bardha kacavirret
Nëpër krifën e lodhur të kalit
që detin e merr në kurriz.
Deti kundërmon në fytyrë
qiellin me kodin e kripur
të shikimit sy më sy pulëbardhe;
Buzët ma përthajnë ajrin e lagësht.
Vazhdoj të pi dhe ca gllënjka etje
sikur të isha vetë i dytë.
Bregu i dehur
mllaçit hapa të rërëzuar
në këtë buzëmbrëmje fund tetori.
Pulëbardhat ndërkëmben
nëpër këmbë mbi stërkala
duke vallëzuar lojën e dashurisë.
Një trill më lutet që nga prapa,
me buzët e mbrëmjes
t’ia zë sytë yllit të hënës.
@seti pezaku vladi
