Seti Pezaku Vladi-Dashuri ujëvarash


DASHURI UJËVARASH

Mali,
me xhamadan legjendash veshur,
mjekrrën zgjatim kreshtash
pishtar olimpik digjet
në dashuri për fushën.
Fusha,
për çdo stinë vesh fustan me lulefushe
dhe i shkel malit petalen e syrit.
Copëtohet mali kur plugohet fusha,
xhelozohet fusha kur rrezet puthin malin.
Sa afër e sa larg!
Kurrë aromat s’i bashkuan,
dora-dorën s’e preku,
buzët s’i takuan.
Unazat u bënë këngë laureshash.
Dy prushe që digjen në heshtje,
të përmallshëm,
të përjetshëm
si dy ujëvara që s’takohen.

@Seti Pezaku Vladi

About Post Author