Seti Pezaku Vladi :Duel me veten


Seti Pezaku Vladi

O gjëmim i shpirtit tim
që breron thellësive!
Harkun ty ta mora,
fishkëllimë dimri dufi më shtyu,
tym e nisa rrugën tymtajës pa rrugë
duke u grindur me mendjen e ditës tjetër.
Pritë më zuri një vetim’ drite,
perden e muzgut të tymtë
më grisi,
me një re të bardhë
lotin më fshiu,
hijen e ullirit
supeve më hodhi.
U ktheva rrugës
spërkatur me diell,
deti më hidhte stërkala pulëbardhash
me buzëqeshje peshkatarësh,
një kambanë
përcillte regëtimën e dimrit.

@seti pezaku vladi

About Post Author