Seti Pezaku Vladi-Ëndrra në dremitje


Seti Pezaku Vladi

ËNDRRA NË DREMITJE*

Zgjuar rri.
E marr shtruar natën.
Vetmia ime pikon vargje.
Përreth vetes ndërtoj një mur.
Më mungojnë të gjitha frikërat.
Qetësinë nuk e turbullon
Zhurma e gjetheve të kavakut
Që vjell zemërimin në këtë tufan vjeshte,
As fluturimi i një zogu nate,
As zhurma e shiut që bie me rrëmbim
Puthur me furtunën.
Nuk më ndezin
Zjarrin e ëmbël të shpresës
As kujtimet,
As pendimi.
Pas këtij muri
Derdh fantazinë time:
Vizatoj tiparet e një ylli
Me shkëlqim rrezellues.
Skicova përsëri,
Si një natë më parë
Fytyrën e tij.
Dhe muri përsëri mu shemb,
Si një natë më parë.
Tronditja më përzihet
Me ndjenjën e marramendjes së beftë.
Dremitja ime,
Nga xhami i dritares
Futi tinëzisht
Agun e qelqtë të ditës së re.
Gjumi,
Më kishte zënë
Mbështjell në krahët e diellit.

@seti pezaku vladi 

About Post Author