Seti Pezaku Vladi-Gjurmë malli


Seti Pezaku Vladi

GJURMË MALLI

Shpesh,
malli në krahët e tij më pushton,
më çon udhëve të fëmijërisë
duke ndjekur xixëllonja e mollakuqe
fushave ku ndrisnin,
rrugëve me kalldrëme
ku shpesh herë dhe gjunjët vrisnim.

Ndjej aromën e dheut e të gurëve,
të luleve e jargavaneve
në oborrin e shtëpisë,
të ftoit, blirit e të drurëve,
pjergullës ledhatare
rreth plepit përdredhur,
ujit të ftohtë te pusit tek prehej,
gëzimin e lojërave
me litar e kukafshehtas,
bardhësinë e moshës që më nuk kthehet.

Petale çel malli në degët e kujtesës,
oborri spërkatur me aromë trëndafilash,
me penelata verore,
me bujaritë e vjeshtës
veshur me fllade netët zhurmonin
me të ëmblat melodi cicërima bilbilash
botën e përgjumur me këngë e zgjonim.

Qielli qëndisur me yje praruar
në qetësinë solide olimpike sodiste,
në gjoks të tij medalion i hënës
me dritën e artë nga lart na ndriste.

E ulur në prehrin magjik të mbrëmjes
i bie qark rrugëve të vendlindjes,
rrugëve të mia të thjeshta që më rritën,
shamibardhat e urta të skamjes
për dore më morën
më përcollën e më pritën.

E përmallur ndaloj te bangat shkollore
si tufa pëllumbash imazhet kalojnë,
si kënga e valëve vijnë qeshjet gazmore
në tinguj melodish, në vargje fluturojnë.

Eci kudo mbi gjurmët e mia
ato si lule më çelin kujtimet,
këndoj me to ylberet e moshës
si zogjtë në degët e blerta të drurit,
për dore me to vrapoj nëpër vite
si era përqafuar me kallëzat e grurit.

Gjurmët e mia të moshës së artë
mbi stiva librash i ngjitën katet,
me épose heroike, me vargje të zjarrtë
më ndiznin dritat, më zgjonin fatet.

Eeeh, ky malli im,
gurgullimë shpirti!
Vetëtimthi kaloi andej si një vegim
në ato gjurmë ëndrrash
të lara mëngjeseve në agim.

Sërishmi ai më kthen,
më sjell aty
ku bregu shekullor nga valët skalitet,
mbrëmbja pikturon peizazhin e rrallë,
shtëllunga e pulëbardhave
mbi valë kolovitet
ku dielli zbret shkallët
puth detin në ballē.

@seti pezaku vladi

About Post Author