Seti Pezaku Vladi-KËNGË MALLI PËR TIME MOTËR


Seti Pezaku Vladi

KËNGË MALLI PËR TIME MOTËR
( Elegji )

Në rrjedhën e stinëve e viteve
më zhurit malli për ty,
malli all i prushtë
që ritmon në vitet e udhës sime
si valët e pandala të lumit në rrjedhë.

Një pjesë e imja ishe ti,
ekran qielli me pëllumba të bardhë,
forcë durimi për të kapur ëndrrat
për t’i dhënë krah gëzimit,
fjalëmbëla nektar,
model e gurrë thjeshtësie,
frymëzim jete,
poezie.

Në sytë e mi
mbeti fryma jote e fundit,
në puthjen time
mbeti loti yt i fundit,
ti more me vete
oshëtimën e dallgës së dhembjes sime,
o shpirt i motrës!

Tufat e zogjve i prenë cicërimat,
burimet e ndalën rrjedhën e krojeve,
retë e hirta në shtëllunga u mblodhën
bashkë me ne nisën vajtimin.

Kostumin ta veshëm me ëndrrat e syrtarit,
trupin ta mbuluan zymbylat e fundshkurtit,
me kuje zemrash të përcollëm,
me heshtje bari e gjethi
si një melodi drithëruese epike.

Ah, moj Rozafë e motrës!
Si dy çerdhe jete në degë
çicëronin mbi ty dy engjëjt e tu,
ti fluturoje lart
në lëndinat qiellore…
U ktheve në flutur tek pragu i derës,
u ktheve në erë,
në lule e tinguj.

Mbeti
pelerinë e blertë silueta jote
në rrugët ku u rrite,
në petale lulesh erëmuar,
në këngë valësh,
në shpirtin bujar të qytetit tënd.

Ngarkuar me malin e mallit
po vij tek ti,
në atë lëndinë të mermertë
rrethuar me zinë e thellë
të qiparisave gjigantë.

Nën ato hije,
midis asaj bote të ftohtë
mbuluar me lule Elbasani
flen ti,
më e bukura e zanave.

Si një shelg vajtues
përkulem mbi ty
duke thirrur emrin tënd …
Më përgjigjet vetëm jehona e boshllëkut,
se ti,
përton të zgjohesh nga gjumi i thellë,
moj gjumashja e motrës,
“Bukuroshja e Fjetur”
nën atë qiparis
ku çdo ditë këndojnë kumuritë
e flladi i mëngjeseve
fytyrën me vesë lëndinash ta lanë.

Sa një hark horizonti qe jeta jote,
lindje-perëndim,
erë që flladoi vello pranvere,
xixëllonjë fushe mbrëmjeve të ngrohta,
një grusht tinguj vitesh.

U këpute nga dega
si gjethe e artë vjeshte,
hyre në jetën e mermertë,
atje,
nën fëshfërimën e qiparisave të blertë.

@seti pezaku vladi 

About Post Author