Seti Pezaku Vladi: Krahu  shqiponjës:Isa Boletini


Seti Pezaku Vladi

(Ripostim)

Njëherësh me diellin kur majat i ndriste

Vinte të zgjonte shqiponja e malit,

Krahun e saj të trupit të kishte

Njërin nga sytë e ndritur të ballit.

Më i thjeshti yll nga gjithë yjësia

Veshur me tirq, opinga e xhamadan,

Në zemër të pulsonte Kosova, Shqipëria,

Monument trimërie, gjigandi flakadan.

Atdheun në muzgje të trishta shikoje,

Zemra në gjoks luani pëlciste,

Sa shumë këtë dhè mbi veten e doje,

Mbi traktatin mizor grushti të kërciste.

Flamur mbi shkëmb valëvitet vepra jote,

Karvanit të trimave në ballë u prije,

Të priste Vlora e pushkës ndër mote,

Ismail Qemalit në krah t’i rrije.

Si kreshtë mali e tokës Boletinit

Me dy kobure të ngjeshura në brez,

Njëra gjëmonte buzës së Drinit,

Tjetra në Vjosën e ndarë për mes.

Në çdo lis e gur, pyje me cicërima,

Në gjithë bashkësitë që bëjnë atdhe,

Ti je shqiponjë me sytë xixëllima,

Je vlaga e tokës ku rritesh Antè.

About Post Author