Seti Pezaku Vladi-LETRA E DORUNTINËS


Seti Pezaku Vladi

LETRA E DORUNTINËS

E shtrenjta nëna ime!

Më dallgëzon frymëmarrja si lulja në shkëmb,
si vala e grurit nga era kur agon,
peshën e mallit plumb, vargmal e kam,
zemrën largësia kristal ma thërmon.

Në krahërorin tim pulsi yt ritmon,
vlag’ e syrit tënd ndez terrin shpirtit tim,
po ma ronit rininë ky fati im i fikur,
në vis të huaj jam vetëm një mundim.

Atje ku shkrepin rrezet veson syri im,
atje ku krojet derdhin këngë që ushtojnë,
atje ku qielli mbrëmjes skuq me trëndafila
dhe hënëzat e netëve mbi gjethe pushojnë.

I dua, nëna ime, gurë e lule fushe,
dua dhe zakonet ku mendja mbretëron,
bukën edhe kripën me të ëmblin gaz,
bujarinë e rrënjës që ndizet e jeton.

Më zgjon e djeg ky mall, shkëndi e ndezur rri,
pres besën e arbrit gdhendur në gur stralli,
Kostandinin pres, o nënë, si lulja pranverën,
Të vijë mbi gjok të bardhë, lis në majë mali.

@seti pezaku vladi 

About Post Author